0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

A është Papa komunist?

Më të lexuarat

Kritika që Papa Francesku i ka bërë ekonomisë së tregut të lirë e ka shndërruar atë në një ikonë të të Majtës, si dhe ka nxitur pretendimet se ai është komunist. Udhëheqësi i 1.2 miliardë katolikëve të botës e ka quajtur kapitalizmin një burim pabarazie, në rastin më të mirë – dhe një vrasës, në rastin më të keq. A është Papa, ashtu si pretendojnë kritikët e tij, një radikal i kuq?

Rrugës së kthimit nga parada e Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës javën që kaloi, udhëheqësi kuban, Raul Kastro u ndal në Romë, për të falënderuar Papa Franceskun për rolin e tij në afrimin e Kubës me SHBA. “Nëse Papa vazhdon në këtë rrugë”, tha Kastro më pas, “unë do të filloj të lutem sërish dhe do të kthehem në Kishë – nuk bëj shaka”.
 
Në shtator, Francesku do të rikthejë komplimentin me një ndalesë në Kubë, kur të udhëtojë në SHBA. Dhe vizita në Amerikë mund të jetë më e vështira e papatit të tij, jashtë Vatikanit.
 
Mbështetja që ka marrë prej Raul Kastros, vështirë se do ta bëjë të pëlqyeshëm Papa Franceskun për të djathtët amerikanë, shumë prej të cilëve reaguan me zemërim ndaj nismës kubane të presidentit Obama.
 
“Ka shumë skepticizëm mes katolikëve në SHBA”, thotë Stephen Moore, krye-ekonomist në think tank-un konservator Heritage Foundation në Uashingon, edhe ai vetë një katolik.
 
“Unë mendoj se ky është një Papë që duket qartë se ka prirje marksiste. Nuk ka asnjë dyshim që ai ka një skepticizëm shumë të fortë ndaj kapitalizmit, sipërmarrjes së lirë dhe… unë mendoj se kjo është shumë shqetësuese”.
 
Rush Limbaugh, spikeri konservator me një emision shumë të ndjekur në radio flet edhe më troç: ai e ka quajtur “marksizëm të pastër” këshillën apostolike Evangelii Gaudium (Gëzimi i Ungjijve) të dhënë nga Papa.
 
SHBA është shteti më i krishterë i botës perëndimore. Në SHBA ka afro 80 milionë katolikë të pagëzuar, dhe janë grupi fetar më i madh.
 
Shumë prej pjesëtarëve e shohin Shenjtin Papa Gjon Pali II si një papë-hero, për arsye se ai ishte një “luftëtar” vërtetë i guximshëm gjatë Luftës së Ftohtë – dhe në reagimin e tyre ndaj Franceskut ka një ndjesi tradhtie.
 
Ndonëse përqindja e mbështetjes për të është e lartë, sidomos mes demokratëve katolikë, ai do të jetë një prani polarizuese, dhe pyetja “A është Papa komunist?” do të jetë vërtetë e rëndësishme.
 
Papët Gjon Pali II dhe Francesku erdhën nga botë shumë të ndryshme, dhe kjo ka ndikuar pashmangshmërisht në mendimin e tyre për çështje si ekonomia dhe drejtësia sociale.
 
Pjesën më të madhe të jetës së hershme, Papa Gjon Pali II e kaloi në regjime totalitarë – në fillim pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë, më pas dominimi i gjatë stalinist dhe sovjetik i Polonisë gjatë Luftës së Ftohtë. Cdo gjë që ai përjetoi si prift dhe peshkop i mësoi se armiku ishte komunizmi.
 
Ndryshe nga ai, Francesku – ose Jorge Bergoglio, siç quhej atëherë – u rrit në regjimin e udhëheqësit nacionalist argjentinas, Juan Peron.
 
Austen IVereigh, i cili ka shkruajtur një biografi për Papa Franceskun, dhe ka studiuar edhe vetë teologji në Argjentinë, thotë se Peronizmi ka dominuar politikën argjentinase që atëherë, por është e vështirë ta përcaktosh në terma politikë tradicionalë. “Në të vërtetë nuk është as i majtë, as i djathtë”, thotë ai. “Por ai del si një lloj rilindjeje nacionaliste në Argjentinën e viteve 1930 dhe 1940, dhe u identifikua me klasën punëtore, mbi të gjitha, sidomos me sindikatat”. Ivereigih beson se Bergoglio i ri u ndikua shumë prej ideve Peroniste.
 
Të dy Papët kishin gjithashtu një kuptim shumë të ndryshëm për Teologjinë e Clirimit, lëvizja e shumëdiskutuar e ngritur mbi bindjen se ungjijtë urdhërojnë Kishin që të vendosë në radhë të parë të varfrit, dhe e cila ka trazuar dhe përçarë katolikët e Amerikës Latine për pjesën më të madhe të viteve 1960, ’70 dhe ’80. Gjon Pali besonte se ajo kishte joshur disa priftërinj dhe peshkopë në një ideologji pothuajse marksiste e të dhunshme madje, dhe kur ishte Papë ai u soll ashpër ndaj disa prej tyre. Jorge Bergoglio hodhi poshtë marksizmin – ndonëse e pranon se ka shumë miq marksistë – por pranoi shumë prej parimeve të Teologjisë së Clirimit, duke përqafuar atë që Austen Ivereigh e quan “një version nacionalist të lëvizjes”, ose e ashtuquajtura “Teologji e Popullit”.
 
Megjithëkëtë, shkrimet mbi ekonominë të Gjon Palit dhe Franceskut reflektojnë gjithashtu të njëjtën traditë intelektuale – atë që njihet si Mësimi Social Katolik. Ajo u artikulua fillimisht në një dokument papnor të vitit 1891, i quajtur Rerum Novarum, në të cilin Papa Leo XIII fliste për “frymën e ndryshimeve revolucionare” që kish përfshirë atëherë Europën.
 
Një pjesë e tij është hartuar haptas për të qenë një kundërshtim ndaj ideve komuniste që ishin pjesë e atij ndryshimi, por është gjithashtu kritikë e disa aspekteve të kapitalizmit. Kështu që, është një përzierje jo shumë e ndeshur, që nuk zë vend në ndarjen e fortë mes të majtës dhe të djathtës, që ka dominuar politikën në shekullin që pasoi.
 
Profesor Maurice Glasman, një ekonomist britanik që ka qenë këshilltar i Ed Milibandit, ka studiuar mësime sociale katolike për doktoraturën. Ai u josh prej mënyrës se si dokumenti hedh poshtë ideologjitë tradicionale të të majtës dhe të djathtës. “Ai i kundërvihet idesë që duhet të jetë ose shteti, ose tregu”, thotë ai. “Ai beson në aktivizimin e shoqërisë – ai që e quan solidaritet – me qëllim që t’i rezistojë dominimit nga të pasurit të të varfërve”. Glasman thotë se ai i kundërvihet komunizmit për arsye se “mbron pronën private dhe është anti-kolektivist”.
 
Glasman kujton fare mirë se si u sulmua nga një ekonomist amerikan, pasi mbajti një fjalë në një konferencë në Vatikan kohët e fundit, në lidhje me mësimet sociale katolike. “E dini, ka një fjalë për atë që po thoni ju Baron, Lord Profesor, apo cilido që jeni”, i tha ekonomisti amerikan. “Po, quhet komunizëm. Ju po përpiqeni të intereferoni me prerogativat e menaxhimit, po përpiqeni të interferoni me kapitalin, dhe po përpiqeni të interferoni me çmimet. Dhe kjo gjë është provuar – nga Bashkimi Sovjetik”.
 
Gjatë diskutimit që pasoi, Glasmani u gëzua që u ndie i mbështetur nga Papa dhe nga Kryepeshkopi i Mynihut, Kardinali Marks.
 
Interpretimi që i bën Francesku mësimeve sociale katolike sigurisht që tingëllon më radikal se sa ai i paraardhësve të tij. Në Argjentinë, ai këmbëngulte se priftërinjtë e tij duhej ta shihnin botën me sytë e të varfërve, duke jetuar mes tyre, dhe e solli këtë qasje me vete në Romë.
 
Papa Francesku ka thënë gjithashtu se papunësia “është rezultat i një zgjedhjeje mbarëbotërore, i një sistemi ekonomik që ka sjellë këtë tragjedi, një sistemi ekonomik që ka në qendër të tij një Zot të rremë, një Zot të rremë që quhet para”.
 
Përgjigja për pyetjen e ngritur në titullin e këtij artikulli është “JO”. Ka shumë në të majtë që e admirojnë Papa Franceskun, dhe ka shumë në të djathtë që skandalizohen prej tij, por ai nuk është një komunist.
 
Megjithatë, duket se atij i shijon kur provokon njerëzit. Shumë shpejt ai do të botojë një enciklikë që pritet të merret me ndryshimin e klimës. Një prift që e ka lexuar pjesërisht thotë: “Nëse njerëzit mendojnë se është komunist tani, prisni e shihni se cfarë thotë ai për mjedisin!” kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit