9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

A lejohen jomuslimanët të hyjnë në xhami?

Më të lexuarat

Pyetje:

Dihet se, në kohën e Muhamedit ﷺ, muslimanët ishin të urdhëruar që të ndalojnë hyrjen e çdo qafiri (jomuslimani) në xhami, ndërsa sot, në kohën tonë, kjo punë ndodh shpesh, ose më mirë të them, çdo ditë xhumaje, jomuslimanët vijnë të lypin sadaka, kurse imami i xhamisë mban fjalim dhe e fton xhematin t’i ndihmojnë atij jomuslimani. Si e sheh Islami këtë punë? A lejohet hyrja e tyre në xhami?

***

Përgjigje 

Nuk është e vërtetë që në kohën e Pejgamberit ﷺ muslimanët ishin urdhëruar të ndalonin jomuslimanët nga hyrja në xhami. Përkundrazi, e kundërta është përcjellë nga vepra e Pejgamberit ﷺ dhe nga sahabët, siç ka ardhur në hadithin e nxjerrë nga Buhariu dhe Muslimi, të transmetuar nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë kalorësish në drejtim të Nexhdit, dhe, kur u kthyen, ata sollën me vete një burrë (rob lufte) nga fisi Beni Hanife, që quhej Thumame ibn Ethal. E lidhën atë në njerën prej shtyllave të xhamisë dhe Pejgamberi shkoi tek ai dhe i tha: “Çfare ke për të thënë, o Thumame?” — “Mire jam, o Muhamed” – tha ai. “Nëse më vret, vret dikë që i merret haku (nga fisi i tij) dhe, nëse bën mirë (e më lë të lirë), i bën mirë dikujt që di të falenderojë. E, nëse do pasuri, kërko sa të duash.” Pejgamberi ﷺ e la dhe iu kthye të nesermen, e i tha: “Çfarë ke për të thënë, o Thumame?” Ai iu përgjigj: “Atë që të thashë dje: nëse bën mirë, i bën mirë dikujt që di të falenderojë.” Pejgamberi ﷺ e la përseri deri të nesermen. Pastaj shkoi tek ai dhe i tha përsëri: “Çfarë ke për të thënë, o Thumame?” Ai iu përgjigj: “Atë që të thashë.” Atëherë, Pejgamberi urdhëroi: “Lirojeni Thumamen!” Atëherë Thumame shkoi te një palmë hurme afër xhamisë, lau trupin (mori gus’l), pastaj hyri në xhami dhe tha: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Allahut. O Muhamed! Pasha Allahun! Nuk kishte mbi faqen e dheut fytyrë më të urryer për mua se fytyra jote, kurse sot, fytyra jote është fytyra më e dashur për mua. Pasha Allahun! Nuk kishte fe më të urryer për mua se sa feja jote, kurse sot, feja jote është feja më e dashur për mua. Pasha Allahun! Nuk ka pasur vend më të urryer për mua sesa vendi yt, kurse sot, vendi yt është vendi më i dashur për mua…” vazhdon hadithi.

Po kështu, delegacionet që i vinin Pejgamberit ﷺ nga vendet e tjera që ende nuk ishin futur në Islam, ai ﷺ i priste në xhaminë e tij. Prej këtu, shumica e dijetarëve thonë se futja e jomuslimanëve në xhamitë e muslimanëve lejohet, por me kusht që kjo të jetë në raste nevoje, si e muslimaneve për të, ashtu edhe e atij, për shembull, për të pirë ujë në xhami, ose për t’i bërë ftesë në Islam, duke i dhënë mundësine që të shohë drejtpërdrejt namazin e muslimaneëe, të dëgjojë rreth Islamit në xhami, e kështu. Kurse për Xhaminë e Shenjtë, Qaben, shumë dijetarë e kanë ndaluar që jomuslimanët të hyjnë në të, përveç nëse merren nga muslimanët për punë dhe nëse hyjnë me lejen e muslimanëve.

Kurse në lidhje me pyetjen se a i lejohet imamit të ftojë për t’i dhënë sadaka jomuslimanit që lyp në xhami, së pari, nuk besoj që imami ta dijë se ata janë jomuslimanë dhe të ftojë për t’u dhënë sadaka atyre. Por, edhe nëse ata janë jomuslimanë, lejohet që atyre t’u jepet sadaka, sepse së pari janë qenie njerëzore dhe Allahu e ka lejuar ndihmesen e tyre, dhe, përveç kësaj, kjo sadaka mund të jetë shkak për udhëzimin e tyre në Islam. Pra, Islami është mbarënjerëzor dhe ka ardhur për të ftuar të gjithë njerëzimin që të ndjekë rrugën e drejtë të Allahut, dhe është detyrë e të gjithë muslimanëve që, sipas mundësisë së tyre, të ftojnë në Islam ata që nuk janë muslimanë, si dhe të urdhërojnë për të mira e të ndalojnë nga e keqja. Ai që sot është qafir, nesër mund të jetë musliman përkrah teje, prandaj afroni njerëzit me Islamin dhe mos u bëni shkak për largimin e tyre nga Islami, duke i trembur prej tij me sjelljet tuaja, o muslimanë! Lusim Allahun të na bëjë çelësa të së mirës dhe mbyllësa të së keqes! Allahu është Ai që i përgjigjet lutjes dhe i Plotëfuqishem për gjithçka.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit