2.8 C
Pristina
Wednesday, November 13, 2024

A është i lirë njeriu në veprimet e tij

Më të lexuarat

Nëse themi se çdo gjë ndodh me caktimin dhe me vullnetin e Allahut të Plotfuqishëm, kjo nuk nënkupton se njeriut i është imponuar se çfarë të veproj e çfarë të lë dhe ai është i detyruar në veprat e tij. Me fjalë tjera, njeriu është i lirë, ka mundësi zgjedhjeje e dëshire në sjelljet dhe veprimet e tij. Me anë të dëshirës së tij njeriu, vepron respektivisht e lë një gjë dhe nuk e bënë. Ai me zgjedhjen e tij të lirë beson e mohon, bindet e refuzon, pason dhe i thyen urdhrat e Zotit të Madhërishëm. Prandaj edhe për këto veprime të cilat i bënë me zgjedhjen e tij, respektivisht e ndalon vetën dhe nuk i bënë, ai jep llogari, përgjigjet dhe shpërblehet ose dënohet.

Ehli Suneti dhe Xhemati në çështjen e veprave të njeriut se a është i lirë ai në veprimet e tij apo është i detyruar, ka zgjedhur rrugën e mesme në raport me sektet dhe fraksionet e ndryshme islame.

Metodologjia e fraksioneve të devijuara islame në lidhje me veprimet e njeriut dhe në përgjithësi rreth kaderit është dy rrugë, që të dyja ekstreme:

– Metoda e Kaderive[1]: të cilët thonë: “Allahu nuk ka paracaktuar gjë prej punëve të krijesave, por vetë ata i krijojnë veprat e tyre”. Ata mendojnë se sikur të jetë përcaktuar për jobesimtarin mosbesimi i tij dhe nëse Zoti do ta ndëshkonte atë, atëherë Ai do të ishte i padrejtë.

– Metoda e Xhebrive[2]: të cilët thonë: “Allahu i Madhëruar i ka detyruar krijesat e Tij për veprimet e tyre dhe i ka shtrënguar ata (për të vepruar) sikurse era që e lëvizë dhe e drejton pendën ose fletën”.

Të dy këto metoda kanë pasuar njërën nga dy ekstremet e papranueshme, ndërsa Ehli Suneti nuk thotë as të parën e as të dytën, por ata kanë pasuar rrugën e mesme duke përputhur citatet sheriatike me mendjen e shëndoshë. Sipas Ehli Sunetit veprimet të cilat Allahu i Lartësuar i shkakton në ekzistencë ndahen në dy lloje:

Lloji i parë: Veprime që Allahu i Madhëruar i shkakton e ekzekuton mbi krijesat e Tij pa të drejtën e tyre në zgjedhje dhe mundësi veprimi, respektivisht mosveprimi. Sikurse lindja, vdekja, mbirja e farës, rigjallërimi i Tokës, sëmundja, shëndetit dhe gjëra të ngjashme. Në të gjitha këto nuk ka mundësi zgjedhjeje dhe dëshire nga njerëzit, por në tërë këtë ekziston vullneti dhe dëshira e të Vetmit të Plotfuqishëm.

Lloji i dytë: Veprime që i bëjnë krijesat të cilat karakterizohen me veçorin e dëshirës dhe në rend të parë këtu bëjnë pjesë njerëzit. Këto veprime zhvillohen në bazë të dëshirës dhe zgjedhjes se vepruesve. Dhe në këtë Allahu ata i ka lënë të lirë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai (Kurani) është veçse këshillë për botët. Për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë.” (Tekvir, 28).

Në këtë lloj bëjnë pjesë veprimet të cilat njeriu i kryen me dëshirën dhe zgjedhjen e tij, sikurse, zgjedhja e besimit, ose interesimi i tij (dëshira) për pije, ushqim, etj.; ai kur dëshiron e ndalon vetën nga këto dhe kur dëshiron i bënë.

Njeriu dhe logjika e shëndoshë, di të bëjë dallim në mes të veprimeve të cilat i bënë me zgjedhjen dhe dëshirën e tij dhe në mes të atyre veprimeve të cilat nuk ndërlidhen me dëshirën e vullnetin e tij. P.sh. njeriu zbret poshtë me shkallë me dëshirën dhe zgjedhjen e tij, por ka mundësi që të rrëzohet dhe të bjerë poshtë pa dëshirën dhe zgjedhjen e tij. Pra këto dy veprime dallojnë njëra nga tjetra pasi që në të parën ka të drejtë zgjedhjeje njeriu, ndërsa në të dytën nuk ka mundësi zgjedhjeje e dëshire[3].

Por të gjitha këto veprime të llojit të parë dhe të dytë, pra edhe ato që ndodhin pa zgjedhjen e krijesës dhe ato veprime, respektivisht mosveprime të cilat i realizon njeriu me zgjedhjen e tij, Dija e Allahut i përfshin të gjitha ato paraprakisht, Ai e di se ky njeri çfarë do të jetë, çfarë do të zgjedh dhe si do të jetë përfundimi i Tij. Me fjalë tjera Allahu i Madhërishëm e ka lënë të lirë dhe nuk e detyron atë, që të zgjedh këtë të keqe ose atë të mirë, por e lë të lirë në këtë zgjedhje, por tërë këtyre zhvillimeve që do të ndodhin në ekzistencë apo që kanë ndodhur, u ka paraprirë dituria e Allahut të Gjithëdijshëm.

Për shkak të kësaj lirie të zgjedhjes që ka njeriu, Allahu i Lartësuar dërgoi Profet njerëzimit, zbriti libra, që ata ta zgjedhin të dobishmen dhe të mirën. Të Dërguarit ua qartësonin njerëzimit të mirën dhe të keqen me mësimet hyjnore dhe ai që pranon këtë udhëzim, këtë e bënë me zgjedhjen dhe dëshirën e tij dhe ai që refuzon këtë udhëzim, ai prapë këtë e bënë me zgjedhjen dhe dëshirën e tij.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe i sqaruam atij për të dy rrugët.” (Beled, 10), pra i sqaruam atij rrugën e saktë se cila është dhe rruga e gabuar cila është, kështu ai është i lirë ta zgjedh rrugën që dëshiron.

Dhe thotë: “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” (Kehf, 29)

Dhe thotë: “Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.” (Insan, 3)

Gjithashtu thotë: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Zelzele, 7-8)

Këto ajet mjaft qartë aludojnë se njeriu ka të drejtën e zgjedhjes dhe ai është i lirë në këtë, prandaj edhe në bazë të kësaj edhe do të shpërblehet respektivisht dënohet, por këtu edhe një herë e vejmë në pah se asgjë nga veprimet tona nuk ndodhin pa dijen e Allahut të Gjithëdijshëm dhe përkundër vullnetit të Tij.

Alaudin Abazi

[1] Kaderijtë- sekt islam, i shfaqur nga fundi i shekullit të parë të hixhretit që thotë se e keqja nuk është paracaktuar nga Zoti, por atë e vepron djalli ose njerëzit.

[2] Xhebrijtë- fatalistët, sekt që thonë se njeriu është i detyruar në veprimet e tij dhe jo i lirë të zgjedhë, duke hequr kështu çdo përgjegjësi prej tij.

[3] “Risaletun Fil Kada Vel Kader” Ibën Uthejmin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit