3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A ËSHTË E MUNDUR TË EVOKOJMË BASHKARISH 100-VJETORIN E LUFTËRAVE BALLKANIKE?

Më të lexuarat

Megjithëse qëllimi i përbashkët i shumicës së aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të Luftërave Ballkanike është transmetimi i mesazheve të miqësisë dhe paqes lidhur me të ardhmen e rajonit, vendet e Ballkanit e kanë të vështirë ta evokojnë së bashku këtë përvjetor jubile.

Kanë kaluar plot 100 vjet nga Luftërat Ballkanike, që u përjetuan në vitet 1912 dhe 1913. Me rastin e 100-vjetorit të këtyre luftërave, në Turqi dhe vende të tjera po organizohen aktivitete të ndryshme. Mund të themi se qëllimi i përbashkët i shumicës së aktiviteteve në fjalë është transmetimi i mesazheve të miqësisë dhe paqes lidhur me të ardhmen e rajonit. Megjithatë, vendet e Ballkanit e kanë të vështirë ta evokojnë së bashku përvjetorin e 100-të të Luftërave Ballkanike dhe të shprehen me fjalë të përbashkëta për to.

Sipas Dr. Erhan Tyrbedarit, specialist për Ballkanin pranë Fondacionit Turk për Kërkime mbi Politikat Ekonomike (TEPAV), kur bëhet fjalë për historinë e Gadishullit Ballkanik, intelektualët e rajonit arrijnë të bien dakord mbi shumë pak çështje dhe përgjithësisht u besojnë të vërtetave të ndryshme. Është e qartë se historianët nga Ballkani nuk mund të shfaqin një qëndrim të përbashkët edhe për Luftërat Ballkanike, që tronditën rajonin dhe lëvizën nga vendi shumë gurë në vitet 1912 dhe 1913. Sa i përket arsyes, Luftërat Ballkanike në fjalë mbartin kuptime të ndryshme për popujt të ndryshëm të rajonit. Për disa ato ishin luftëra nacionalçlirimtare, të tjerë besojnë se ishin cungim dhe ndarje e territoreve të vendit, ndërsa një pjesë pretendon se Luftërat Ballkanike ishin mizori dhe një spastrim etnik. Prandaj Turqia dhe vendet e Ballkanit hasin në vështirësi lidhur me përkujtimin e përbashkët të 100-vjetorit të Luftërave Ballkanike të viteve 1912 dhe 1913. Dhe faktikisht, në disa aktivitete që organizohen me këtë rast, më shumë se sa për vet Luftërat Ballkanike preferohet të flitet për periudhën 100 vjet pas tyre. Por për fat të keq, rrethet ultranacionaliste janë gjithnjë gati të shqetësohen madje edhe nga aktivitetet, që përpiqen të japin mesazhe paqeje dhe miqësie.

Kohëve të fundit po bëhen kritika se përgjithësisht, kur në një vend organizohen aktivitete për 100-vjetorin e Luftërave Ballkanike, roli i vendit në fjalë gjatë luftërave ka qenë më pozitiv, ndërsa ai i vendeve të tjera më negativ. Nga ana tjetër, rrethet nacionaliste në vendet e rajonit kërkojnë që përvjetori i 100-të i Luftërave Ballkanike të përkujtohet në mënyrë më realiste. Si shembull për këtë mund të themi se disa rrethe serbe kërkojnë që të vihet theksi mbi fitoren e Serbisë në Luftërat Ballkanike. Turqia po ashtu kërkon që 100-vjetori i Luftërave Ballkanike të evokohet me mizoritë dhe ligësitë, që u janë bërë turqve dhe myslimanëve të tjerë në rajon. Si përfundim, në rajon mund të shkatojnë polemika nacionaliste madje edhe aktivitetet më të sinqerta dhe vullnetmira lidhur me Luftërat Ballkanike.

Megjithatë, edhe pse palë të ndryshme kanë të vërteta të ndryshme rreth Luftërave Ballkanike, këtë të vërtetë themelore nuk mund ta mohojë askush: Popujt dhe kombet e Ballkanit arritën një marrëveshje të rrufeshme për t’i shpallur luftë Perandorisë Otomane. Por të njëjtat vende nuk arritën dot të binin dakord për sa i takon pikës, apo kufirit gjeografik, etik dhe moral, se ku do t’u jepej fund këtyre luftërave. Ky ishte edhe shkaku kryesor i shpërthimit të Luftës së Dytë Ballkanike. Me mendimin se është më mirë sikur përfitohen më shumë territore, vendet ballkanike vrapuan për të mbërritur sërish në kufijtë e shteteve më të mëdha, që faktikisht i kishin krijuar në Mesjetë.

Një nga gabimet dhe iluzionet esenciale të vendeve, që arritën t’i zgjeronin territoret e tyre, ishte se ata mendonin që territoret e reja të përfituara në luftë u përkisnin plotësisht popujve dhe kombeve të tyre. Sepse në ato troje jetonin prej shekujsh njerëz me identitete të ndryshme etnike dhe fetare. Problemet e ndryshme të përjetuara në Ballkan rrjedhin pikërisht nga neglizhimi i kësaj të vërtete. Për më tepër, kufijtë politikë të rajonit nuk përputheshin me kufijtë etnikë ekzistues edhe pas Luftërave Ballkanike. Shumë njerëz nga një komb, që në disa vende përbënte shumicën, vazhdonin të mbeteshin brenda kufijve të vendit fqinj. Kjo situatë në të kaluarën ka ndezur luftëra të reja në Ballkan.

100 vite më parë popujt dhe kombet e Ballkanit ishin në një udhëkryq. Ata duhet të merrnin vendime jetike për të fituar pavarësitë e tyre. Por e çuditshme është se edhe 100 vjet pas Luftërave Ballkanike disa vende të rajonit gjenden ende në udhëkryq dhe në atë situatë, që të detyron të marrësh vendime të rëndësishme. E keqja e të keqes është se edhe pas 100 vitesh, vendet, popujt dhe kombet e Ballkanit nuk arrijnë të mbajnë një qëndrim të përbashkët apo të shprehen me fjalë të përbashkëta. Prandaj zhvillimet në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë vazhdojnë të kenë një potencial të madh për ta tronditur rëndë paqen dhe sigurinë në Ballkan. Rruga më e sigurt për të shpëtuar nga një situatë e tillë është zhvillimi i bashkëpunimit rajonal në Gadishullin Ballkanik. Dhe ndërsa e bëjnë një gjë të tillë, njerëzit e rajonit nuk duhet të mbeten robër të së kaluarës, por duhet të shikojnë drejt të ardhmes./trt

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit