3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

A ËSHTË FEJA OPIUM?

Më të lexuarat

Dr Mustafa Mahmud

A ËSHTË FEJA OPIUM?

Miku vazhdoi të shtrojë pyetje duke bërë me sy:

Ç’mendim keni ndaj atyre të cilët thonë se feja është opium, se i bënë si të droguar të varfërit dhe të shkelurit që në heshtje ta durojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe mjerimin në të cilin jetojnë, duke ëndërruar vetëm për xhennetin dhe kënaqësitë e tij, gjë që, në anën tjetër, të pasurve u siguron jetë të qetë dhe pa brenga në bollëkun e tyre për të cilin ata thonë se është e drejtë e tyre e plotë, sepse Zoti i ka krijuar njerëzit të ndryshëm sipas pasurisë?

Ç’mendoni për ata të cilët pohojnë se feja nuk është e dhënë nga Zoti, por se është rrjedhim i rrethanave dhe nevojave shoqërore, në mënyrë që të jetë armë e një klase në luftë kundër klasës tjetër?

Miku, shihet qartë, jep shenjë në mendimet e disa materialistëve për fenë.

Në këtë iu përgjigjëm:
Është i papranueshëm pohimi se feja është opium. Përkundrazi, feja në qenësinë e saj është detyrë, obligim dhe përgjegjësi. Ajo nuk është shfrenueshmëri dhe braktisje, e as ikje nga përgjegjësia, prandaj edhe nuk është opium. Feja është punë, jo përtaci: “Thuaj: Punoni, All-llahu do ta shohë punën tuaj…” (Et-Tevbe, 105).
Ne e rekomandojmë tewekkulin, por jo pasivitetin. Tewekkuli (mbështetja në Zotin) kërkon vendosmëri, shfrytëzimin e të gjitha mundësive, dhënien e të gjitha forcave dhe shfrytëzimin e të gjitha shkathtësive, pas të cilave vjen mbështetja në caktimin e Zotit dhe urdhëresën e Tij:
“… E kur të vendosish, atëherë mbështetu në All-llahun…”(Âli Imrân, 59).

Pra, së pari vendimi i fuqishëm. Këtë e shohim edhe nga fjalët e Pejgamberit të Zotit një beduini i cili deven e tij e la jo të lidhur duke thënë se është mjaft që është mbështetur në Zotin: “Lidhe, e tek pastaj mbështetu!” d.m.th. jepe tërë atë që mundesh nga vetvetja që të të lidhë, e vetëm atëherë mbështetu në Zotin.
Feja, në të vërtetë është zgjuarsi e përhershme, përplot kujdes, vetëkontroll dhe dhënie e llogarisë me vetveten në çdo punë, gjatë çdo fjale dhe mendimi, që qartë nuk janë karakteristika të konsumuesit të drogës.

Konsumues i vërtetë i drogës është ai i cili dëshiron të ikë nga përgjegjësia për veprat e tij, i cili mashtrohet me iluzionin se çasti i tij është mbretëria e tij, se për këtë askujt nuk i përgjigjet, se nuk ka kontrollë as përgjegjësi, prandaj edhe është i lirë të veprojë çka të dëshirojë. Çfarë dallimi ndërmjet njeriut të këtillë dhe atij i cili veten e konsideron përgjegjës madje edhe për fqiun më të largët, dhe i cili, nëse kushdo qoftë mbetet i uritur në popullin e tij apo kafshës i është bërë padrejtësi, e qorton veten se nuk e ka kryer obligimin e tij.

E dyta, nuk është i saktë pohimi se feja ka lindur në Tokë – nga rrethanat dhe nevojat shoqërore, në mënyrë që të jetë armë e një klase në luftën kundër tjetrës dhe në mënyrë që pasanikëve t’ua mbrojë pasurinë e tyre, kurse të varfërve varfërinë e tyre. E saktë është pikërisht e kundërta.

Islami është revolucion kundër të pasurve, grumbulluesve të kapitalit, eksploatuesve dhe tiranëve. Haptas ka theksuar se kapitali nuk guxon të jetë vetëm në duart e të pasurve të cilët me të do të manipulojnë dhe spekulojnë, por duhet të bëhet pronë e të gjithë njerëzve:

“Ata të cilët e ruajnë arin dhe argjendin e nuk e japin në rrugën e All-llahut, lajmëroi ata me një dënim të dhembshëm.” (Et-Tevbe, 34).

Ky shpenzim fillon me zeqatin prej 2,5 për qind i cili detyrimisht duhet të ndahet, kurse pastaj ndarja vullnetarisht rritet deri aty sa vetes t’i lënë vetëm sa t’u mjaftojë për ushqim, kurse tjetrën krejtësisht e ndajnë:
“Të pyesin ty se çka do të ndajnë? Thuaj: Tepricën!” (El- Bekare, 219). Kjo kuptohet nga fjala “el-afwu” që d.m.th. çdo gjë që tepron nga bollëku dhe nevoja.

Në këtë mënyrë Islami ka arritur t’i lidhë obligimet e detyrueshme ligjore dhe dhëniet vullnetare të cilat mbështeten në ndërgjegjen e çdo individi, që është shumë më fisnikëruese për njeriun sesa nga ai ta marrë pasurinë e tij me dhunë dhe konfiskim.
Islami nuk ka ardhur ta konfirmojë dhe vërtetojë dhunën e tiranëve, por, në të vërtetë ka qenë revolucion i pakompromis kundër të gjithë tiranëve, shpatë dhe luftë kundër të gjithë shtypësve dhe despotëve.

Sa i përket akuzës se feja është reaksionare dhe klasore, që disa individë të papërudhur e shohin nga ajeti:
“All-llahu ngriti disa nga ju mbi disa të tjerë (kundruall disave) në furnizim.” (En-Nahl, 71) dhe, “Ne i kemi ngritur disa nga ju ndaj disa të tjerëve për disa shkallë…” (Ez-Zuhruf, 32).

Të tillëve u përgjigjemi se këto ajete mund të aplikohen mbi ata në Londër, Paris, Berlin dhe Moskë po aq sa edhe mbi ata në Kajro, Damask dhe Xhide. Nëse do të shëtitnim nëpër rrugët e cilitdo nga këto qytete, do të bindeshim se në to ka të atillë që ecin në këmbë, derisa të tjerët i ngasin biçikletat apo voziten në veturat më luksoze. E ç’është kjo tjetër veçse dallim i madh i bazuar në nevojat, shkallët dhe pozitat ekonomike të këtyre njerëzve.

Dallimi ndërmjet njerëzve është dëshmi e njëmendtë të cilën askush nuk mund krejtësisht ta fshijë. Si të barazohet pabarazia!?
Njerëzit qysh nga çasti i lindjes së tyre janë të pabarabartë sipas inteligjencës, fuqisë, bukurisë dhe talentit. Ata pra, lindin me aftësi të ndryshme dhe jo të barabarta. Synimi përfundimtar nga sendërtimi i të cilit kanë synuar të gjitha lëvizjet ekonomike në histori, ka qenë që të gjithë njerëzve t’u ofrohen mundësi të njëjta, e jo të vijë deri te barazimi ndëmjet njerëzve. Këto lëvizje kanë shkuar nga ajo që çdo njeriu t’i mundësohet shkollimi, mjekimi dhe t’i sigurohet ajo që është e domosdoshme për ekzistencën e tij jetësore. Kurse tërë këtë e ka urdhëruar dhe e urdhëron feja. Sa u përket anulimeve totale të dallimeve dhe heqjes së shkallëve, konsiderojmë se do të ishte një lloj dhune dhe akt i cili do t’i kundërvihej vetë natyrës e cila është e mbështetur dhe ekziston duke iu falënderuar dallimeve dhe fryteve të shumëllojshme të tokës dhe duke iu falënderuar dallimeve ndërmjet kafshëve dhe njerëzve. Dallimet, pra, janë qartë të dukshme edhe në botën bimore dhe shtazore.

Ky është ligj i të ekzistuarit të tërësishëm, domethënia e të cilit është krejtësisht e qartë. Sikur të gjithë njerëzit të lindeshin me cilësi të njëjta dhe sipas një kallëpi dhe një modeli, atëherë aspak s’do të kishte nevojë që të gjithë të linden. Do të mjaftonte që të paraqitet një model sepse ai do të mund t’i plotësonte të gjithë të tjerët. Rasti i ngjashëm është edhe me të gjitha krijesat tjera në natyrën e gjerë. Kjo vetëm do të shpiente deri te varfërimi i natyrës dhe shkatërrimi i saj sepse pasuria e saj dhe bollëku i saj janë rezultat i fryteve dhe farave të ndryshme.

Por edhe përveç kësaj, feja nuk e ka heshtur dallimin ndërmjet të pasurve në një anë dhe të varfërve në anën tjetër, por ka urdhëruar korrigjimin e gjendjes ekzistuese. Të varfërit i ka caktuar pjesëmarrje në pasurinë e të pasurit, duke bërë të kuptojnë qartë se ky dallim ndërmjet tyre, në të vërtetë, është sprovë dhe provim:
“Ne bëmë që njëri-tjetrin ta vëni në sprovë; a do të jeni të durueshëm?” (El-Furkân, 20).

Ne do të shohim se ç’do të bëjë i fuqishmi me fuqinë e tij. A do t’i ndihmojë të dobëtit apo do t’i rrahë, vrasë dhe a do të bëhet tiran në tokë. Gjithashtu do të shohim se ç’do të bëjnë të pasurit me pasurinë e tyre. A do të bëjnë padrejtësi e do të shkapërderdhen apo do të jenë të mëshirshëm dhe bamirës. Do të shohim se ç’do të bëjë me varfërinë e tij edhe i varfëri. Do të xhelozojë, urrejë, vjedhë dhe shpërdorojë apo do të punojë, angazhohet dhe përpiqet që ta përforcojë standardin e jetës së vet në mënyrë të lejuar dhe të drejtë ligjore.
Feja urdhëron drejtësinë, korrektësinë dhe rregullimin e situatave dhe që të gjithë t’i kenë mundësitë e njëjta. Kërcënohet me dënim të dhembshëm në botën tjetër, për të cilën thotë se në të do të jenë dallimet më të mëdha në mënyrë që të përmirësohet ajo që ka qenë jokorrekte në jetën e njerëzve në këtë botë:
“Ahireti është, në të vërtetë, më i madh përnga pozita dhe përnga vlerat.” (El-Isrâ, 21).

Atyre të cilët e akuzojnë Islamin duke thënë se është reaksionar, u përgjigjemi se Islami ka miratuar ligje mjaft progresive në sistemin e pushtetit. Respektimi i personalitetit në Islam ka arritur apogjenë. Ai është sprovuar para Kartës për të drejtat e njeriut dhe në çdo gjë e ka tejshkuar, sepse individi në botëkuptimin
islam është i barabartë me mbarë njerëzinë:
“… Nëse dikush vret dikë i cili nuk ka vrarë askë, ose nuk ka bërë në tokë rrëmujë, sikur ka vrarë tërë njerëzinë; por kush bëhet shkaktar për të jetuar dikush – sikur tërë njerëzisë ia ka ruajtur jetën…” (El-Mâide, 32).

Nuk vlejnë kurrfarë suksessesh, as përmirësimi i kushteve materiale jetësore, as ndërtimi, as pendat, as fabrikat, nëse me qëllim të sendërtimit të tërë kësaj pa të drejtë vritet ose bëhet dhunë kundër kujtdo qoftë sepse kjo vrasje është e barabartë me vrasjen e tërë njerëzisë.

Islami personalitetit njerëzor i kushton rëndësi të madhe. Individi, sipas mësimit islam, ka vlerën absolute, derisa mësimet tjera politike i japin vlerë relative. Ai është i siguruar në shtëpinë e tij dhe në jetën e tij vetjake: “Nuk ka spiunim as përgojim”, i mbrojtur në pasurinë, furnizimin, pronësinë dhe lirinë e tij. Çdo gjë duke filluar nga selami (përshëndetja), bërja e vendit në shoqëri për tjetrin, deri te fjala e mirë, ka vendin e vet në Kur’an, i cili rreptësisht dënon çdo lloj autokracie, dhune dhe absolutizmi.

All-llahu i madhëruar i thotë Pejgamberit (a.s.) në një ajet:
“Ti ata nuk mund t’i detyrosh…” (Kâf, 45);
“Ti këshillo – ti je vërtet vetëm këshillues. Ti ndaj atyre nuk je detyrues.” (El Gâshije, 21-22);
“Vërtet besimdrejtët janë vëllezër.” (El-Huxhurât, 10);

Kur’ani e ndalon kultin e personalitetit:
“Mos ta trajtojmë njëri-tjetrin si zota, përpos All-llahut.” (Âli Imrân, 64);
“Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni tjetërkë përpos Atij.” (El-Isrâ, 23).

Gjithashtu ndalon britmën, karrierizmin, poshtërsinë dhe bindjen e verbër (lajthitjen) ndaj të humburve dhe thotë:
“Shumica e njerëzve nuk dinë.” (Jûsuf, 21);
“Por, shumica e tyre nuk kuptojnë.” (El-Ankebût, 63);
“Shumica e njerëzve nuk besojnë.” (Gâfir, 59);
“Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe nuk janë tjetër vetëmse gënjeshtarë.” (El-En’âm, 116);
“Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshët, madje janë edhe më të humbur.” (El-Furkân, 44).

Gjithashtu ndalon çdo diskriminim dhe racizëm:
“Më fisniku ndër ju tek All-llahu është ai i cili më së shumti i ruhet Atij.” (El-Huxhurât, 13);
“Ai është i cili ju krijoi vetëm prej një vete.” (El-A’râf, 189).

Kuptuar shkencërisht, Islami është sintezë universale dialektike e materializmit hebraik dhe e idealizmit të krishterë, sintezë e drejtësisë së vrazhdë e cila thotë: dhëmbi për dhëmb dhe syri për sy dhe dashurinë dhe tolerancës skajore e cila mëson: kush të godet nga faqja e djathtë, ktheja edhe të majtën.

Kur’ani ka ardhur të zë pozitë të ndërmjetme ndërmjet Teuratit i cili i tërë i është kthyer kësaj bote, kënaqësisë materiale në jetën e kësaj bote dhe Inxhilit i cili kërkon kthyerje të plotë të asketizmit në këtë botë. Kur’ani thërret në mëshirë e cila e përfshinë edhe drejtësinë edhe dashurinë. Urdhëron vetëmbrojtjen, por i jep përparësi ndjesës, pajtimit dhe faljes:
“Por kush duron dhe fal, s’ka dyshim se ajo është ndër punët më të larta.” (Esh-Shûrâ, 43).

Islami nuk zgjedh zgjidhje të mesme ndërmjet dhënies së lirisë së plotë individit dhe ndalesës së saj:
“Burrave ju takon pjesa nga ajo që e fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon pjesa nga ajo që e fituan ato.” (En-Nisâ,32).
Individi është i lirë të fitojë, por ai nuk ka të drejtë ta marrë tërë fitimin. Në fitim ai ka pjesën e tij. Edhe i varfëri ka pjesën e vet. E merr zeqatin dhe shpenzimet prej 2,5 për qind e deri në 90 për qind me forcë ose vullnetarisht. Kjo pjesë të cilën e merr (i varfëri) nuk është mëshirë as ndarje vullnetare por e drejtë e Zotit (hakk-ull-llah) në fitim. Me këtë ndarje jashtëzakonisht të mirë, Islami individit ia ka ruajtur lirinë, kurse të varfërit ia ka mbrojtur të drejtën e tij.
Prandaj, Kur’ani ka plotësisht të drejtë kur u drejtohet pjesëtarëve të vet me fjalët:
“Dhe ashtu ju kemi bërë juve një popull të drejtë…” (El-Bekare, 43).

Islami në çdo gjë e ka zgjedhur mesin e drejtë. Ky nuk është mes matematikor por dialektik, është sintezë e dy drejtimeve (të djathtë dhe të majtë) të cilët i tejshkon dhe ngrihet mbi to. Për këtë në Islam nuk ka të djathtë as të majtë, por ka vetëm “sirât”, d.m.th. mes i drejtë, të cilin ne e quajmë Rrugë e drejtë.

Kur’ani nuk na ka penguar me kushtetutë të caktuar politike apo me mënyrën e administrimit deri në hollësi të përpunuar sepse kushtet dhe situatat ndryshojnë, gjë që kërkon gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme dhe më racionale për shpalljen e kushtetutës e cila do të ndryshonte me ndryshimin e kushteve jetësore.
Kur’ani më tej ka dëshiruar që dyert të jenë gjithnjë të hapura para muslimanëve për marrje dhe dhënie nga dituritë e sendërtuara në çdo kohë, pa mbyllje në suazat e një kushtetute të caktuar.
Për këtë, Kur’ani është kënaqur me porositë e përgjithshme si karakteristika të pushtetit ideal. Nuk na ka pranguar me një teori të caktuar. Kjo në të vërtetë është vetëm një nga fshehtësitë e përkryerjes së tij absolute, ndërsa në asnjë mënyrë mangësi dhe e metë.
Kjo, nga ana tjetër, është dëshmi e qartë e bashkëkohësisë së Kur’anit.
Atyre të cilët thonë se feja do të thotë stagnim dhe prapambeturi, do t’ju përgjigjemi se Islami kurrë s’ka qenë i tillë, por përkundrazi, është fe e të studiuarit, të menduarit, zhvillimit dhe ndryshimit që shihet nga këto ajete të qarta:
“Thuaj: Udhëtoni nëpër botë dhe shikoni se si ka filluar krijimi.” (El-Ankebût, 20);
“Le të shikojë njeriu se prej çkafit është krijuar! Është krijuar nga një ujë i hedhur që del nga meskryqet dhe kraharori.” (Et-Târik, 5-7);
“A nuk i shikojnë devet se si janë krijuar, edhe qiellin se si është ngritur lart, edhe malet se si janë vendosur, edhe tokën se si është shtrirë (zgjeruar)?” (El-Gâshije, 17-19).

Të gjitha këto janë urdhëresa të qarta për studimin e zanafillës së njeriut, kafshëve, zanafillës së maleve, Tokës, shtresave të kozmosit dhe botëve të tij. Të gjitha këto janë qëndrime të cilat përfshijnë gjithë atë që ne sot e kuptojmë me ndihmën e shkencave siç janë: gjeologjia, astronomia, anatomia, fiziologjia dhe embriologjia.

Të gjitha ajetet e theksuara lart, në të vërtetë janë urdhra të qarta që të udhëtohet nëpër Tokë dhe të mblidhen faktet, pastaj të merren konkludimet, të zbulohen rregullat dhe ligjet për njohjen e zanafillës së çdo gjëje që ekziston. Në mbarë këtë nuk duhet frikësuar gabimisht. Islami e shpërblen me një shpërblim edhe atë i cili nga dëshira të njohë (mësojë) gabon, ndërsa atë i cili studion dhe e qëllon të vërtetën, e shpërblen dyfish.

I paarsyeshëm është pohimi se ne kemi mbetur mbrapa për shkak të fesë, ndërsa perëndimi ka përparur për arsye se e ka refuzuar fenë. E vërteta është se ne kemi filluar të mbetemi mbrapa atë moment kur i kemi braktisur urdhrat e fesë sonë.

Derisa muslimanët fuqishëm u përmbaheshin udhëzimeve Kur’anore, kanë përparuar dhe kanë arritur ta krijojnë shtetin e tyre i cili shtrihej prej Atlantiku deri në Gjirin Arabik, në të cilin lulëzonte shkenca dhe në të cilin kanë jetuar dhe punuar dijetarë të mëdhenj sikur që janë Ibn Sina në mjekësi, Ibni Ruzhdi në
filozofi, Ibn Hejthemi në matematikë, Ibën Nefisi në anatomi dhe Xhabir ibn Hajami në kimi.

Bota tjetër e atëhershme nga ne mori të arriturat tona shkencore. Edhe sot e kësaj dite fjalorët astronomikë përmbajnë terma arabë të yjeve dhe hyllësive (konstelacioneve). Kështu ende aparati për destilim në frëngjishte quhet imbique, kurse nga kjo është marrë edhe folja imbiquer, nga fjala arabishte imbiik.

Perëndimi nuk e ka sendërtuar përparimin me ateizëm, por me shkencë. Mosmarrëveshjet rreth konfliktit të fesë dhe shkencës kanë lindur nga njëmendësia e Kishës së Mesjetës, kur ajo pamëshirshëm ka qëruar hesapet me dijetarët nëpërmjet inkuizicionit. Kështu, dijetari i madh Galileu ka qenë i burgosur, ndërsa Xhordano Bruno është djegur në turrën e drunjve.
Nuk themi se kjo nuk ka qenë keqpërdorim i fesë. Por, nuk mundemi kurrsesi ta pranojmë mendimin që për këtë duhet fajësuar edhe Islamin dhe ta mohojmë si fe. Islami në gjithë këtë është më së paku fajtor, sepse ai kurrë nuk është shndërruar në hierarki të priftërisë, sepse kurrfarë hierarkie priftërore as klerikale nuk e pranon mësimi i tij. Në Islam Zoti nuk ka vendosur ndërmjetës ndërmjet Tij dhe njeriut.

Nga historia qartë mund të shihet se kur sundonte Islami, në të vërtetë, ishte faktori më i fuqishëm i përparimit dhe i çdo progresi.
Kur’ani gjithnjë nxit në kërkimin e diturisë; urdhëron të studiuarit dhe me vendosmëri hedh poshtë çdo konflikt ndërmjet shkencës dhe fesë:
“Thuaj: Zoti im, shtoma diturinë!” (Tâhâ, 114);
“A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Ez-
Zumer, 9);
“All-llahu ka dëshmuar se nuk ka zot tjetër përveç Tij, (këtë e dëshmojnë) edhe ëngjëjt dhe të diturit…” (Âli Imrân, 18);
Siç shihet nga ajeti i fundit, All-llahu menjëherë pranë vetes i vendosi ëngjëjt dhe të diturit.
Fjalët e para të cilat i janë shpallur Muhammedit (a.s.) kanë qenë
“ikre” (d.m.th. lexo, mëso, studio, hulumto…). Kur’ani dijetarëve ua premtoi gradat më të larta:
“All-llahu, ata nga mesi i juaj që besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dijenia, do t’i ngritë në shkallë të lartë.” (El- Muxhâdele, 11).
Termi “el’ilmu” (dituria, shkenca) dhe sinonimet e tij përsëriten 850 herë në Kur’an.

E si mundet dikush që pas të gjitha këtyre të flasë për konfliktin e fesë dhe shkencës ose për atë se feja e ndalon shkencën!!!
Të studiohet feja dhe të përcillet zhvillimi i saj është obligim. Tërë historia islame paraqet lëvizje të ringjalljes dhe përparim të jetës në tërësi. Prandaj, Kur’ani është krejtësisht i pastër nga akuzat se e ndalon shkencën: Ai e pranon dhe e rekomandon zhvillimin. Ai, në të vërtetë, mban qëndrimin se besimi dhe sheriati janë të pandryshueshëm, duke e bazuar këtë në parimin themelor: All-llahu është Një dhe i Vetmi dhe nuk shtohet në dy apo tre.

Ky është një parim absolut. Gjithashtu e mira është gjithnjë e mirë, kurse e keqja e keqe. Kurrë vrasja nuk do të bëhet vlerë, as vjedhja vepër e mirë, sikur që as gënjeshtra nuk mund të jetë virtyt i njerëzve të mirë e të ndershëm. Në të gjitha sferat tjera feja i lë dyert e hapura për idetë, ixhtihadin në të plotësuarit dhe përparuarit.
Thelbi i Islamit është racional dhe logjik, pranon diskutimin dhe dialogun, duke nxitur në përdorimin e arsyes dhe logjikës. Në shumë vende dhe në shumë faqe të Kur’anit hasim në pyetjen:
“A nuk kuptojnë, a nuk marrin vesh” . Islami kërkon që ithtarët e tij të jenë “dijetarë”:
“Krijesat më të këqija te All-llahu janë shurdhmemecët, të cilët nuk duan të kuptojnë.” (El-Enfâl, 22);
“Përse ata nëpër botë nuk udhëtojnë me qëllim që zemrat e tyre ta kuptojnë atë që duhet ta kuptojnë, veshët e tyre ta dëgjojnë atë që duhet ta dëgjojnë…” (El-Haxhxh, 46).
Nga ajetet e theksuara shihet se sa e respektojnë muslimani dhe feja e tij arsyen. Pozitiviteti dhe revolucionariteti janë nervat, respektivisht shpirti i Islamit, i cili kurrë nuk mund të jetë i prapambetur (reaksionar) dhe negativ:
“Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër atyre që ju luftojnë juve.” (El-Bekare, 190).
“All-llahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij në radhë si të jenë mure të fortifikuara.” (Es-Sâff, 4).
Islami kërkon luftën me jetë, pasuri dhe pasardhës (fëmijë); kërkon qëndrueshmëri dhe vendosshmëri; ballafaqim të guximshëm dhe durim në fatkeqësi. Por mbi të gjitha kërkon qëndrueshmëri të vazhdueshme. Të gjitha këto janë thelb i Islamit.
Si është e mundur atëherë që feja me këtë elasticitet, racionalitet, me këtë shtytje për shkencë dhe të studiuarit e natyrës (së “gjallë” dhe “të vdekur”), me këtë pozitivitet dhe revolucionaritet, të akuzohet për stagnim (të jetës) dhe prapambeturi?! Akuza e tillë mund të bëhet vetëm nga njeriu i cili nuk i njeh as gjërat elementare të fesë së tij dhe i cili nuk ka lexuar asnjë shkronjë nga Kur’ani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit