Pyetja:
A është caktim i Allahut vdekja e njeriut në çdo lloj rrethane?
***
Përgjigjja:
Ne jemi përgjegjës për jetën tonë dhe jemi përgjegjës për mënyrën e vdekjes tonë. Ne do të japim llogari para Allahut të Madhëruar për atë që e bëjmë me vetëdije, me vullnet dhe me liri të plotë si dhe me mundësitë që kemi.
Ndërsa Allahu ka caktuar cdo gjë, ndonëse për ne mund të jetë e pakuptimtë se si lidhen këto. Lidhen ngase caktimi i Allahut lidhet me dijen e Tij. Dhe se Allahu na ka dhënë liri të mjaftueshme që ne brenda kësaj liri të operojmë dhe veprojmë, e të angazhohemi dhe për aq sa kemi pasur mundësi dhe liri ne do të japim llogari para Allahut.
Prandaj një njeri që ka vrarë vetën dhe ka vdekur në këto rrethana (vetëvrasje) apo nëse ka vdekur i dehur, ose ka vdekur i droguar, ai do të jap llogari para Allahut për këtë rrethanë që ia ka shkaktuar vetës së tij dhe në këtë gjendje ka vdekur. Dhe nuk ka mundësi të arsyetohemi tek Allahu se Ai e ka caktuar kështu, pse? Sepse ai ka vepruar në bazë të lirisë dhe vullnetit të plotë që ka pasur. Askush nuk ia ka imponuar, askush nuk e ka kufizuar e as detyruar por vetë e ka vepruar, prandaj edhe do të jap llogari.
Shpeshherë e kemi përmendur se tek caktimi i Allahut neve duhet të na interesojë pjesa që na takon neve. Sepse shpeshherë duke u marrur me atë se çfarë ka caktuar Allahu po i harrojmë punët tona. Andaj punët tona kanë të bëjnë me angazhimin tonë, me veprat tona. Kështu që në cdo gjë shiko përgjegjësit e tua që ke karshi saj, a ka caktuar Allahu apo jo nuk është mesele e jotja.
Ne e dimë se nuk ndodhë asgjë pa dijen e Allahut, nuk ka mundësi. Nuk ndodhë asgjë pa lejen e Allahut, nuk ndodhë asgjë pa caktimin e Tij, por kjo nuk duhet të na pengojë neve që të kujdesemi, të ruhemi, të i shfrytëzojmë mundësitë tona si duhet dhe në fund të dalim para Allahut faqebardhë.
Nuk ka kundërshtim mes këtyre dyjave. Por kur ne vazhdimisht e mbajmë vëmendjen tonë tek Allahu se a e ka caktuar e si e ka caktuar, e i harrojmë përgjegjësitë tona atëherë na mjegullohet situata dhe pamja. Ne duhet të shikojmë se si na duhet vepruar, se çfarë na duhet vepruar, kjo është përgjegjësi e jona e tjerat pastaj nuk janë në dorën tonë.
Hoxhë Enis Rama