-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

A lejohet hyrja në xhami për femrat me menstruacione?

Më të lexuarat

Pyetja:

A lejohet me shku në xhami në xhuma p.sh me dëgju hutben apo nëse ka ndonjë ligjëratë tjetër? Se është bërë polemikë e madhe në mes xhematit, disa e lejojnë e disa e ndalojnë dhe nuk cekin argumente.

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket hyrjes në xhami për gratë që janë me menstruacione, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre. Sipas mendimit të dijetarëve të katër medhhebeve, nuk lejohet që femra duke qenë në atë gjendje të hyjë dhe të prezentojë në xhami. Ndërsa sipas Ibn Hazmit dhe disa dijetarëve të tjerë, lejohet për femrën një gjë e tillë.

1. Dijetarët të cilët e ndalojnë këtë, bazohen në disa argumente. Prej tyre:

Thotë Allahu: “O ju që keni besuar, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, deri sa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhunubë (të papastër) derisa të pastroheni..” (Nisa, 43) E qëllimi i fjalës namaz në këtë ajet, nënkupton vendin ku falet namazi.

Thotë Pejgamberi ﷺ: “Unë nuk lejoj të hyjë në xhami ajo që është me hajd (menstruacione) dhe ai që është i papastër”. [1]

Gjithashtu Umu Atijeh thotë se: “Pejgamberi ﷺ urdhëroi që edhe gratë me hajd (menstruacione) të dalin në namazin e Bajramit, që të prezentojnë në hajr dhe në lutjet e muslimanëve, vetëm se të largohen nga vendfalja e namazit”. [2]

2. Ndërsa dijetarët që e lejojnë këtë, i kundërshtojnë këto argumente duke thënë:

Ajeti në të cilin Allahu thotë: “mos iu afroni namazit”, e ka fjalën për vetë namazin dhe jo për vendin ku falet namazi, andaj nuk mund te merret si argument për të ndaluar hyrjen apo qëndrimin në xhami. Ndërsa hadithi i cili thotë se: “Unë nuk lejoj të hyjë në xhami ajo që është me hajd (menstruacione)..”, është hadith i dobët dhe nuk merret për argument.

Gjithashtu hadithi i Umu Atijes i cili thotë për gratë me hajd: “vetëm se të largohen nga vendfalja e namazit”, nënkupton largimin e tyre nga falja e namazit, e jo nga vendi i faljes së tij. Ngase dihet fare mirë se Pejgamberi ﷺ dhe sahabët e kanë falur Bajramin në vend të hapur dhe jo në xhami dhe nëse gratë janë urdhëruar të largohen prej atij vendi, atëherë ku është dashur të shkojnë? Apo mund të ndalohet për to qëndrimi në një pjesë të tokës e cila nuk është xhami dhe të lejohet qëndrimi në një pjesë tjetër e cila gjithashtu nuk është xhami? Një gjë e tillë është e pakuptimtë.

Gjithashtu dijetarët e këtij mendimi bazohen në disa argumente. Prej tyre:

Esenca e çështjes së prezentimit në xhami, e cila është e lejuar për të gjithë. Dhe përderisa në esencë lejohet një gjë e tillë, patjetër duhet të ketë argument të qartë dhe të vërtetë për ndalimin e kësaj. E që argumenti i tillë nuk ekziston.

Transmeton Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një grua e quajtur Velidete Seuda’ ishte nga një fis arab, të cilët e liruan atë, e ajo erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe e pranoi Islamin. E pastaj, banonte në xhami”. [3] E duke e ditur se gratë kanë kohën e caktuar të menstruacioneve, kjo grua nuk u urdhërua të del prej xhamie edhe gjatë asaj kohe. E që nënkupton se lejohet qëndrimi në xhami edhe duke qenë me hajd.

Transmeton Ebu Hurejrah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një grua banonte në xhami. Kur vdiq, Pejgamberi ﷺ pyeti për të.. (deri në fund të hadithit)”. [4] E kjo grua, përderisa ka banuar në xhami, padyshim që ka pasur kohë të menstruacioneve, e që Pejgamberi ﷺ nuk e ka urdhëruar që gjatë kësaj kohe të del dhe të banojë diku tjetër jashtë xhamisë.

Gjithashtu është vërtetuar se Pejgamberi ﷺ kishte futur në xhami idhujtarë dhe i kishte lidhur ata. E si mund të lejohet që idhujtari të hyjë në xhami, duke qenë i papastër me papastërtinë e shirkut, e të ndalohet muslimani i cili ka papastërti trupore?!

Kështuqë, duke pasur parasyshë argumentet e të dy palëve të dijetarëve, përfundimisht themi se lejohet hyrja në xhami për atë që është me menstruacione dhe se argumentet për të ndaluar një gjë të tillë nuk janë të mjaftueshme. Ky është mendimi me të cilin e adhurojmë Allahun, duke mos pasur për qëllim shtuarjen e polemikës në mesin e vëllezërve dhe motrave. Dhe përderisa ka mospajtime në mesin e dijetarëve, nuk jemi ne ata që mund t’i sjellim ata në një mendim të njëjtë, apo të mohojmë ekzistimin e njërit mendim duke pranuar mendimin tjetër.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

————————————————————–

[1] Transmeton Ebu Davudi dhe Bejhekiu.

[2] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3] Transmeton Buhariu.

[4] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit