-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

A lejohet hipnoza në Islam?

Më të lexuarat

HIPNOZA NGA KËNDVËSHTRIMI ISLAM – NDËRMJET LEJIMIT DHE NDALIMIT

Të flasësh për hipnozën dhe se çfarë dispozite mban Islami ndaj kësaj problematike, duhet qasje e shumanshme dhe njohuri të hollësishme, si në lëmi të ndryshme të fesë, ashtu edhe njohuri të përpikta në lëmin e psikologjisë (ose së paku të dhëna të sakta dhe të qarta); prandaj edhe është vështirë të jepet ndonjë përkufizim I qartë dhe i prerë në këtë, nëse është e lejuar ose jo.
Ajo që e koklavit çështjen edhe më shumë, është edhe fakti se ka shumë paqartësi dhe mjegullina rreth hipnozës dhe metodave të cilat aplikohen, prandaj edhe disa studiues e trajtojnë këtë si “pseudoshkencë”, apo flasin për hipnozën duke e radhitur atë si problematikë të “parapsikologjisë1”, e cila shpesh bie ndesh me gjykimin se mund të vështrohet si shkencë2. Ky është edhe shkaku, siç do të shohim edhe në vijim, përse disa dijetarë Islamë janë më të prerë për sa i përket ndalimit të saj, duke u ndalur kryesisht edhe në faktin se hipnoza është edhe metodë manipulimi i magjistarëve në realizimin e pikave në shfaqjet e tyre dhe e fallxhinjve për të arritur përfitime materiale.
Prandaj, duke i pasur parasysh këto që u thanë, ne do të mundohemi t`i pasqyrojmë disa njohuri të përgjithshme rreth hipnozës dhe metodave që kanë të bëjnë me të, më pastaj do të mundohemi t`I qasemi asaj nga këndvështrimi i Islam, duke përcjellë mendimet e dijetarëve Islam bashkëkohor që kanë folur në lidhje me të.

1. Njohuri të përgjithshme rreth hipnozës

a) Përkufizimi i Hipnozës:
Fjala hipnozë (hypnos) rrjedh nga greqishtja e vjetër dhe do të thotë “gjumë”. Shoqata e Mjekëve Britanikë e përkufizon hipnozën si “Gjendje kaluese e kujdesit të zvogëluar të pacientit, gjendje në të cilën mund të shfaqen paraqitje të ndryshme personale ose të provokuara nga rrethi i jashtëm”. Kurse prof. Ҫarls Mater, I Universitetit të Majamit, thotë: “Hipnoza është gjendje e ndryshueshme e vetëdijes, të cilën e karakterizon
rritja e përqendrimit, rritja e relaksimit dhe rritja e sugjestionit”.

Me fjalë tjera hipnoza është gjendje e veçantë e vetëdijes, e nënshtresave të psikes të vëna në lëvizje dhe e përqendrimit të vëmendjes, shpesh në mënyrë të paarsyeshme, të barazuar me ëndrrën. Personi i hipnotizuar bie nën ndikimin e sugjestioneve të hipnotizuesit, vetëdija e tij ndryshon, sepse bëhet plotësisht e kufizuar në atë çfarë hipnotizuesi flet dhe sugjeron; të gjitha përmbajtjet e tjera shqisore dhe të gjitha mendimet janë të
eliminuara.

b) Hipnoza dhe gjumi:
Në kohët e mëhershme, hipnoza është konsideruar si një lloj gjumi3, pasi personi i hipnotizuar duket sikur gjendet në ndonjë ëndërr, por shumë studiues bashkëkohorë e mohojnë një gjë të tillë. Ata theksojnë se gjurmimet më të reja kanë treguar se ky krahasim me ëndrrën nuk është i drejtë. Matja e valëve trunore ka treguar se personi në hipnozë i ngjan më shumë njeriut në gjendje të zgjuar, të shtensionuar, sesa njeriut në ëndërr të vërtetë. Pos kësaj, vëmendja gjatë kohës së ëndërrimit humbet, kurse në hipnozë është veçanërisht e shprehur. Paskëtaj, në gjumin normal pacienti nuk merr përshtypjet e jashtme, ndërsa në gjumin hipnotik dëgjohen edhe pëshpërimat më të vogla. Për këtë, ata mohojnë që hipnoza të jetë gjumë dhe të quhet ashtu; ata thonë se hipnoza është një lloj transi (ekstaze, shkëputje nga bota konkrete), dhe shfaqet disa shkallë ose nivele.

c) Hipnoza dhe magjia (sihri):
Disa që flasin rreth hipnozës vërtetojnë që ajo të jetë lloj magjie (bashkëpunimit me xhin), madje, e njohur qysh në kohët e hershme. Ata thonë se ajo është e përafërt me ritet vudu (lloj magjie), kurse Budizmi e praktikon hipnozën për të arritur gjendjen e Nirvanës. Sido që të jetë,mund të thuhet se mënyra se si sillet personi i hipnotizuar dhe forma se si I pranon urdhrat nga hipnotizuesi (nuk gabojmë nëse themi edhe se si i nënshtrohet), jep të kuptohet se hipnoza dhe magjia kanë të përbashkët disa gjëra, apo së paku ngjasojnë mes njëra-tjetrës. Prandaj, disa nga dijetarët Islamë, të cilët kanë folur rreth hipnozës, kanë qenë shumë të prerë në ndalimin e saj dhe e kanë konsideruar lloj magjie.

d) Vetëdija dhe ndërdija:
Ata që flasin rreth hipnozës thonë se njeriu, në jetën e përditshme e normale nuk shfrytëzon maksimumin e aftësive psikike dhe fuqive fizike që zotëron. Prandaj theksojnë se, personaliteti I secilit njeri mbart në vetvete një grumbull të fshehtash që bartësi (njeriu) nuk I kupton, as i njeh edhe vetë. Me anë të hipnozës arrihet të depërtohet në ndërdijen e njeriut. Hipnotizuesi arrin të vendosë në lëvizje këto mundësi të fshehta, duke e bërë pacientin (personin e hipnotizuar) të përballojë gjërat që nuk do t’I përballonte dot në rast se ndodhej në gjendje normale, siç janë: dhembjet e mëdha, sëmundjet, traumat e ndryshme, peshën e lartë (është e mundur që mbi të të vendoset peshë jashtëzakonisht e madhe dhe ai mos ta ndiejë atë) dhe gjëra tjera.

e) Hipnoza dhe mjekësia:
Në fushat e ndryshme të mjekësisë, hipnoza është e njohur si metodë që mund të shfrytëzohet në mjekimin e disa vështirësive psikike (hipnoterapia), por edhe sëmundjeve organike. Me anë të hipnozës mund t’I sugjerohet pacientit se vështirësitë e tij do t’i pushojnë dhe ato të paktën për një kohë mund të ndërpriten.
Hipnoza shfrytëzohet edhe në mjekimin e sëmundjeve të pastra organike, si mjekimin e tensionit të gjakut, disa sëmundje të tjera të zemrës dhe të enëve te gjakut, astma bronkiale, si dhe anestezitë me rastin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Po ashtu, është i njohur përdorimi i hipnozës në mjekimin e dhembjeve të kokës, në stomatologji, në mjekimin e alkoolistëve dhe të narkomanëve, në mjekimin e belbëzimit etj.

f) Hipnoza dhe rreziku:
Në shumë vende perëndimore hipnoza u lejohet vetëm mjekëve psikologë, sepse, nëse ndodh diçka ndryshe nga ajo që hipnotizuesi kishte menduar (aq më tepër te personat që ndikohen shpejt) mund të ketë pasoja të rënda psikopatologjike. Hipnotizuesi duhet patjetër ta nxjerrë nga ajo gjendje personin e hipnotizuar dhe në qoftë se nuk ndodh kjo, atëherë ka mundësi të ndodh katër orësh që mbaroi emisioni. Në Angli, të gjithë personat që dinë të hipnotizojnë kanë certifikatë të veçantë dhe, në qoftë se nuk e zotërojnë një të tillë dhe merren me hipnotizim, dënohen me ligj.

2. Hipnoza nga këndvështrimi Islam:
Gjërat të cilat u cekën më lart ishin informacion që plotëson njohuritë tona rreth hipnozës dhe metodave të saja, në vazhdim do të sjellim qëndrimet e dijetarëve rreth kësaj problematike. Nëse përcjellim thëniet e dijetarëve Islamë rreth hipnozës, por edhe të studiuesve e hulumtuesve të cilët e kanë trajtuar këtë nga këndvështrimi islam, shohim se mendimet e tyre dallojnë varësisht se si i janë qasur çështjes, apo edhe në çfarë konteksti u janë drejtuar atyre pyetjet.
Kështu, e shohim se kur disave u është drejtuar pyetja rreth hipnozës, duke e ngjasuar atë me magjinë (bashkëpunimin me xhin) ose duke treguar format e keqpërdorimit të cilat ndodhin, përgjigja ishte se ajo është e ndaluar, madje është llogaritur edhe shirk. Në anën tjetër, disa të tjerë që kanë pasur pikënisje trajtimin e hipnozës si metodë e njohur në mjekësi, janë më liberalë,
pasi që shihet se ata i kanë bërë qasje tjetër kësaj problematike. Në vazhdim do të përcjellim disa fetva, të cilat kanë pasur pikënisjet e lartpërmendura kur janë dhënë: Fetvaja e komisionit të përhershëm për fetva Komisioni i përhershëm për fetva I Arabisë Saudite4 në fetvanë numër 1779 I përgjigjet një letre që është dërguar nga një person. Pyetësi i bën tri pyetje të përbashkëta; pyetja e parë ka të bëjë rreth magjisë dhe bashkëpunimit me xhin. Pyetja e dytë rreth hipnozës dhe e treat rreth një thënieje, a është lloj shirku, apo jo.

Pyetësi i shtron këto pyetje:
Ҫfarë është qëndrimi i Islamit rreth kërkimit të ndihmës nga xhinët për të arritur në njohjen e fshehtësive sikurse magjia dhe falli?
Ҫfarë është dispozita e Islamit rreth Hipnozës me anë të së cilës arrin mundësinë personi i cili e bënë këtë t’I flasë atij në gjumë. Në këtë formë arrin ta mbizotërojë atë dhe ta urdhërojë në lënien e gjërave të shëmtuara (të ndaluara) ose të shërohet nga ndonjë sëmundje psikike ose edhe të kryejë ndonjë punë të cilën e kërkon personi i cili e hipnotizon atë?
A lejohet të themi në Islam “për hir të filanit”, a është ky një lloj betimi, apo jo?

Nga frika e zgjerimit, ne do të sjellim vetëm përgjigjen e dytë, që ka të bëjë me temën tonë:

Përgjigje:
b) “Hipnoza është lloj i magjisë me të cilin përdoret xhini, i cili arrin ta
detyrojë personin e hipnotizuar t’I nënshtrohet hipnotizuesit. Kështu, personi i hipnotizuar flet me gjuhën e xhinit dhe i jep atij fuqi në kryerjen e disa veprave që kërkon hipnotizuesi. Kjo ndodh pasi hipnotizuesi është një person që është i sinqertë me xhinin dhe ai për këto shërbime (që xhini t’ia realizojë) kryen disa vepra me të cilat i afrohet xhinit. Me këtë, xhini e bën personin që hipnotizohet t’i nënshtrohet dhe të bëjë vepra që i kërkohen atij. Në këtë mënyrë shfrytëzohet hip-noza dhe shndërrohet në taktikë ose mjet me të cilin arrihet të gjendet vendi isendit të vjedhur, ose të humbur, ose shërimin e të sëmurit, ose në kryerjen e çfarëdo pune. Kjo është e ndaluar dhe llogaritet prej shirkut ashtu si u sqarua më lart, sepse nënkupton se kërkon mbështetjen e dikujt tjetër përveç Allahut dhe kjo është jashtë përcjelljes së shkaqeve dhe arsyeve (sebepeve) të zakonshme të cilat Allahu ua mundësoi dhe lejoi njerëzve t’i përcjellin.”
Nga kjo përgjigje shohim se hipnoza jepet e ndërlidhur në të gjitha aspektet si bashkëpunim me xhin. Fetvaja e dijetarit të mirënjohur Abdullah Xhibrin, Allahu e ruajt, rreth hipnozës: Me një rast është pyetur njëri nga dijetarët më të vjetër të kohës sonë, shejh Abdullah b. Xhibrin (Allahu e ruajt)
rreth hipnozës dhe ai u përgjigj: “Vërehet se hipnoza është formë e mpirjes që i bëhet njeriut, sikurse anestezia (në mjekësi), që mpin ndjenjat e njeriut.Nuk mbaj në mend ndonjë thënie të fukahave rreth saj. Por, pasi në disa raste mund të jetë e dobishme, qoftë në kryerjen e ndonjë operacioni ose diç të ngjashme,është e lejuar. Nga ana tjetër, nëse qëllimi I hipnozës është mpirja ose humbja e vetëdijes që të synohet me këtë dëmtimi i personit të hipnotizuar,si marrja e pasurisë ose diç e ngjashme,atëherë kjo është e ndaluar (haram).5”
Mendimi i dr. Abdurrahman El-Xheri në lidhje me Hipnozën Dr.Abdurrahman El- Xheri është ligjërues në Universitetin e Mbretit Halid në qytetin e Rijadit dhe në faqen elektronike ëëë.islamtoday.net në rubrikën “Mjekësia dhe shëndeti” u përgjigjet pyetjeve të lexuesve të kësaj faqe.Ai, në këtë faqe u pyet rreth hipnozës kështu:

Pyetja: Ҫfarë dispozite Islame ka hipnoza, e cila përdoret në mjekësi për shërim , duke qenë se mësimi rreth hipnozës është pjesë e plan programit mësimor në fakultetet e mjekësisë?

Kohë më parë, më ka rastisur të lexoj një fetva se është haram, për shkak se ka lidhje me xhinët.Gjithashtu,kam lexuar për këtë formë të shërimit shumë dhe nga ajo që kam parë ishte se kjo ka lidhje me aspektin psikik të njeriut dhe nuk ka të bëj me magjinë dhe xhinët?

Përgjigja:
Rreth kësaj mund të përgjigjemi në disa pika:
1. (Pika e parë ka të bëjë me emërtimin e hipnozës në gjuhën arabe dhe se cili term është më adekuat të përdoret.)

2.Disa fetva që janë dhënë rreth hipnozës kanë pasur pikënisje aplikimin jo të drejtë të hipnozës dhe këto praktika nuk hyjnë në domethënien e hipnozës. Të informohemi rreth gjërave të fshehta (gajbin), përdorimi i xhinëve (nëpërmjet hipnozës) dhe magjia;këto gjëra i mohojnë ata mjekë dhe specialist që e praktikojnë hipnozën si metodë shërimi.

3. Hipnoza është një fushë shkencore e njohur, që luan rol në shërimin e sëmundjeve të përcaktuara. Ajo ka rregulla, baza dhe arrin suksese të
njohura mjekësore.

4. Me hipnozë arrihet të bindet I sëmuri në përdorimin e shërimit, në rast se ky e refuzon në rrethana të rëndomta.Gjithashtu,me këtë arrihet që te i sëmuri të ngulisim një bindje të re pozitive për ta tejkaluar botëkuptimin
negativ që kishte më parë.

5. Ekzistojnë disa praktika që janë përzierë me hipnozën që aplikojnë disa. Këto praktika, në vetvete përmbajnë gjëra të ndaluara (harame). Prandaj, disa nga njerëzit kanë fituar bindjen se hipnoza është e ndaluar, por ndalimi i tyre ka qenë si rezultat I këtyre praktikave të hipnozës, sikurse aplikohet kjo nëpër cirqe ku ata përdorin magjinë dhe truke të ndryshme.

6.Hipnoza,e cila trajtohet si metodë shërimi,mund të aplikohet në të mire dhe mund të përdoret në të keq.Bindja e tjetrit (të sëmurit) për një mendim ose çështje të caktuar (me anë të hipnozës), bazohet në gjykimin nëse ai mendim ose ajo çështje është e lejuar apo jo. Nëse mendimi ose çështja është e mirë, atëherë lejohet të përdoret në shërim, nëse është e kundërt, atëherë kjo nuk lejohet6”

Sqarim
Më lart theksuam se mendimet e dijetarëve dallojnë në këtë çështje varësisht nga forma se si e kanë trajtuar ata hipnozën dhe kjo u vërtetua edhe me sjelljen e disa fetvave . Pastaj, edhe vetë hipnoza, sikundërse u kuptua edhe më lart, shfaq në vetvete shumë paqartësi dhe mjegullina, prandaj këto dallime, në konsiderimin e saj si të lejuar, respektivisht të ndaluar, duhet të kuptohet drejtë, pasi ata që e kanë ndaluar, i kanë dhënë prioritet dëmeve dhe praktikave që aplikojnë magjistarët dhe fallxhinjtë, të cilët arrijnë qëllimet e tyre me anë të hipnozës. Kurse ata që e kanë lejuar me disa kushtëzime, e kanë shikuar hipnozën si metodë mjekimi.

Përfundim
Në fund të kësaj teme themi se nga mendimet e dijetarëve dhe studiuesve që kanë folur në këtë fushë, disa nga të cilat u përmendën edhe më lartë, mund të konstatojmë se hipnoza mund të ndahet në dy lloje:
Hipnoza si metodë psikike mjekësore, me anë të së cilës depërtohet në ndërdijen e njeriut dhe arrihet të bindet i sëmuri në përdorimin e shërimit, që e refuzonte në rrethana të rëndomta të tij ose me këtë arrihet që tek i sëmuri të ngulisim një bindje të re pozitive për ta tejkaluar botëkuptimin negativ që kishte më parë. Gjithashtu hipnoza me këtë përkufizim mund të përdoret edhe në shërimin e disa sëmundjeve organike, apo përdorimin e saj si anestezi, ashtu si u sqarua edhe më lart.
Metodat që aplikojnë magjistarët dhe fallxhinjtë, të cilët bashkëpunojnë me xhinët dhe shejtanët, përmes të cilave I joshin njerëzit për të arritur përfitime materiale dhe dobi personale. Kjo nuk ka të bëjë me hipnozën e njohur në mjekësi, pasi nuk është dituri e bazuar në arsyen dhe logjikën e shëndoshë dhe për këto praktika të ndaluara ka të bëjë fetvaja e Komitetit të Përhershëm për Fetva.

 

SHKRUAN: ALAUDIN ABAZI/albislam


4 Komisioni i përhershëm për fetva i Arabisë Saudite (El-lexhne Daime) është organi më i lartë shkencor për studime dhe fetva në Arabinë Saudite.

Një rast të tillë ka pasur përfundime fatale, hipnotizuesi shumë i njohur anglez Paulo Mecena pas një emisioni televiziv, ku një nga të hipnotizuarit vrau veten.
1 Parapsikologjia klasifikohet si degë e psikologjisë, e cila merret me studimin e dukurive, që janë jashtë fuqisë së të kuptuarit të shqisave tona (paranormale), ku shpesh i kalojnë edhe ligjet ekzistuese të shkencës bashkëkohore.
2 Shih p.sh. librat “Parapsikologjia” dhe “Hipnoza” nga Sabir Krasniqi.
3 Prandaj emërtimi i saj rrjedh nga fjala “hypnos”, që do të thotë gjumë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit