1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

A lejohet blerja me ankand?

Më të lexuarat

Pyetja:

Së pari, ju përshëndes e ju uroj suksese e punë të mbarë. Dua të pyes se a lejohet të blihet një send me “acotaicoin”? Me një fjalë, kush jep më shumë. Një makinë kushton 5 mijë euro, tjetri jep 6 mijë e unë i jap 6500 e kështu me radhë. Kush jep më shumë, e merr. A lejohet kjo blerje apo jo, ndoshta nuk kam qenë i qartë në pyetje, por besoj e kuptoni. Selam alejkum.

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në Islam është e njohur kjo lloj shitblerjeje, e cila quhet “Beju Muzajede”, “Shitblerja në ankand”. Definimet e fukahave rreth kësaj lloj tregtie janë të njëjta, edhe pse mund të ketë dallime në formën se si shprehen ata gjatë definimit. Tregtia me ankand është: “Shitja e një pasurie (malli) duke i ftuar të interesuarit të japin çmimin me të cilin do ta blinin atë, ku në fund i jepet e drejta e marrjes (blerjes) së mallit atij që ka dhënë çmimin më të lartë”.

Kjo lloj shitblerjeje është e lejuar dhe prej argumenteve që cekin ulematë për këtë është hadithi të cilin e transmeton Enes Ibën Maliku, ku thotë: “Muhamedi salallahu alejhi ue selem me një rast ka shitur një shtrojë (një lloj materiali i cili mund të përdorej për të mbuluar trupin, ose për ta shtruar në tokë) dhe një enë duke thënë: `Kush dëshiron ta blejë këtë shtrojë dhe këtë enë?` Njëri nga ata që ishin prezent tha: `Unë do t`i marr (blej) për një dërhem.` Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: `Kush po jep më shumë se një dërhem?` Një person tjetër i dha dy dërhemë dhe i Dërguari salallahu alejhi ue selem ia shiti atij.” (Shënon Tirmidhiu dhe e cilëson Hasen).

Kasaniu, i cili është nga dijetarët hanefi, kur flet rreth këtij hadithi thotë: “Po të ishte e urryer kjo lloj shitblerjeje, nuk do të shiste Resulullahu salallahu alejhi ue selem në këtë formë.”

Kurse argument tjetër është edhe ajo se tregtia në ankand është një praktikë e njohur sipas së cilës kanë tregtuar muslimanët gjithmonë në tregjet e tyre. Po të ishte kjo e ndaluar, ata nuk do të vazhdonin ta bënin këtë praktikë.

Por me gjithë këtë lejim, dijetarët të cilët kanë folur rreth kësaj lloj tregtie kanë përmendur se kushtëzohet që t`u largohemi disa llojeve të mundshme të mashtrimeve, të cilat janë të pranishme në tregtitë e tilla, si:

1. P.sh. dikush paraqitet se tregon interesim për blerjen e këtij malli, ose paraqitet se është i magjepsur pas tij, kurse në realitet ai ka për qëllim mashtrimin e blerësit, që ai të mos ngurrojë në shtimin e çmimit.

2. Gjatë ankandit merr pjesë në shtimin e çmimit dikush që nuk do ta blejë mallin, por ai thotë se do ta blejë me këtë çmim, por e bën këtë me qëllim të rritjes së vlerës së çmimit.

3. Shitësi ose agjenti tregtar (i autorizuari për shitje) pretendon rrejshëm se i është dhënë çmim i caktuar me qëllim të mashtrimit të të interesuarve për blerje dhe për të përfituar në rritjen e çmimit.

4. Prej formave të reja bashkëkohore me të cilat mund të mashtrohen blerësit është edhe përdorimi i mjeteve reklamuese, si video, audio, por edhe me shkrim, ku malli paraqitet me disa veçori shumë të larta dhe joshëse, të cilat nuk korrespondojnë me realitetin e atij malli.

Kjo ishte ajo që kishte të bënte me këtë lloj tregtie. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
27.04.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit