Pyetja:
A lejohet të lutemi “O Allah më fal një djalë!”?
***
Përgjigjja:
Natyrisht se kjo lejohet ngase nuk ka ndalesë për kërkimin e fëmijës së gjinisë mashkullore. Por ajo që ndalohet është urrejtja e gjinisë femërore.
Andaj ne kemi edhe pejgamber të cilët përmenden në Kuran të cilët i kanë bërë dua Allahut, që Allahu Fuqiplotë të u dhuroj djemë. Dhe nuk ka asnjë ndalesë fetare që ta lusim Allahun që Allahu dikujt t’i dhuroj djalë. Por ajo që ndalohet është të urrehen femrat.
Në rast se Allahu nuk ta pranon duanë nuk duhet të prekemi nga kjo dhe ta ndjejmë vetën të nënçmuar pse Allahu të ka dhënë fëmijë femër. Kjo ngase është cilësi e mushrikëve të Mekës që Allahu për ta thotë në Kuran: “E kur ndonjëri prej jush lajmërohet me (lindje të vajzës) atë që ia pat përshkruar Zotit shembull, fytyra e tij nxihet dhe i zihet fryma.” (Zuhruf, 17)
Ne themi se edhe djali edhe vajza janë të duhur në shoqërinë islame dhe prej tyre formohet shoqëria. Ajo që është me rëndësi është që ata të jenë të devotshëm, të sinqertë, e besimtarë të mirë, nuk është me rëndësi gjinia e tyre. Por edhe nëse dikush anon nga gjinia mashkullore dhe ka dëshirë të ketë fëmijë të gjinisë mashkullore lejohet që të bëjë dua që Allahu Fuqiplotë t’i dhuroj fëmijë mashkull.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Muharem Ismaili