-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

A jemi sot më humanë se në mesjetë?

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri

Miti i humanizmit të shoqërive moderne, i njohur ndryshe si miti etiologjik, ka vazhduar të gëzojë përhapje të gjerë, duke i parë të gjitha tronditjet e këtij shekulli si përjashtime, rastësore e kalimtare. Sipas këtij botëkuptimi, në thelb, qytetërimi sjell dhe ka bërë të mundur shtypjen e instiktive irracionale dhe shmangien e dhunës nga jeta shoqërore.

Zygmund Bauman thotë se ky mit është krijuar e përdorur prej kohësh nga qytetërimi modern për të legjitimuar hegjemoninë e tij hapësinore, duke e projektuar atë si një epërsi kohore. Ky qytetërim e ka artikuluar përpjekjen e tij për dominim në terma të luftës së humanizmit, arsyes, përparimit, shkencës kundër barbarisë, paragjykimeve, injorancës, magjisë dhe pasionit. Ky qytetërim identifikohet me lirinë dhe sigurinë, ku janë eliminuar e shtypur instinktet apo sëmundjet natyrore që priren drejt dhunës dhe mizorisë.

Por sipas Bauman-it ky është vetëm një iluzion. Dhuna vetëm është bërë e padukshme nga “këndvështrimi i ngushtë i privatizuar i përvojës personale”, por ajo nuk është zhdukur aspak. Ajo është mbyllur në territore të ndara dhe të veçuara, të paarritshme nga shikimi i përditshëm i anëtarëve të shoqërisë. Dhuna është përqendruar në duart e shtetit dhe institucioneve të ngritura posaçërisht për ta ushtruar atë duke pastruar ndërgjegjen e individit, i cili ndihet i liruar prej saj.

Dhuna është bërë, sipas tij, racionale, ndryshe nga ajo e shoqërive paramoderne, e cila ishte e lidhur me pasionin. Ajo ushtrohet në mënyrë të institucionalizuar, e organizuar dhe e rutinizuar, në mjedise jashtë shoqërive tona, në kohë paqeje, por ajo kërcënon të shpërthejë brenda vetë shoqërive tona, në momentin më të parë kur mund të rrëzohen barrierat shoqërore që e mbajnë nën fre.

Në të tilla raste, dhuna moderne bëhet e përbindshme, siç ndodhi në Gjermani e Rusi. Ngjarje të tilla si Holokausti dhe gjenocidi komunist, janë tregues të faktit që, përkundrazi, moderniteti e ka rritur agresivitetin e njeriut dhe potencialin e tij vrasës e shkatërrues. Të dhënat tregojnë se numri i të vrarëve që ka sjellë shekulli XX janë të pakrahasueshme me çdo epokë të mëparshme dhe kjo vjen jo dhe aq për shkak të sofistikimit të armëve vrasëse, por më shumë për shkak të vetë natyrës së modernitetit, përhapjen e ideologjive totalitare që mobilizojnë politika kriminale, si dhe, mbi të gjitha, burokratizimin dhe rutinizimin e vrasjes.

Në librin e tij “Moderniteti dhe Holokausti” Bauman ngre shqetësimin se shoqëritë tona janë të paimunizuara nga të tilla ngjarje. Sipas tij, dhuna është e brendashkruar në shoqëritë moderne dhe jo një përjashtim. Kjo do të thotë se Holokausti mund të përsëritet pasi të gjithë faktorët që e prodhuan, janë ende prezent. Racionalizimi, burokratizimi, rutinizimi i veprimtarive shoqërore, dehumanizimi, pandjeshmëria dhe mbi të gjitha, përjashtimi i referencave etike dhe zëvendësimi tyre me kodet e nderit apo parimet e që promovojnë suksesin si vlerë superiore, janë karakteristikat e një shoqërie të prirur për të krijuar kushtet e një politike gjenocidale.

Medius, nr. 1

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit