1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

A e ke provuar këtë, apo mos ndoshta turpërohesh?!

Më të lexuarat

Përgatiti: Almedin Ejupi

A ke provuar ndonjë ditë t’i shkruash mëkatet e tua? Provo. Vërtet është një përvojë e dobishme në mënyrë që ta kuptosh realitetin tënd si dhe të mundohesh të zgjohesh nga pakujdesia dhe mëkatet.

Merr një copë letër dhe një laps. Kujtoje ditën që ke arritur moshën madhore, moshën kur veprat tua kanë filluar të regjistrohen. A të kujtohet mëkati i parë që ke bërë në jetën tënde?

Cili është mëkati i parë i regjistruar në regjistrin tënd?

Po i dyti, i treti?… atëherë do të kuptosh realitetin e rrezikut në të cilin je, dhe atëherë do ta kuptosh domethënien e ajetit:

“Allahu të gjitha i ka shënuar, edhe pse ata i kanë harruar.” (Muxhadele: 6)

Sa herë ke shkruar, do të zbulosh se ekziston mëkat tjetër që nuk e ke shkruar, një tjetër dhe një tjetër. Pasi t’i kesh shkruar mëkatet, të gjithë nga ato që ke mundur, më trego, a ke dëshirë që këtë regjistër ta shohë babai yt, nëna apo vëllai yt, motra, miku, shoku, drejtori, punëdhënësi, a dëshiron që ta shoh ndonjëri?

Ti mund ta fshehësh nga sytë e njerëzve dhe të mos e sheh askush, por nga Zoti i njerëzve, të Cilit nuk mund t’i fshihet asgjë?!

“Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Levhi Mahfudh).” (En’am: 59)

Allahu i di të gjitha këto për ty, madje edhe më tepër. Engjëjt e Tij shkrues kanë regjistruar çdo gjë rreth teje. Ai është i Dituri dhe i Gjithëinformuari. Ai di çdo gjë për ty, të fshehtën dhe të haptën tënde. Ai e di për mëkatin tënd që e ke fshehur nga sytë e njerëzve. E di këtë mëkat që është në zemrën tënde. Ai di çdo gjë. Madje, Ai të ka parë edhe duke e kryer mëkatin, por të shtyn afatin.

A nuk turpërohesh nga Ai? Ndërsa në Ditën e Kiametit:

“Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Kehf: 49)

Ndërsa nga mirësia dhe mëshira e Tij e madhe, Ai thotë:

“Thuaj: O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë.” (Zumer: 53-55)

Kthehu Atij, Ai të pranon. Kërkoji falje për gjithçka që ke bërë, Ai të falë. Ki kujdes dhe mos u vono!  Nxito para se:

“Që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!” Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”. Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”! (Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kur’ani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë”. Në Ditën e Kiametit do t’i shihni ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun, me fytyra të nxira. Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!” (Zumer: 56-60)

O Allah, na i fal mëkatet tona me faljen Tënde o Falës Bujar. Na i mbulo ato në dynja e ahiret! Na i zbardh fytyrat tona në ditën kur disa fytyra do të zbardhen e disa do të nxihen. Amin!

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit