Pyetja:
Thuhet në një hadith se Aisheja ka qenë e shtrirë në shtrat dhe Pejgamberi ﷺ është falur para saj. Si qëndron kjo mesele dhe pse ne nuk lejohet tani të falemi kur kemi njerëz përpara?
***
Përgjigjja:
Falenderojmë Allahun e Madhëruar dhe i çojmë selam Pejgamberit të bekuar ﷺ.
Hadithi i cekur është i saktë, ku Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha e shtrirë si xhenazja (këtë shprehje ka përdorur ajo) para tij (Pejgamberit ﷺ), e kur ai binte në sexhde më prekte pak dhe unë i mblidhja këmbët dhe kur ngritej në këmbë, i shtrija këmbët përsëri.” [1]
Ka shumë dobi nga ky hadith duke filluar nga rëndësia e namazit të natës që Pejgamberi ﷺ e ka praktikuar. Pastaj kuptohet gjithashtu se dhoma e Aishes e që njëkohësisht ka qenë edhe e Pejgamberit ﷺ ishte shumë e vogël saqë kur binte njëri në sexhde është dashur tjetri që ka qenë shtrirë t’i mbledh këmbët sepse e pengonin.
Gjithashtu përfitohet se femra nuk e prishë namazin nëse të del përpara dhe askush tjetër nuk ta prishë namazin nëse të del përpara, e kjo është edhe përgjigjja e Aishes karshi atyre sahabëve që kanë thënë: “Namazin ta prishin tri gjëra: kalimi i gruas përpara; kalimi i qenit përpara dhe kalimi i gomarit.”
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Çudi puna e juaj, ne (gratë) e prishim namazin? Unë isha e shtrirë dhe Pejgamberi ﷺ falej e kur binte në sexhde më prekte dhe unë i mblidhja këmbët.”
Kështu nëse gruaja do e prishte namazin, do ia prishte Pejgamberit ﷺ Aisheja.
Sa i përket kalimit të gomarit, Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Ishte Pejgamberi ﷺ në Mina duke u falur në kohën e haxhit dhe unë i hipur në gomar kalova para safave të tyre, dhe askush nuk më tërhoqi vërejtjen.” Domethënë se nuk e prishë namazin as kalimi i gomarit.
Kurse për kalimin e qenit përpara gjatë namazit, veçanarisht qeni i zi ngase ka hadith që thotë: “Qeni i zi është shejtan.”
Për këtë arsye nuk lejohet të mbahet qeni i cili është tërësisht i zi, pa asnjë shenjë me ngjyrë tjetër. Sipas ulemave arsyeja se pse e kanë përmendur veçanarisht qenin e zi është sepse ai të trishton dhe trishtimi ta humb koncentrimin e kështu të gabosh në namaz. Përndryshe as kalimi i qenit nuk ta prishë namazin.
Sa i përket pyetjes që është thënë se pse tani nuk lejohet të falemi kur kemi njerëz përpara dallojnë rastet kur nuk ke hapsirë shembull sikurse dhoma e Pejgmaberit ﷺ dhe tjetër kur dikush të kalon përpara me qëllim. Përndryshe nuk prishet namazi nëse të kalon dikush përapara Pejgamberi ﷺ nuk ka thënë se të prishet namazi por në hadithin e Ebu Hurejrës ka thënë: “Sikur ta dinte njeriu se çfarë gjynahi ka të i dal tjetrit përpara gjersa është duke falur namazin, më lehtë do kishte pranuar me qëndru 40 ditë në vend sesa t’i dal atij përpara.”
Transmetuesi ka thënë: “Nuk e di se a ka thënë 40 ditë, javë, muaj apo vite.”
Pra ti hyn në gjynah nëse i del përpara por atij nuk i prishet namazi. Kështu që namazin nuk e prishë çfarëdo që të kalon përpara, por ai që të kalon përpara ka gjynah. Andaj ne kur falemi është sunet të kemi një sutre (diçka që e vendos përpara) shembull një gotë me ujë dhe e lë hapsirë sa një dele, dhe para gotës në këtë rast edhe nëse kalon dikush nuk prishë punë.
Abdullah ibn Omeri kur nuk gjente ndonjë shkop apo diçka për të vendosur përpara, i thoshte nxënësit të tij: “O Na’afik kthema shpinën sepse dua të falem.”
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————-
[1] Buhariu