1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

A hiqen shpenzimet që janë bërë dhe nga pjesa e mbetur e grurit pastaj jepet zekati?

Më të lexuarat

Pyetja:

Eselamu alejkum! Allahu ju shpërbleftë për përgjigjen që më keni dhënë për zekatin nga rendimentet e tokës, por kam harruar vetëm edhe një gjë që do të doja të merrja përgjigje dhe që ka të bëjë me zekatin. E ajo është se unë kam dëgjuar nga disa hoxhallarë se para se të jepet zekati nga ai fitim që ka ardhur, për shembull grurë, hiqen shpenzimet që janë bërë për ta mbjellë arën, lëvruar etj., etj. Pra hiqen shpenzimet që janë bërë dhe nga pjesa e mbetur e grurit pastaj jepet zekati për të. Pra, desha të di kjo a është e saktë?
Selam alejkum nga vëllai juaj në Islam.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Është e vërtetë se një grup nga dijetarët bashkëkohorë kanë anuar nga mendimi se para se të bëhet nxjerrja e zekatit, lejohet të hiqen shpenzimet që janë bërë për ta mbjellë arën, sikurse shpenzimet e lëvrimit, blerja e farës (pasi çmimi i farës që mbillet është shumë i lartë), plehërimi, etj. Dr. Jusuf Kardavi në librin që e kishte temë të disertacionit të doktoraturës “Fikhu Zekat”, përzgjedh këtë qëndrim. Ai i kushton disa faqe kësaj problematike dhe e zbërthen shumë qartë pikënisjen e këtij mendimi dhe arsyet se pse e zgjedh ai këtë mendim. Por shumica e dijetarëve të tjerë, të vjetër dhe bashkëkohorë, theksojnë se heqja e shpenzimeve me të cilat punohet toka nuk bëhet, përveç ujitjes, pasi për këtë ka citat të veçantë. Kjo për faktin se këto harxhime apo më mirë të themi se disa nga këto harxhime ishin evidente edhe në kohën e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, sikurse lëvrimi i arës, shpenzimi për sigurimin e farës, fuqia punëtore etj., por nuk vërtetohet në asnjë shënim se sahabëve u është lejuar të bëjnë heqjen e këtyre shpenzimeve para dhënies së zekatit.

Këto janë qëndrimet e dijetarëve në lidhje me çështjen në fjalë dhe për ne është shumë vështirë të japim ndonjë konkluzion se cili nga dy mendimet do të ishte më i qëlluari, prandaj kërkojmë falje për pamundësinë e dhënies së përgjigjes së plotë. Ju rekomandojmë të kontaktoni hoxhallarë të dijshëm nga të cilët do të mund të merrni përgjigje më të qartë. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
19.9.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit