Pyetja:
Kam një pyetje që mua dhe bashkëshortin tim na solli deri te një mosmarrëveshje. Kam dëshirë ta di: A është e lejuar të shkosh në dasmën e dikujt të familjes, nëse aty pihet edhe alkool, po kuptohet qe ne mos ta pimë?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar, ajeti me të cilin ndalohet alkooli për muslimanin thuhet kështu: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Prandaj, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)
Në këtë ajet kur thuhet: “…prandaj, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” vërejmë se ndalesa e alkoolit përfshin më shumë se pirjen dhe konsumimin. Për këtë edhe transmetohet se Enes ibën Maliku ka thënë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem në çështjen e alkoolit i mallkon dhjetë lloje njerëzish: atë që e shtrydh atë, atij që i shtrydhet ajo, atë që e pi, atë që e bart, atij të cilit i bartet, atij që i serviret, atë që e shet, atë që ha nga fitimi i tij, atë që e blen, atij të cilit i blihet.” Shënon Tirmidhiu.
Gjithashtu Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, mos të ulet në tavolinën në të cilën pihet (në një transmetim tjetër qarkullon) alkooli.” Shënon Darimiu dhe Tirmidhiu.
Duke pasur parasysh këto që përmendëm, themi se nuk është e drejtë që besimtarja e cila mundohet t`u përmbahet urdhrave të Allahut, të jetë e pranishme në ato tubime dhe ahengje në të cilat pihet alkooli, pasi kjo gjë e hidhëron Allahun dhe është një veprim i cili në një formë manifeston pajtueshmëri me ata që e pinë atë. Islami nuk është që njeriu të shikojë vetëm veten dhe të mos interesohet për të tjerët, por secili musliman varësisht prej mundësive e ka përgjegjësi dhe duhet të interesohet në udhëzimin e të tjerëve në atë që është e drejtë dhe e mirë.
Në këtë vend dëshirojmë ta cekim edhe atë se i kemi parasysh rrethanat dhe gjendjen e shoqërisë në të cilin jetojmë dhe është shumë e mundshme se vendi për të cilin kundërshtoi burri juaj, që të shkoni, mund të jetë edhe dasmë e ndonjë të afërmi të ngushtë, madje edhe e të vëllait, por megjithëkëtë duhet të keni mirëkuptim edhe ju. Ne nuk themi se në asnjë formë nuk lejohet të jeni e pranishme në dasma të këtilla, posaçërisht nëse është dasmë e familjes së ngushtë, por nëse është e mundur t`i ikni dhe nëse kjo nuk do të shkaktojë shumë probleme, atëherë mos shkoni. Por nëse jeni e detyruar për shkak të mbajtjes së lidhjes me familjen, që në të ardhmen kjo afërsi do të kontribuojë në përmirësimin e tyre, atëherë ndoshta do të ishte e mundur të shkoni, por duke pasur parasysh t`i ikni uljes në tavolina ku pihet alkooli. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
4.1.2009