Pyetja:
Selam alejkum!
A ka të drejtë një motër ta kundërshtojë poligaminë? A ka të drejtë burri i
saj të martohet për herë të dytë pa lejen e saj?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Një nga problematikat më delikate, për të cilën ngrihet shumë pluhur, posaçërisht në kohën bashkëkohore është çështja e poligamisë, ose thënë më qartë qasja që ia bën Islami asaj. Edhe pse kemi një numër të madh të pyetjeve që presin për përgjigje, për shkak të rëndësisë do t’i themi ca fjalë rreth kësaj teme.
Qasja që i bën Islami poligamisë; që një burrë të ketë më shumë se një grua, është shumë mirë e sqaruar dhe arsyetuar duke detajuar kushtet dhe rrethanat në të cilat aplikohet kjo. Këto sqarime fillimisht bëhen në Kuran, pastaj në hadithet profetike, por ata të cilët nuk ia duan të mirën Islamit dhe muslimanëve mundohen me anë të deformimeve të këtyre mësimeve të shkaktojnë hutin në mesin e muslimanëve.
Pastaj, duhet ta dimë edhe atë se nuk është vetëm Islami që e lejon poligaminë ashtu si pretendohet, por pothuajse të gjitha fetë e lejojnë atë.
Në kohërat e hershme, të krishterëve u ishte lejuar që të martohen me aq gra sa dëshironin, për shkak se Bibla nuk ka pasur kufizime në numrin e grave. Vetëm para ca shekujsh kisha e ka kufizuar numrin e grave në një.
Në një libër të cilin e ka shkruar një prift katolik Eugen Hillman me titull: “Shqyrtimi i sërishëm i poligamisë”, ai thotë: “Askund në Dhiatën e Re nuk ekziston ndonjë urdhër eksplicit që martesa të jetë monogame, ose ndonjë urdhër eksplicit i cili e ndalon poligaminë. Në anën tjetër, Jezusi nuk është deklaruar kundër poligamisë, ndonëse hebrenjtë e komunitetit të tij e praktikonin.”
Ati Hillman ka theksuar faktin se kisha romake e ka ndaluar poligaminë për t’iu përshtatur kulturës greko-romake e cila parashihte vetëm një grua legjitime, gjersa i toleronte konkubinat dhe prostitucionin. Ai citon shën Augustinin i cili kishte thënë: “Tani në kohën tonë, me të vërtetë, duke mos u mohuar zakonet romake, nuk është më e lejuar të merret edhe një grua e dytë.”
Kisha afrikane dhe të krishterët afrikanë shpesh i përkujtojnë vëllezërit e tyre evropianë se ndalesa kishtare e poligamisë është traditë kulturore dhe jo mësim autentik i krishterë. [1]
Gjithashtu poligamia është e lejuar edhe në Hebraizëm, bazuar në ligjin e Talmudit “Abrahami (Ibrahimi)“ i ka pasur tri gra dhe “ Solomoni (Sulejmani) “i ka pasur një qind gra.”
Praktikimi i poligamisë te hebrenjtë ka vazhduar deri sa Rabini Gershom ben Jehudah (960 P.K deri 1030 E.K) e ka lëshuar një dekret kundër poligamisë. Komunitet Hebreje Sefardik që jetojnë në vendet muslimane kanë vazhduar që ta praktikojnë poligaminë deri në vitin 1950, kur në formë të aktvendimit Paria e Rabinëve Izraelit ka forcuar këtë ndalesë. Ata në formë rigoroze e ndaluan martesën me më shumë se një grua.[2]
Nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë problematikë, por themi se Islami kur e lejoi poligaminë, atëherë ai i vuri kritere dhe kondita që duhet të kihen parasysh për atë që dëshiron ta aplikojë atë. Ai person i cili i vështron ato rregulla dhe është i sinqertë, pa marrë parasysh a është musliman apo jo, do të kuptojë se është një dispozitë mjaft logjike dhe e arsyeshme, për ta mbajtur një shoqëri të pastër nga veset dhe zakonet e dëmshme, sikurse: krijimi i raporteve jashtëmartesore, përhapja e lëneshës në shoqëri (vajza të shkuara në moshë e të pamartuara), divorci i gruas për shkak të shterpësisë (sterilitetit) të saj (apo arsyeve të tjera), përhapja e prostitucionit, mbetja e grave dhe bonjakëve pa kujdestarë dhe sigurues të jetesës, etj.
Ndërsa për sa i përket pyetjes suaj, ne do të flasim duke e shndërruar atë në dy nën pyetje:
Kundërshtimi i poligamisë nga femra dhe
Kërkimi i pëlqimit të gruas së parë.
1. Kundërshtimi i poligamisë nga femra
Themi se ky kundërshtim mund të jetë në dy forma:
a) Nëse kundërshton dispozitën islame, përkatëse dhe pretendon se pligamia nuk është e drejtë, atëherë me këtë ajo mohon ajetin e Kuranit. Kjo është mjaft e rrezikshme dhe ky kundërshtim shpien në kufër (mosbesim). Kjo për faktin se ajo mohon ajetin e tretë të sures “Nisa”, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e, nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua ose me atë që e keni në pushtetin tuaj. Në këtë mënyrë do t’i ruheni padrejtësisë më lehtë.” (Nisa, 3).
Allahu i Madhëruar për refuzuesin e dispozitave të shpallura thotë:
“Ndërsa ata që nuk besojnë, do të shkatërrohen! Ai do t’ua humbë veprat atyre. Kjo për shkak se ata e urrejnë atë që ka shpallur Allahu, andaj Ai i ka zhvlerësuar veprat e tyre.” (Muhamed, 8-9)
b) Nëse në parim femra e pranon këtë dispozitë, por ajo nuk ka dëshirë që kjo t’i ndodhë asaj, me fjalë të tjera, ajo nuk ka dëshirë që burri i saj të martohet me grua të dytë, për shkak të xhelozisë ose arsye tjetër, atëherë çështja ndryshon këtu. Nuk mendojmë se ajo është mëkatare për këtë mos dëshirë, pasi në shumicën e rasteve kjo i kthehet natyrshmërisë së femrës dhe xhelozisë që ka në zemër. Zoti i Madhëruar në Kuran thotë:
“Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse ju e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare, 216)
Me këtë ajet Allahu i Madhëruar e përligji dispozitën e xhihadit, pasi që në fillim të shpalljes, kur muslimanët ishin në Meke, ata e kishin të ndaluar të luftonin.
Dijetari i mirënjohur Muhamed El Uthejmin gjatë komentimit të ajetit të sipërpërmendur thotë në thënien e Allahut “ndonëse ju e urreni (luftën)”: “Duhet ta dimë se këtu me urrejtje është për qëllim lufta e jo përligjja e dispozitës së luftës, pasi nuk mund të paramendohet që sahabët ta urrejnë një urdhër (farz) të Allahut, por ata urrejnë luftën për shkak se do vrasin dhe do të vriten.”
Prandaj nëse gruaja e urren që burri i saj të martohet për shkak të xhelozisë apo ndonjë arsye tjetër nuk mendojmë se ajo është mëkatare.
2. Kërkimi i pëlqimit të gruas së parë
Në lidhje me kërkimin e lejes nga gruaja e parë prej anës së burrit, themi se nuk ekziston ndonjë citat që e obligon këtë. Prandaj nuk është obligative të merret pëlqimi i gruas së parë për t’u martuar burri dhe kjo nuk është prej kushteve të kësaj martese. Por nga kjo nuk duhet të kuptohet se burri nuk duhet ta ketë parasysh pëlqimin e gruas së parë. Nga mirësia dhe bashkëjetesa e sinqertë e ndërsjellë është që burri ta ketë parasysh opinionin e saj dhe të mundohet ta marrë pëlqimin e saj. Burri duhet ta kuptoj se nuk konsiderohet sukses që të futet në një martesë duke e shkatërruar tjetrën. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
[1] “Femra nën mbrojtjen e Islamit”, Lais Lamya el-Faruqi, Muhamed Xh. Bahonari, Muhammed Sharif.
[2] http://majles.alukah.net/showthread.php?s=68827a291c0f2120cec5ef909cf09673&t=11228