Martesa me kohëzgjatje të paracaktuar (El Mut’a)
Transmetohet se Abdullah ibën Umeri ka thënë: “Kur Umer ibën Hatabin e caktuan prijës të besimtarëve, ai u mbajti njerëzve një ligjëratë, ku ndër të tjera tha: ‘I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na e lejoi martesën me kohëzgjatje të paracaktuar (el mut’a) për tre (vjet), mbas kësaj ai e ndaloi atë. Betohem për Allahun, se nuk bën martesë mut’a ndonjëri nga ju, e duke qenë i martuar (muhsin), veçse do ta vras me gurë, përveçse nëse ai vjen me katër dëshmitarë e të dëshmojnë se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e lejoi atë pasi e kishte ndaluar’.”
El Mut’a është lidhja e martesës duke paracaktuar kohëzgjatjen e saj, një ditë, dy, tre…, kundrejt një pagese të përcaktuar paraprakisht të cilën burri ia jep gruas.
Duke u nisur nga argumenti i mësipërm, bëhet e qartë se për martesën e përkohshme zbatohet dënimi i përcaktuar për imoralitetin.
Transmeton Abdurrazaku në “El Musanef” se Selimi ka thënë: “Ibën Umerit i thanë se Ibën Abasi e konsideronte të lejuar martesën e përkohshme.” Ibën Umeri tha: “Nuk besoj se Ibën Abasi e ka thënë atë!” Thanë: “Po po, betohemi në Allahun që ai e lejon!” Tha: “Pasha Allahun, ai nuk do të guxonte ta thoshte këtë në kohën e Umerit, e sikur ai të ishte gjallë, do t’iu ndëshkonte për të. Unë nuk di që ajo të konsiderohet ndryshe, përveçse imoralitet.”
Transmeton Said ibën Mensuri nga Hisham ibën Urve se babai i tij ndalonte rreptësisht nga martesa me kohë të paracaktuar. Ai thoshte: “Ajo lloj martese është kurvëri në plot kuptimin e fjalës!”
Autor
Ahmed ibën Hasen en Nehari
nga libri Gjynahu i kobshëm IMORALITETI