Pyetja:
A është sunet të agjërohet në muajin Rexheb?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, paqja dhe lavdërimi i Tij qofshin për të Dërguarin e Tij, Muhamedin.
Muaji Rexheb është nga muajt e shenjtë, siç i përmend Allahu i Lartësuar në Kuran, ku thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën, katër prej tyre janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj! Megjithatë, luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet“. (Teubeh, 36)
Kurse i Dërguari i Allahut ﷺ, thotë: “Vërtet, koha (vjetore) është kthyer në atë gjendje siç kur i krijoi Allahu qiejt dhe tokën, viti përmban dymbëdhjetë muaj, katër prej tyre janë të shenjtë, tre janë të njëpasnjëshëm: Dhul Kadeja, Dhul Hixheja dhe Muharremi, si dhe Rexhebi i cili është mes muajve Xhumade dhe Shabanit”. [1]
Ky muaj, në aspektin e adhurimit është si gjithë muajt tjerë, andaj nuk veçohet ndonjë ditë apo natë e tij me ndonjë adhurim të veçantë, enkas për të, si: agjërim vullnetar, namaz nate, a diçka tjetër të ngjashme, hadithet e transmetuara në këtë çështje janë të dobëta.
Imam Ibn Tejmijeh (728 h) thotë: “Ndërsa agjërimi i muajit Rexheb në veçanti, të gjitha hadithet e transmetuara për këtë janë të dobëta, bile të shpikura, dijetarët nuk marrin në konsideratë diç prej tyre, këto nuk janë nga lloji i haditheve të dobëta të cilat transmetohen në veprat me vlerë, mirëpo këto janë në përgjithësi hadithe të shpikura dhe gënjeshtra”. [2]
Imam Ibn Rexhebi (795 h) thotë: “Ndërsa agjërimi: nuk është vërtetuar për vlerën e agjërimit të muajit Rexheb, diçka nga i Dërguari i Allahut ﷺ dhe as nga shokët e tij.”
Hafidh Ibn Haxheri (852 h) thotë: “Nuk është transmetuar për vlerën e muajit Rexheb, as për agjërimin e tij në përgjithësi, as për agjërimin e ndonjë dite të veçantë në të dhe as falja namaz nate në ndonjë natë të veçantë të tij: ndonjë hadith i saktë që vlen për argumentim.” Gjithashtu thotë: “Hadithet e transmetuara për vlerën e muajit Rexheb apo vlerën e agjërimit të tij apo agjërimit të ndonjë dite të veçantë në të, janë dy llojesh: të dobëta dhe të shpikura.”
Ndërsa, nëse dikush ka zakon të agjërojë ditët e hëna dhe të enjte, apo tri ditët që agjëron gjatë çdo muaji, gjë që është e pëlqyer (sunet), atëherë nuk ka ndonjë pengesë t’i agjërojë ato edhe në muajin Rexheb, sepse ky nuk konsiderohet veçim i këtij muaji me agjërim, pasi që këtë vepër e kryen vazhdimisht edhe në muajt tjerë.
Allahu e di më së miri.
Përshtati: Agron Krasniqi
———————————-
[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] “Fetaua” (25/290)
[3] “Lataif el Mearif” (f. 228)
[4] “Tebjin el Axheb” (f. 6)