Pyetja:
Në ditët e sotme ka kanale që janë bërë të njohura, të cilat pretendojnë se shërojnë njerëzit nga magjitë e ndryshme dhe magjia e zezë (sihri), duke gjetur emrat e nënave të tyre dhe informacione për personin e prekur. Ata gjithashtu pretendojnë se kanë njohuri për të ardhmen përmes astrologjisë, ose kështu pretendojnë ata. Cili është vendimi i shikimit të këtyre kanaleve?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, bekimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që e ndjekin udhëzimin e tij. Për të vazhduar…
Ajo që transmetojnë këto kanale për njohjen e magjisë (sihrit), sharlatanisë dhe fallit janë nga të këqijat, më të rëndat dhe nga ligësitë më të mëdha dhe që i çorienton njerëzit.
Këto janë çështje që bazohen në gënjeshtra, trillime dhe pretendime se kanë njohuri për të padukshmen përmes asaj që pretendojnë se bëjnë duke shikuar yjet, siç thonë ata, ose nga ajo që marrin nga familjarët e tyre në mesin e shejtanëve të xhinëve, edhe pse ata mund të mos ketë njohuri për këto çështje djallëzore; përkundrazi ata i bëjnë këto pretendime të rreme për të fituar para. Askush nuk mashtrohet me këto gjëra, përveç injorantëve, të shkujdesurve dhe atyre që kanë besim të dobët. Allahu e ka dënuar artin e magjisë ose magjinë e zezë (sihrin) dhe praktikuesit e saj dhe fallxhorët, siç thotë Ai, qoftë i Lartësuar:
“.. e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.” (TaHa, 69)
“E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejën e All-llahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit).” (Bekare, 102)
Dhe Allahu thotë në lidhje me magjistarët e faraonit:
“Musai u tha: “Kjo që e sollët ju tash, vërtet është magji!” Po All-llahu do ta asgjësojë këtë, sepse All-llahu nuk e përkrah veprën e të prishurve. ” (Junus, 81)
Është vërtetuar në Sahih Muslim se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush shkon te një falltar dhe e pyet për ndonjë gjë, atij nuk i pranohet lutja për dyzet ditë”. Në “Es-Sunen” thuhet: “Kushdo që shkon te një fallxhor dhe e pyet atë për ndonjë gjë dhe i beson asaj që thotë ai, ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit ﷺ.” Pavarësisht nëse pyetësi i shkon personalisht apo i thërret në telefon, vendimi është i njëjtë.
Bazuar në këtë, duhet pasur kujdes nga shikimi i këtyre programeve, sepse shikimi i tyre qoftë edhe vetëm për argëtim, është haram. Për sa i përket kontaktimit me prezantuesit e këtyre programeve dhe pyetjeve ndaj tyre, vlen paralajmërimi i lartpërmendur. Kryefamiljarët duhet t’i pengojnë familjet e tyre që të shikojnë programe të tilla ose të kontaktojnë me këta praktikues të magjisë dhe sharlatanë.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është në pozitë të mirëbesimit dhe është përgjegjës për atë që i është besuar…” Dhe ai ﷺ tha: “Kush prej jush sheh një vepër të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij [duke vepruar]; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij [duke folur]…”
Muslimanët duhet të këshillojnë njëri-tjetrin, të kenë kujdes dhe t’i këshillojnë të tjerët që të mos kontaktojnë këto kanale, qëllimi kryesor i të cilave është fitimi i parave, qoftë edhe me mjete haram. Në fakt, shumica e tyre synojnë të shkaktojnë ligësi dhe korrupsion. Pra, ne themi: Allahu na mjafton dhe Ai është Rregulluesi më i mirë i çështjeve tona.
Komisioni: Shejh ‘Abd er-Rahman ibn Nasir el-Barrak; Shejh ‘Abdullah ibn ‘Abd er-Rahman el-Xhibrin; Shejh ‘Abdul-Aziz ibn ‘Abdillah er-Raxhihi.
Burimi: islamqa.com