1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

A e dini se ç’është përgojimi?

Më të lexuarat

Përgojimi:I cili është: të përmendurit e vëllait tënd më gjëra që, nëse atij i tregohen, nuk i vjen mirë, pavarësisht se a përmendet ai me ndonjë të metë në trupin, në prejardhjen, në moralin, në veprën, në të folurit, në fenë apo në dynjanë e tij; bile edhe në rrobat, në shtëpinë apo në kafshën e tij.

Transmetohet nga Ebu Hurejreh – radijAllahu anhu -, se Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“A e dini se ç’është përgojimi?” Thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”. Tha: “Të përmendurit e vëllait tënd më gjëra që ai i urren”. Shokët e tij thanë: “E, çfarë mendon, nëse vëllai im e ka atë për të cilën kam folur?”. Tha: “Nëse ai e ka atë për të cilën ke folur, atëherë e ke përgojuar; nëse jo, ke shpifur ndaj tij” (Transmeton Muslimi).

Përgojimi është i ndaluar për çfarëdo lloj shkaku, pavarësisht se a bëhet për shkak të shuarjes së urrejtjes (brenda njeriut, sh.p.), për lajkatim ndaj të pranishmëve dhe ndihmesën e tyre në të folur, për t’ua bërë qejfin, për shkak të zilisë, të lojës apo të talljes si kalim kohe, dhe kështu përmend të metat e të tjerëve duke i bërë të pranishmit të qeshin.

Allahu i Lartësuar e ka ndaluar përgojimin dhe ua ka tërhequr vërejtjen nga ai robërve të Tij, siç thotë:
“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë” (El-Huxhurat-12).

Ndërsa në hadithin, i cili transmetohet nga Ebu Hurejreh, Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – thotë:
“Muslimani në tërësi është i ndalur për muslimanin; gjaku i tij, pasuria e tij dhe nderi i tij” (Transmeton Muslimi).

Dhe ka thënë – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në fjalimin e Haxhit lamtumirës:
“Vërtet, gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjta (ndaluara) për ju ashtu siç është e shenjtë kjo ditë juaja, në këtë muaj tuajin dhe në këtë vend tuajin. A e kam përcjell porosinë?!” (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejreh se Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sellem – ka thënë:
“Prej kamatës më të keqe është thellimi i njeriut në (shkeljen) nderin e vëllait të tij” (Bez-zari dhe Ebu Daudi).

Janë tepër të shumta hadithet autentike të cilat ndalojnë e qortojnë përgojimin, si dhe që paralajmërojnë kundër tij.

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
Marrë nga “Meusua’tu fetaua el-lexhneti ue-l-imamejn

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit