4.4 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

A lejohet të shpërndash në internet ligjërata të hoxhollarëve të ndryshëm?

Më të lexuarat

Pyetja:

A lejohet të shpërndash në internet ligjërata të hoxhollarëve të ndryshëm? Gjithashtu vjen një moment që kanali në YouTube mund të monetizohet (të fitohet para prej tij, për shkak të klikimeve të shumta). A lejohet kjo gjë?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.
Në parim shpërndarja e ligjëratave, fetfave, qëndrimeve të hoxhollarëve të ndryshëm bën pjesë në porosinë e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Përcilleni nga unë (tek njerëzit) qoftë edhe një ajet të vetëm!” [1] Mirëpo kjo përcjellje e dijes i ka normat dhe etikën e saj, e sidomos kur bëhet fjalë për shpërndarjen e tyre në rrjetet e ndryshme sociale, e që duhet t’i kemi parasysh disa pika:
1. Rrjetet sociale janë thikë me dy teha; përmes tyre mund të përhapet e mira, e dobishmja, por edhe e keqja dhe e dëmshmja. Andaj nga ne kërkohet që përmes përdorimit të tehut te hajrit, t’ua ngushtojmë hapësirën artikujve të dëmshëm dhe të këqinj në këto rrjete. Kjo do të arrihej përmes dy rrugëve: Duke postuar, ngarkuar, shpërndarë sa më tepër artikujt të dobishëm dhe duke i ikur sa më tepër postimit, përcjelljes e shpërndarjes së artikujve të këqinj.
2. Shpërndarja e ligjëratave të hoxhollarëve duhet të bëhet me lejen e ligjëruesve, këtu një leje e përgjithshme nga ta, apo heshtja e tyre karshi shpërndarjes së ligjëratave të tyre, do të ishte e mjaftueshme.
3. Shpërndarja e ligjëratve duhet të bëhet me qëllim që njerëzit të përfititojnë prej tyre dhe nuk duhet të na bëjë presion sindromi i shikueshmërisë, e të postojmë gjithçka që sjellë shumë shikueshmëri (vjusa), pavarëshisht se çka përmbajnë ato.
4. Pasja kujdes që, shpërndarja e ligjëratave të caktuara nuk do të ndikojë keq te dëgjuesi/lexuesi. Ndikimi i keq i ligjëratave është mjaftë i rrezikshëm dhe ai mund të ndodh në dy raste: – Nëse në ato ligjërata ka gjëra të pavërteta, të pasakta, të keqinterpretuara, ose që bien ndesh me mësimet e fesë. Me shpërndarjen e ligjëratave të tilla do të shkaktojmë devijimin dhe keqinformormin e të gjithë atyre që i përcjellin këto ligjërata, njëherit ti do të jesh shkaktar i atij divijimi e keqkuptimi që ndërtojnë dëgjuesit e tyre. – Nëse në ato ligjërata trajtohen çështje të thella akademike, të cilat masa e gjerë nuk mund t’i kuptoj drejtë, ose do të formojë koncept jo të saktë për të. Kjo jo pse shpjegimi i çështjeve të fesë bëhet në një formë para masës së gjerë, e në një tjetër para elitës, porse shpjegimi i këtyre çështjeve duhet të bëhet në formë të shkallëzuar, varësisht prej kapacitetit intelektuar të atyre që iu servohen; njëherë bëhet shpjegimi i çështjeve fillestare, pastaj atyre më të thella, e kështu me radhë. Në lidhje me këtë, Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të), thotë: “Nuk ke për t’i folur njerëzve për diçka që është e paimagjinueshme për kapacitetin intelektual të tyre, vetëm se i ke vendosur përballë devijimit”. Sa e sa kaosi informativ është shkaktuar tek masa e gjerë e muslimanëve, shkak i mospërfilljes së këtij rregulli madhështor. Sa e sa debatet të panevojshme e të padobishme, përçarje e armiqësi janë shkaktuar ndërmjet muslimanëve, si rezultat i mosimagjinimit të disa cështjeve nga disa besimtarë , e për shkak të mospërfilljes së këtij rregulli madhështor. Këtu hyjnë edhe debatet akademike ndërmjet hoxhollarëve, të cilat do të duhej të bëheshin në rrethe elitare, sikurkurse vepruan dijetarët e mirëfilltë gjatë historisë, e jo ato, për qëllime të caktuara, t’u servohen masës së gjerë, ku pjesa e konsiderueshme e tyre, për shkak të mos akceptimit të drejtë të debatit, ose do të ndërtojnë bindje të shtremberuara për çështje të fesë, ose për hoxhollarë. Andaj, këtu i domosdoshëm do të ishte konsultimi me njerëz kompetentë para se të bëhej shpërndarja e ligjëratave, në mënyrë që të shpëtojmë nga ky kaos.
5. Ai që dëgjon ndonjë ligjëratë në YouTube dhe i mbetet diçka e paqartë, atëherë ky ose duhet ta qartësojë atë çështje me ndonjë hoxhë, ose nuk duhet të flas për të, përderisa nuk e ka të qartë sa duhet. Ndërsa sa i përket fitimit material që arrihet si rezultat i shikimeve të ligjëratave në Youtube, nëse ato ligjërata janë të dobishme dhe shpërndarja e tyre është bërë në përputhje me rregullat që u përmendën më lartë, është fitim hallall dhe nuk ka ndonjë pengesë sheriatike. Mirëpo nëse ligjëratat e shpërndara nuk janë në përputhje me rregullat paraprake, dije se je duke fituar mbi kurrizin e devijimit të njerëzve.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

——————————–

[1] Buhariu

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit