19.6 C
Pristina
Monday, July 1, 2024

A llogaritet si përgojim, nëse qajmë dertin për ndonjë person?

Më të lexuarat

Pyetja:

A llogaritet si përgojim në qoftë se e qajmë dertin me ndonjë shok ose anëtar të familjes për problemet që kemi me ndonjë person, por jo me qëllim përgojimi, por bisedë për problemet që na shkaktojnë.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse për ndonjë padrejtësi ose zullum që na është bërë ne ankohemi te dikush që ka mundësi të na ndihmojë, sikurse udhëheqësi, përgjegjësi ose dikush që ka mundësi ta zbatojë drejtësinë, atëherë kjo lejohet.

Gjithashtu këtu hyn edhe nëse ankohemi apo bisedojmë me dikë që nuk ka mundësi të na ndihmojë konkretisht për largimin e padrejtësisë, por mund të na japë këshillë dhe të na ndihmojë se si ta tejkalojmë atë problem. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk do që të flitet sheshazi e keqja (nga askush), përveç nga të dëmtuarit (atyre të cilëve u është bërë padrejtësi-zullum). Se Allahu çdo gjë dëgjon dhe çdo gjë dinë.” (Nisa, 148)

Muxhahidi në komentimin e këtij ajeti thotë: “Është për qëllim që ai, të cilit i është bërë padrejtësi, të tregojë për zullumin dhe personin që i ka bërë atë të keqe1.”

Argumenti për këtë që thamë qëndron në hadithin që shënon Buhariu dhe Muslimi, se Hindi, gruaja e Ebu Sufjanit, e pyet të Dërguarin, lavdërimi dha paqja qofshin mbi të: “Ebu Sufjani është njeri shumë koprrac, nuk më jep atë që më mjafton mua dhe fëmijës tim, përveç nëse marrë vetë, pa dijen e tij.” Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Merre atë që të mjafton nga të nevojshmet për ty dhe për fëmijën tënd.” Nga ky hadith kuptojmë se Hindi e ka përgojuar burrin e tij, por qëllimi i saj është që të marrë dispozitën përkatëse rreth çështjes në fjalë.

Gjithashtu shënon Ebu Davudi në një hadith të cilësuar hasen, se një njeri vjen tek i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe i ankohet se fqinji i tij po e keqtrajton. Muhamedi e këshillon që të bëjë durim, por ky person vjen prapë dy-tri herë dhe i ankohet. Atëherë i thotë: “Shko dhe nxirri plaçkat dhe dil në rrugë.” Ai shkoi dhe i nxori gjësendet në rrugë dhe kalimtarët filluan ta pyesnin se pse e kishte bërë këtë. Ai tregonte për gjendjen e tij dhe se si po e keqtrajtonte fqinji. Atëherë njerëzit filluan ta mallkojnë atë, derisa erdhi tek ai fqinji dhe i tha: “Kthehu në shtëpinë tënde, se tani e tutje nuk do të shohësh diçka të keqe nga unë.”

Prandaj, nëse qëllimi nga biseda me ndonjë shok është që të sqaroni ndonjë çështje, të kërkoni dispozitë përkatëse ose edhe të merrni këshillë, atëherë është e lejuar të flasim për të keqen e dikujt. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
18.1.2009
1 “El Adab Esh-sherije”, Ibën Muflih, vëll.1, f.246.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit