3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

A ka vdekur Isai alejhi selam?

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Allahu ju shpërbleftë me xhenetin Firdeus për kanalin e mrekullueshëm që keni!
Unë kisha një debat me një vëlla musliman rreth Isait alejhi selam. Ai vëllai është (torbesh), pra e lexon Kuranin në boshnjakisht.
Pra, tema ishte se Isai alejhi selam është i ngritur tek Allahu i gjallë apo i vdekur. Unë i thashë se Isai alejhi selam është i ngritur tek Allahu (sipas Kuranit) dhe se para Kiametit do të zbresë në tokë (sipas haditheve) dhe se ne besojmë se ai është i gjallë. Ai më tregoi ajetin kuranor: “Kur Allahu tha: “O Isa, Unë po të marr ty, po të ngre tek Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan…” (Ali Imran, 55)
Kurse ajo çfarë unë kam dëgjuar është se Isai alejhi selam është gjallë dhe se do të zbresë para Kiametit për të vrarë Dexhalin (e shumë hadithe të tjera që tregojnë për zbritjen e Isait alejhi selam).
Pra, të lutem vëlla i dashur ma trego një të vërtetë me argumente se Allahu thotë: “Nëse ti nuk e di pyet ata që dinë (dijetarët)”. Tek kjo uebfaqe kam parashtruar shumë pyetje, për të cilat më jeni përgjigjur në mënyrë të mrekullueshme (të drejtë).
Cili është haku i Ehli Sunetit në këtë çështje?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Besimi i Ehli Sunetit rreth Isait alejhi selam është se atë e ka ngritur Allahu i Lartësuar me trup dhe me shpirt dhe se atë nuk e kanë vrarë e as nuk e kanë gozhduar. Allahu i Lartësuar thotë: “Po ata as nuk e mbytën (Isain) e as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan me gozhda), por atyre u përngjau.” (Nisa, 157)
Gjithashtu, Ehli Suneti beson se ai do të zbresë në fund të jetës së kësaj bote (para Kiametit) dhe do të vrasë Dexhalin, do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të anulojë xhizjen (tatimi që paguajnë jobesimtarët në shtetin islam, që të jenë të mbrojtur nga shteti) dhe nuk do të pranojë asgjë tjetër përveç Islamit. Zbritja e Isait alejhi selam është edhe një nga shenjat e Kiametit.
Për këtë që thamë më lart ka konsensus te të gjithë muslimanët e mirëfilltë të cilëve u pranohet thënia. Është një mendim i cili nuk çon peshë rreth ngritjes së Isait alejhi selam, se është ngritur lart dhe është i vdekur në një formë të caktuar, derisa të vijë prapë, por kjo nuk është e saktë dhe nuk e ka thënë askush nga imamët e Ehli Sunetit, të cilët janë të dëshmuar dhe pasohen.
Transmeton Ebu Hurejra nga i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, se ka thënë: “Nuk do të ndodhë Dita e Kiametit derisa të zbresë Isai i biri i Merjemes si gjykatës i saktë (i paanshëm) dhe udhëheqës i drejtë. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të anuloj xhizjen…” (Shënon Buhariu, Muslimi dhe të tjerë)
Kurani Fisnik tregon shumë qartë historinë e Isait alejhi selam. Në të tregohet se si se jobesimtarët planifikuan një komplot për t’ia marrë jetën atij, mirëpo dështuan. Për këtë Kurani shpall: “E, ata (jehuditë) i kurdisën një dredhi (mbytjen e Isait), Allahu iu kundërvu dredhisë së tyre, Allahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi.” (Nisa, 54)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar tregon edhe supozimin e tyre, se e kanë vrarë atë, dhe se si në mesin e tyre mbretërojnë mendime të ndryshme: “Madje për shkak të thënies së tyre: “Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të Dërguarin e Allahut”. Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij, janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë.” (Nisa, 157).  Ajeti pasues tregon shumë qartë se çfarë ka ndodhur me të: “Allahu e ngriti atë pranë Vetes. Allahu është i plotfuqishëm, i dijshëm.” (Nisa, 158)
Realiteti i shpallur në ajet është i qartë. Ata që tentuan ta vrasin Isain, nuk arritën. Shprehja “por atyre u përngjau” e shfaq këtë fakt. Zoti u paraqiti atyre dikë që i përngjante atij dhe e ngriti Isain pranë Tij. Zoti ynë gjithashtu tregon se ata që kanë pretenduar ashtu nuk kanë pasur njohuri për të vërtetën. Kurse sa i përket ajetit që përmendni ju:

إِذْ قَالَ اللهُ يَا عِيسَى إِنِّي مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِليَّ وَمُطَهِّرُكَ مِنَ الذِّينَ كَفَرُوا…

(Përkujto, o Muhamed) Kur Allahu tha: “O Isa, Unë po të marr ty, po të ngre te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t’i ngrejë lart mbi ata që nuk besuan deri në Ditën e Kiametit, pastaj vetëm tek Unë është kthimi juaj, e Unë gjykoj mes jush për atë që kundërshtoheshit.” (Ali Imran, 55)

fjala “متوفيك” -“muteveffike” në gjuhën arabe ka disa kuptime, si: gjumi, vdekja dhe marrja apo tërheqja (nxjerrja nga vendi ku është). Mufesiri i njohur, Imam Ibën Xherir Taberiu, i cili llogaritet nga komentuesit më të vjetër, përcjell shumë qartë transmetimet e selefit rreth këtij ajeti. Ai sqaron dhe përzgjedh se fjala “mutevefike”, e cila ka ardhur në këtë ajet, ka për qëllim marrjen dhe tërheqjen e Isait alejhi selam nga kjo botë dhe ngritjen e tij në qiell. Këtë e vërtetojnë edhe komentuesit të cilët kanë ardhur pas tij, si Ibën Kethiri, Kurtubiu, Shevkani dhe shumë të tjerë. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
25.4.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit