Pyetja:
Nëse fëmiut nuk i kemi therrë kurban kur ka qenë i vogël, a mund t’i therrim tash edhe pse i ka 20 vite apo më shumë?
***
Përgjigjja:
Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Therrja e kurbanit (akika) për fëmiun e posalindur është sunet i fortë sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Dhe kjo bëhet në ditën e shtatë, duke u bazuar në hadithin në të cilin Pejgamberi ﷺ thotë: “Secili fëmijë është i lidhur me akikën (kurbanin) e tij që therret për të në ditën e shtatë..”.
E nëse nuk ka mundësi të therret në ditën e shtatë, ajo është e pëlqyer të veprohet atëherë kur të vjen mundësia, qoftë edhe pas arritjes së fëmijut në moshën madhore. Dhe kjo është përgjegjësi e prindit ndaj fëmijut të tij.
E nëse prindi nuk e vepron një gjë të tillë edhe pas shumë viteve dhe i riu nuk shpreson që prindi i tij do ta kryej një adhurim të tillë, apo prindi i tij ka vdekur dhe nuk ka therrur kurban për të, atëherë dijetarët kanë ndryshuar në mendimet e tyre nëse lejohet të therr njeriu kurban (akika) për veten e tij. Shpresojmë që më afër është mendimi se është e pëlqyer që njeriu të therr kurban për veten e tij, nëse prindërit e tij nuk kanë therrur për të.
Thotë Shejh Ibn Bazi: “Është e pëlqyer që njeriu të therr kurban për veten e tij, nëse nuk kanë therrur për të prindërit e tij.” [1]
Për fëmiun mashkull therren dy dele, ndërsa për atë femër therret vetëm një dele. Thotë Pejgamberi ﷺ: “Për fëmiun djalë dy dele dhe për atë vajzë një dele”. [2]
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami
————————————————————–
[1] Fetava Ibn Baz, 26/266.
[2] Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë.