-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

A mos kërkojnë ata diçka tjetër përveç fesë së All-llahut..!?”

Më të lexuarat

All-llahu i Madhëruar na bekoi me këtë fé të madhnueshme islame, na lartësoi me të në këtë botë, na frymëzoi për ta jetuar jetën e përkohshme të saj, si Njerëz me dinjitet, me krenari legjitime, në pastërti e me zemër të dlirtë, në moral e plot virtyte, në dije e rrugëtues të ndërgjegjshëm drejt kërkimit të urtisë, në ekuilibër të plotë me natyrën, tokën, krijesat!

Na pajisi me një Libër të shenjtë, pas të cilit, Njeriu nuk ka më nevojë për asgjë; çdo gjë e nevojshme për të sotmen dhe të ardhmen e tij gjendet aty: besimi, logjika, zemra dhe mendja, drejtësia, familja, hallalli në jetë, fjala e mirë, shembulli i përsosur, respekti për të shenjtën, vlerësimi i jetës, nxitja për punë e sakrificë, thirrja për posedimin e forcës, nëpërmjet të cilës ndërtohet e mira dhe dëbohet e kundërta e saj, thellimi në dije e kërkim shkencor në çdo drejtim, edhe përtej kufijve të “së pamundurës”, respekti i prindëve dhe edukimi i fëmijëve, ndërtimi i familjes së shëndoshë dhe distancimi nga çdo fëlliqësi që prek këtë kod të shenjtë shekullor, që qëndron në themel të trashëgimisë së jetës, por jo vetëm!

Na bekoi me krijimin tonë në këtë kohë, koha e Vulës së të Dërguarve të Tij, Hz. Muhammedit (a.s.), që erdhi për të plotësuar virtytet më të larta dhe cilësitë më të spikatura, mëshirë e dhuruar, Mësues-edukator, bekim, jo mallkim, tolerues në gjendje force, falës në pozita pushteti, bashkëpunues me çdo element shoqëror për ndërtimin e paqes sociale, luftues i pashembullt i pabesisë, cënuesve të paqes e lirisë së besimit, bashkëshort shembullor e prind mëshirues, gjysh babaxhan e prijës elitar!

Na bekoi me adhurimet ditore, që bazohen mbi pastërtinë fizike, dlirësinë shpirtërore, bardhësinë e zemrës dhe kërkimin e kënaqësisë së Një Zoti të Vetëm të gjithësisë, që nuk mund të jetë as dy, as tre, që nuk ka as fëmijë e as bashkëshorte; i Vetmi Një absolut, që s’ka nevojë për asgjë dhe që çdo gjë i është krijesë nevojtare!

Na bekoi me dritën e Fjalës së Tij, ku mësuam dhe edukohemi çdo ditë se, padrejtësia shumëfishohet në jetën e përtejme, ku vrasja dhe dhunimi i pronës së tjetrit është krim, ku imoraliteti dhe vjedhja është poshtërsi, ku zilia dhe smira nuk janë pjesë e jetës së zemrës së besimtarit, ku përmendja e vazhdueshme e Krijuesit Një, e mban zemrën dhe mendjen të rrethuar nga një aoreolë bekuese, brenda së cilës njeriu jeton në qetësi dhe prehje të pashembullt shpirtërore!

Na bekoi me hapësirat e pakufijshme të Lutjes, dyert e së cilës i la të hapura për ne në çdo kohë, në çdo gjendje, në çdo situatë e kontekst jetësor! Na dhuroi shpresë e na ftoi të përhapim dritë optimizmi, duke e konsideruar pesimizmin si adresë të femohimit dhe njerëzve të tij!

Na bekoi duke na mundësuar t’i drejtohemi pa ndërmjetësimin e dikujt, kushdo qoftë ky dikush; na u prezantua si Mëshirues, Mëshirëbërës, Posedues i Ditës së gjykimit, si dhe na hoqi çdo perde në komunikim të drejtpërdrejtë; na mësoi t’i drejtohemi çdo ditë, pa ndrojtje, pa komplekse, pa frikë: “Ty të adhurojmë dhe prej Teje ndihmë kërkojmë!”.

Këtë Islam e bëri fënë e Tij, drejt së cilës thirrën krejt të dërguarit, përgjatë shekujve! E përsosi për ne dhe nuk la asgjë të mangët në të! Atëherë, përse të mos e falënderojmë ditë-natë për këtë bekim të pashoq? Përse të hedhim sytë diku tjetër e të lëmë Dritën e sigurtë? Përse të lëkundemi e të shkojmë pas thirrjeve të maskuara, fjalëve pa kuptim, kumteve plot mister, në fund të cilave nuk ka dritë, nuk ka prehje, nuk ka siguri?

Të vërtetën ka thënë Zoti ynë: “A mos kërkojnë ata diçka tjetër përveç fesë së All-llahut, ndërkohë që Atij i përulen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir dhe tek Ai do të kthehen të gjithë!?” – (Kur’ani, Ali Imran: 83).

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, 8 dhjetor 2018

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit