Pyetja:
Më duhet të agjëroj për shkak të një zotimi që kam bërë. A lejohet agjërimi i tij bashkë me Ramazan?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut.
Zotimi duhet të përmbushet si një akt bindjeje dhe drejtësie, si për shembull kur njeriu zotohet të agjërojë një ose më shumë ditë, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush zotohet se do t’i bindet Allahut, le t’i bindet Atij.” [1]
Nëse zotimi përmend një kohë të caktuar, atëherë ai duhet të përmbushet në atë kohë, si p.sh. nëse një person zotohet të agjërojë tre ditë në fillim të muajit. Por nëse është e përgjithshme dhe jo e veçantë, atëherë lejohet agjërimi i tij në çdo kohë, përveç Ramazanit, ditëve të Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit (ditëve të teshrikut).
Sa i përket Ramazanit, koha tashmë është e zënë me agjërimin e detyrueshëm dhe nuk vlen të vihet ndonjë agjërim tjetër me të. Sa i përket ditëve të Bajramit dhe Teshrikut, është e ndaluar agjërimi i këtyre ditëve.
Transmetohet se Zejd ibn Xhubejri ka thënë: “Unë isha me Ibn Umerin dhe një burrë e pyeti: ‘Unë u zotova të agjëroj çdo të martë ose të mërkurë sa të jem gjallë, por kjo ditë përkoi me ditën e kurbanit.’ Ai tha: ‘Allahu ka urdhëruar përmbushjen e zotimeve dhe na ka ndaluar të agjërojmë ditën e kurbanit.’ Burri përsëriti (pyetjen e tij), dhe ai dha një përgjigje të ngjashme, dhe jo më shumë. [2]
Ibn Haxheri ka thënë: “Ka konsensus se nuk lejohet të agjërohet në ditën e Fitër Bajramit ose ditën e Kurbanit (Kurban Bajram), qoftë ky agjërim vullnetar apo në përmbushje të një zotimi.
Transmetohet nga Aisheja dhe nga Saalimi nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë) se ata thanë: “Nuk u dha asnjë lirim që na lejonte të agjëronim gjatë ditëve të Teshrikut, përveç ai që nuk mund të gjejë kurban.” [3]
Dijetarët tërhoqën vëmendjen për faktin se nuk lejohet agjërimi tjetër në Ramazan. Neveviu ka thënë: “Shafiu dhe shokët e tij (Allahu i mëshiroftë) kanë thënë: “Ramazani është vetëm për agjërimin e Ramazanit dhe nuk vlen të agjërohet asnjë tjetër agjërim (me nijet tjetër) në atë kohë. Nëse një banor ose një udhëtar ose një i sëmurë ka për qëllim të agjërojë si shlyerje ose në përmbushje të një zotimi ose një agjërimi vullnetar ose një agjërim të përgjithshëm, nijeti i tij nuk është i vlefshëm dhe agjërimi i tij nuk është i vlefshëm dhe nuk llogaritet as për çfarë ka pasur për qëllim as për Ramazan. [4]
Ibn Kudameh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në El Mughni: “Udhëtari nuk mund të agjërojë në Ramazan për diçka tjetër përveç Ramazanit, si për shembull një zotim apo shlyrje agjërimi, sepse mos agjërimi i lejohet atij si një lëshim për të që të ia lehtësojë gjërat, dhe nëse ai nuk dëshiron të përfitojë nga ai lëshim, atëherë ai duhet të bëjë atë që është përshkruar fillimisht. Nëse ai ka për qëllim të agjërojë tjetër përveç Ramazanit, agjërimi i tij nuk vlen as për Ramazan, as për atë që ka pasur për qëllim. Ky është mendimi i saktë dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.”
Ai gjithashtu ka thënë (13/645): “Nëse i betohet Allahut se do të agjërojë një muaj dhe ka për qëllim të agjërojë muajin e Ramazanit në përmbushje të zotimit të tij, kjo nuk është e pranueshme. Në mënyrë të ngjashme, nëse ai zotohet të falë dy rekate, nuk i lejohet të falë sabahun me nijetin e përmbushjes të zotimit të tij dhe për namazin e sabahut.”
Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nëse një person bën një zotim që lidhet me një kusht, ai duhet ta përmbushë zotimin kur të plotësohet ai kusht dhe të mos e vonojë atë. Për shembull, nëse thotë: ‘Nëse Allahu më shëron nga kjo sëmundje do të agjëroj për Allahun tre ditë’ dhe shërohet nga ajo sëmundje, atëherë duhet të shpejtojë në agjërimin dhe të mos e vonojë atë, sepse Allahu thotë:
“Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”! Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar. Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut.” (Teube, 75-77)
Sa i përket zotimit që nuk lidhet me një kusht, si p.sh. nëse njeriu dëshiron të agjërojë tri ditë pa arsye, atëherë duhet të nxitojë në përmbushjen e tij, por nuk është si rasti i parë. Nëse vjen Ramazani dhe ai nuk ka agjëruar, atëherë dihet se duhet të fillojë me agjërimin e Ramazanit dhe kur të përfundojë Ramazani mund të agjërojë në përmbushje të zotimit të tij. Por nëse ai agjëron në përmbushje të zotimit në Ramazan, nuk vlen as agjërimi i tij në përmbushje të zotimit dhe as agjërimi i tij për Ramazan.
Nëse njeriu zotohet të agjërojë tri ditë dhe agjëron tri ditë të Ramazanit në përmbushje të zotimit të tij, çfarë duhet të bëjë? Agjërimi i tij nuk llogaritet në përmbushjen e zotimit të tij apo për Ramazanin. Sa i përket mospërmbushjes së zotimit të tij, kjo është për shkak se koha e Ramazanit është e kufizuar vetëm për agjërimin e Ramazanit dhe ai nuk mund të agjërojë tjetër në atë kohë. Sa i përket mos llogaritjes së Ramazanit, kjo është për shkak se ai nuk ka pasur nijet për të agjëruar Ramazanin, dhe Profeti ﷺ ka thënë: “Veprat janë sipas nijet, dhe çdo njeri do të ketë vetëm atë që ai synonte.” [5]
Për ta përmbledhur: Muaji i Ramazanit është caktuar posaçërisht për agjërimin e detyrueshëm të tij dhe nuk lejohet agjërim tjetër në atë kohë, qoftë ai agjërim vullnetar apo agjërim në përmbushje të zotimit, qoftë në udhëtim apo jo. Gjithashtu nuk lejohet të bëhet nijet i kombinuar, duke synuar njëkohësisht agjërimin e detyrueshëm dhe agjërimin në përmbushje të zotimit, sepse ato janë dy adhurime të veçanta që nuk mund të bëhen me një nijet.
Bazuar në këtë, nuk është e lejuar për ju të agjëroni në përmbushje të zotimit gjatë Ramazanit.
Dhe Allahu e di më së miri.
Burimi: islamqa.com
———————————————————
[1] Buhariu (6318).
[2] Buhariu (6212).
[3] Buhariu (1998).
[4] El-Mexhmu’ (6/315).
[5] El-Lika’ El-Shahri (52/4).