1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

A kam bërë gjynah që kam vepruar si më lart dhe nëse mundem, a të dal në vend tjetër pune?

Më të lexuarat

Pyetja:

Jam duke punuar në zyrën e tenderëve (prokurimit) që prej pesë vitesh, por më duhet shpesh të marr pjesë në komisionet e vlerësimit të tenderëve. Nganjëherë kam presion që të vendosim për filan firmë. Nganjëherë edhe pse vendosim për më të lirin në çmim, më pas dëgjojmë së dikush brenda në institucion apo jashtë tij po përfiton shumë euro. Ne po e kryejmë procedurën dhe po më shqetëson kjo punë, prandaj pasi nuk po mundem të ndikoj që këto hajni të ndalen, po mundohem të dal e të punoj në një punë tjetër, pasi nuk po mundem t’i ndal këto hajni dhe nganjëherë jam nënshkrues i tyre kundër vullnetit tim. Pyetja ime është se a kam bërë gjynah që kam vepruar si më lart dhe nëse mundem, a të dal në vend tjetër pune?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ashtu si po e përshkruani ju situatën, kuptojmë se në ato punë realizohen allishverishe të shumta. Fatkeqësisht vjedhja dhe tradhtia më e madhe moderne që ndodh tani, jo vetëm në Kosovë por në tërë botën është metoda e marrje-dhënies së punëve e projekteve me anë të tenderëve. Pa u zgjeruar themi se Islami është fe e paqes dhe e drejtësisë dhe në asnjë formë nuk lejon mashtrimin e tradhtinë, e cila detyrimisht rezulton me padrejtësi e zullum ndaj të tjerëve.

Gjithashtu, fakt tjetër i rëndësishëm që duhet të kuptohet në tërë këtë, është edhe ajo se Islami jo vetëm që nuk e lejon njeriun të jetë mashtrues e zullumqar vetë, por e ndalon atë të marrë pjesë, pa marrë parasysh në çfarë forme në çdo padrejtësi dhe e keqe që bëhet nga dikush tjetër. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” (Maide, 2)

Prandaj ju këshillojmë që t’i ikni vendit të punës së këtillë, pasi ndoshta mund të keni përfitime materiale më të mëdha, por fitimi më i vlefshëm për çdonjërin është që ta ruajë ndërgjegjen, moralin dhe mbi të gjitha fenë e tij. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Nuk ka asnjë njeri që le ndonjë gjë për hir të Allahut, e që Ai mos t`ia zëvendësojë me diçka më të mirë se ajo që ka lënë ai.” Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
26.4.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit