1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

A është haram të punosh në bankë vetëm në sektorin e kredive apo edhe në sektorët e tjerë?

Më të lexuarat

Pyetja:

E nderuara redaksi kam një pyetje:
1) A është haram te punosh në bankë vetëm në sektorin e kredive apo edhe në sektorët e tjerë?
2) A lejohet ruajtja e parave në xhirollogarinë rrjedhëse, kur dihet se edhe prej atyre parave banka fiton interesin?
Ju dëshiroj punë të mbarë!
Selamu alejkum!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pyetja e parë:
Të punosh në bankat në të cilat zhvillohen transaksione me kamatë ose në përgjithësi punon me kamatë është e ndaluar, pa marrë parasysh a jemi të kyçur drejtpërdrejt në ato procese apo jo. Nëse jemi të kyçur drejtpërdrejt, atëherë ndalesa është edhe më e madhe sesa të punojmë ndonjë shërbim tjetër që nuk lidhet direkt me kamatën, si p.sh. në recepsion, shofer etj., por në esencë çfarëdo lloj pune në këto vende është e ndaluar.
Xhabir ibën Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Muhamedi salallahu alejhi ue selem e ka mallkuar ngrënësin e kamatës, përfaqësuesin, ai i cili e shkruan kontratën, dëshmitarët dhe ka thënë se të gjithë janë të njëjtë.” (Shënon Muslimi)
Imam Neveviu gjatë komentit të këtij hadithi ka thënë: “Në këtë hadith qartësohet ndalesa e shkrimit të kontratës ndërmjet dy palëve që kontraktojnë me kamatë dhe të jemi dëshmitarë në këtë. Nga hadithi gjithashtu nxirret edhe ndalimi i ndihmëses së të tjerëve në harame. Allahu e di më së miri!”
Punëtori në bankë patjetër do të kontribuojë në zhvillimin e kontratave të tilla qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi, edhe nëse punon rojtar në të. Prandaj, vëlla i dashur, duhet të kesh kujdes të mos pranosh të punësohesh në këto vende, e posaçërisht sektori i kredive është e pamundur të mos ketë lidhje me kamatën.

Pyetja e dytë:
Depozitimi i parave në bankat në të cilat punohet me kamatë mund t`i ketë dy raste:
a) nëse depozitohet në llogari në të cilat përfitohen kamata të ndryshme, varësisht prej ofertave nga bankat, kjo është e ndaluar dhe nuk lejohet një gjë e tillë.
b) nëse depozitohen paratë në llogari të hapura, ku nuk ka përfitime nga kamata, por thjesht qëllimi është ruajtja e parave pasi nuk kemi ndonjë vend të sigurt dhe ato mund të tërhiqen kurdo që të kemi dëshirë.
Rastin e dytë ulematë bashkëkohorë e kanë lejuar në raste të domosdoshmërisë. Shejhu Abdulaziz Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Për sa i përket depozitimit të pasurisë në bankë me kamatë mujore ose vjetore, kjo është nga kamata e ndaluar me konsensus (ixhma) të ulemave. Kurse depozitimi i tyre pa interes (pa kamatë) në bankat që punojnë me kamatë më mirë është ta lëmë e mos ta bëjmë, vetëm se në rast domosdoshmërie. Kjo për arsye se edhe nëse depozitohen paratë pa përfitim, me këtë ai ndihmon bankën të zhvillojë transaksione me kamatë, prandaj ekziston frika që ky person të jetë njëri nga ata që ndihmojnë në vepra të këqija dhe ndalesa, edhe nëse ai nuk e ka këtë për qëllim.” (Fetva Ibën Baz, vëll. 4, f. 311)
Prandaj, nëse depozitimi i parave në këtë formë është e nevojshme për ne, qoftë për shkak të frikës së mbajtjes së parave në shtëpi, ose për shkak të punës që e bëjmë, ose diçka tjetër, është e lejuar, por nëse për këtë nuk është e nevojshme, atëherë më mirë është të mos e bëjmë këtë. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
15.6.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit