3.4 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

A e rrezikon kursimi demokracinë?

Më të lexuarat

Kur barnat e vdesin pacientin, ato nuk kanë vlerë. Programet radikale të kursimit për Eurozonën kundërshtohen nga njerëzit në vendet e prekura, edhe nga (dhe kjo është e habitshme) përfaqësues të fushës financiare.

Pacienti grek gjendet në shtratin e të sëmurit dhe rënkon. Ekonomia tkurret, shkurtohen vende pune, dhe populli proteston nëpër rrugë. Mjekët e dërguar nga troika (Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) i masin rregullisht pulsin. Po aq rregullisht ata i thonë pacientit se duhet të përpiqet më shumë dhe duhet të kursejë akoma më shumë.

Ed Parker i agjencisë së vlerësimit Fitch e përmbledh kështu logjikën e mjekëve: “Greqia ka një deficit buxhetor prej 15 për qind të kapacitetit ekonomik dhe nuk ka qasje në tregjet e kapitalit. Duket qartë që vendi ka nevojë për një kurs kursimesh të ashpër.”

Mirëpo të kursyerit e tepërt mund të jetë i dëmshëm, thotë William White. Ekonomisti kanadez punon si këshilltar për organizatën e vendeve të industrializuara OECD, por thekson se flet vetëm në emër të vet. “Kur barnat e vdesin pacientin, atëherë ato nuk kanë vlerë. Në Greqi sundon prej vitesh recesioni. Grupe profesionale të tëra po shtegtojnë jashtë Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë. Po ta minosh në këtë mënyrë bërthamën e forcës produktive, saqë pacienti rrezikon të vdesë, atëherë nuk ka kuptim t’i japësh atij edhe më shumë nga të njëjtat barna.”

Në mënyrë që Greqia dhe vendet e tjera të goditura të euros të rifuqizohen, duhet të rritet ekonomia. Mirëpo, parakusht për këtë është që këto vende të jenë të afta për konkurrencë, thotë Elga Bartsch, kryeekonomiste përgjegjëse për Evropën e bankës amerikane Morgan Stanley. Më parë, pra para futjes së euros, kjo mund të arrihej nëpërmjet nënçmimit të monedhës kombëtare. Kësisoj bëheshin më të lira dhe më konkurruese jashtë vendit prodhimet vendase. “Në një bashkim monetar çmimet dhe pagat duhet të jenë të epshme, nga lart dhe nga poshtë. Vetëm kështu mund të arrihet përshtatja, që në të kaluarën kryhej nëpërmjet kursit të këmbimit.”

Bashkimi Evropian interesohet vetëm për programe kursimi, thotë Charles Dumas drejtor i Lombard Street Research, një firme këshilluese në investime me seli në Londër. Kushtet e kursimit të Bashkimit Evropian shkaktojnë mjerim në masë, dhe për këtë duhet akuzuar posaçërisht qeveria gjermane, vijon ai. Fundja është një nismë gjermane që shëndoshja e financave të vendoset mbi gjithçka tjetër, thotë Dumas. Vendet e Eurozonës duhet të vendosin çdo tre muaj për pagesat e ndihmave për Greqinë. Por, ngaqë te gjendja nuk ndryshon asgjë, është vetëm çështje kohe derisa në vendet dhuruese të kthejë opinioni, përfundon Dumas./DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit