Vendimi i përdorimit të injeksioneve ushqyese, insulinës, vaksinimit dhe anestezisë
Injeksionet që përdor i sëmuri ndahen në përgjithësi në dy grupe:
Grupi i parë: Injeksionet shëruese, të cilat përmbajnë vetëm ilaçe dhe shërim, por jo ushqim, pa marrë parasysh a përdoren nën lëkurë, në muskuj apo në damarë.
Përdorimi i këtyre injeksioneve lejohet dhe këtu futen vaksinimi, anestezia lokale, insulina.
Të gjitha këto nuk e prishin agjërimin sepse nuk kanë lidhje me stomakun, barkun apo me aparatin e ushqimit të njeriut.
Grupi i dytë: Injeksionet që përmbajnë lëndë ushqyese, të cilat jepen kur njeriu është i sëmurë, i plogësht apo pas ndonjë operimi, si për shembull: glukoza dhe serumi.
Këto futen në trup dhe kryejnë funksionin e të ushqyerit (ngrënies dhe pirjes), saqë njeriu rri me ditë e net pa ngrënë asgjë duke u mbështetur vetëm në këto injeksione ushqyese, prandaj konsiderohen prej gjërave prishëse të agjërimit dhe përdoruesi i tyre duhet të kompensojë.
Referencat:
1 – Mexhmu’ul-Fetava të Bin Bazit
2 – Mesail anis-Sijam, El-Uthejmin
3 – Tebsiretul-Enam bi ehemmi mesailis-Sijam, Abdullah el-Hamadi
4 – Sifatu Savmin-Nebijj, Ali el-Halebi & Selim Hilali