1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

A është feja e shqiptarit, Shqiptaria?! – Dom Gjergj Meta

Më të lexuarat

E kemi të ngulitur, të kthyer në klishe, na është thënë e stërthënë se ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’. Ç’domethënë në fakt kjo, brenda një konteksti të ri, a e ka dhe a duhet ta ketë kuptimin e kahershëm të 1900-ës, dhe pse vazhdon të qarkullojë me forcë dhe e patrazuar brenda ligjërimit shqiptar? A është më shumë Rilindase, apo na mbeti, në derë e në mendje, si rudiment i dogmës komuniste që kërkonte zëvendësimin e një Zoti me një zot tjetër? A është feja në fakt, diçka që shqiptarët duhet ta rimarrin, për t’u kthyer te e përshpirtshmja apo vakuumi me shqiptarizmin jo vetëm si atdhe, por edhe si fe, do mund të na kthehet në humnerë morale e shpirtërore?

Shqiptaria nuk është feja ime

Dom Gjergj Meta

Shqiptaria nuk është feja ime dhe shqiptaria nuk mund të jetë një fe. Fjala fe ka të bëjë ndoshta etimologjikisht me fjalën fides nga latinishtja apo edhe italishte fede. Tregon një marrëdhënie me një realitet të përtejmë, me hyjnoren, pra me një realitet absolut. Ngritja e patriotizmit në fe e kthen këtë të fundit në ideologji madje në idhujtari. Prandaj unë për veten time them se jam shqiptar, atdheu im është Shqipëria, por besimi (feja) im është krishtërimi. Të dyja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën madje e integrojnë mirë dhe nuk ngatërrohen.

Duke u kthyer edhe një herë te vargu pashkovasjan mendoj se duhet të shikojmë tekstin dhe kontekstin e këtij vargu. Ishim një popull pa atdhe, pa identitet, pa gjuhë e pa bari. Një thirrje e tillë reflekton nevojën e kohës. Ka brenda pathos emocional dhe poetik, por asesi nuk është një thirrje e tipi: mos shkoni në kisha e xhamia, por një thirrje që besimi im fetar mos të bëhet shkak përjashtues i tjetrit për një jetesë të përbashkët dhe harmonike. Kur besimi fetar bëhet pengesë për takimin me tjetrin i cili është përballë e pranë meje, atëherë kemi të bëjmë me fondamentalizëm, një barrierë arkitektonike e shpirtit që nuk i bën nder njeriut e as besimit të tij e kundërshton frymën hyjnore që gjendet brenda çdo njeriu si i krijuar nga i njëjti Hyj. E rimarrë në kohë maksima pashkovasjane është përdorur nga komunizmi sigurisht, por edhe nga një lloj iluminizmi patriotik i cili në emër gjoja të patriotizmit dëshiron të largojë Hyjin nga sferat publike të jetës. Në Shqipëri kjo ndodh aty-këtu në emër të nacionalizmit, kurse në Europë ndodh edhe në emër p.sh. të të drejtave të njeriut, të cilat jo rrallëherë kthehen në një alternativë ndaj hyjnores duke dashur të krijojnë një themel që themel nuk mund të jetë.

Në realitetin aktual unë e shikoj disi të tejkaluar tezën sipas së cilës shqiptarizma është një vlerë për të cilën duhet të luftohet me mish e me thonj. Sot ne kemi kufij ndërkombëtarisht të njohur, kemi marrëdhënie të mira me fqinjët tanë dhe me vendet e tjera pavarësisht keqkuptimeve dhe tensioneve që nganjëherë lulëzojnë aty këtu. Por përveç kësaj shqiptarët duket se kanë zgjedhur Europën dhe integrimin në familjen europiane. Ky është një element më shumë për ta shikuar atdheun në një perspektivë dhe këndvështrim tjetër, më të gjerë dhe më mendjehapur se sa ai i kufijve nacionalë. Me shkrirjen e kufijve në një të ardhme europiane gjithë përpjekja jonë duhet të jetë te ruajtja e identitetit kulturor dhe tradicional. Unë mendoj se sot atdhedashuri do të thotë punë për të mirën e përbashkët, për integrimin e vendit, për promovimin kulturor të tij e mbi të gjitha sot atdhedashuri do të thotë dashuri për familjen. Ne shpesh harrojmë se dy fjalët me të cilat cilësojmë atdheun, sikurse kanë saktësuar edhe ipeshkvijtë katolikë në letrën e tyre me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë Fides et Patria, janë atdhe dhe mëmëdhe, dheu i atit dhe dheu i nanës. Një dashuri për atdheun që nuk kalon nga dashuria për familjen dhe të afërmit nuk është atdhedashuri, por thjesht një propagandë boshe e cila fsheh interesa elektorale ose ekonomike.

Konteksti historik aktual na kërkon dhe na imponon rizgjimin dhe forcimin e disa vlerave sikurse janë familja, jeta, mikpritja, besa të cilat mund dhe duhet t’i importojmë në familjen e madhe europiane ku duam të integrohemi.

Dua ta përmbyll me një citim nga një dokument shumë i lashtë i krishtërimit që quhet Letra e Diognetit. Ndër të tjera aty shpjegohet edhe marrëdhënia që të krishterët kanë me atdheun e tyre: të krishterët “…jetojnë në atdheun e tyre, por si të huaj; marrin pjesë në gjithçka si qytetarë, por janë të shkëputur nga gjithçka si të ishin të huaj. Çdo atdhe i huaj është atdheu i tyre dhe çdo atdhe është i huaj për ta…Banojnë në tokë, por janë qytetas të qiellit”./INA/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit