-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

A duhet të legalizohet aborti

Më të lexuarat

A duhet të legalizohet aborti


Abort është dalja e embrionit nga mitra e femrës para se ai të mund të jetojë vetvetiu d.m.th. para se të arrijë 6 muaj që nga data e fekondimit ose para se ta arrijë peshën 0.5 kg. Ose ndryshe, disa e quajnë abortin si mbytje e foshnjës para se të lindë.

Aborti mund të jetë spontan dhe artificial. Aborti spontan është të dalurit e embrionit nga mitra e nënës në mënyrë të natyrshme pa ndikim të jashtëm të çfarëdo forme të ndikimit. Si p.sh. i ashtuquajturi aborti i harruar. Ky ndodh që foshnja të mos zhvillohet fare pasi të ketë ndodhur fekondimi dhe të zhduket me gjakderdhje. Pastaj aborti si shkak i frikës, apo lodhjes etj.

Aborti artificial mund të jetë terapeutik dhe kriminal. Aborti terapeutik është aborti artificial që bëhet për motive shëndetësore qoftë të nënës apo të fëmijës. Lloji i abortit, për të cilin ne duhet dhe mund të diskutojmë është aborti artificial kriminal, kurse për abortin terapeutik do të ndajmë një paragraf dhe të shohim se me çfarë kushte mund të lejohet.

Motivet e abortit artificial

– motive medicinale si shkak i rrezikimit të jetës së nënës;

– motive të gjendjes shëndetësore të embrionit si përcjellje e ndonjë sëmundje trashëguese ose tjetër;

– motive shoqërore për të mbuluar turpin e marrëdhënieve seksuale ilegale;

– motive sociale duke u frikësuar se shtimi i një anëtari të ri në familje shkakton pamundësi për përkujdesje financiare;

– motivi i planifikimit familjar duke përcaktuar numrin e dëshiruar të anëtarëve të familjes etj.

Në këtë punim të shkurtër, do të mundohemi të bëjmë fjalë për abortin artificial kriminal, të legalizohet apo jo si dhe pse? Do të mundohemi që kësaj çështjeje t’i qasemi nga aspekti fetar islam, nga aspekti shëndetësor si dhe nga aspekti social, duke përdorur në këtë të fundit edhe logjikën.

Pse duhet që të konsultohet qëndrimi islam në lidhje me abortin?

Feja islame, si fe e vërtetë dhe e shpallur prej Allahut, Krijuesit të gjithësisë, përveç anës së besimit dhe adhurimit, në vete përmban edhe anën ligjore, me anë të secilës Ligjvënësi i Madhëruar ka rregulluar anën juridike të jetës së njeriut besimtar. Sidomos në ato çështje, për të çilat mendja e shkurtër dhe e kufizuar e njeriut është e paaftë që të vërë rregull stabil, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Kështu që, sistemin ligjor islam e gjejmë modelin e parë legjislativ, prej të çilit u shërbyen ligjvënësit në tokë. Se sa korrekte dhe aktuale janë mësimet kuranore, dëshmojnë dëshmitë e shumta dhe të shpeshta të shumë e shumë shkencëtarëve që me mund e sakrificë të vetëmohueshme, angazhohen tërë jetën e tyre për të zbuluar diçka nga shkenca bashkëkohore, dhe në fund e gjejnë se ai studim i tyre është përmendur qysh para 14 shekujve në fjalën hyjnore të Allahut, në Kuran. Siç është rasti i shkencëtarit të madh në lëmin e anatomisë dhe embriologjisë, Keith L. Moore, profesor në Universitetin e Torontos në Kanada, i cili pas një studimi të gjatë në etapat e krijimit të njeriut në mitër, erdhi në përfundim se kjo gjë në mënyrë të detalizur ishte përmendur në Kuran para 1400 viteve. Gjë kjo, që e bëri të pranojë Islamin dhe të shkroi librin që bëri krahasim në mes të mësimeve islame (Kuranit dhe Sunetit) dhe shkencës bashkëkohore me titull: “The Developing Human, clinicially oriented embryology”, i cili u përkthye në më shumë se tetë gjuhë të botës. Rasti tjetër është i shkencëtarit tjetër amerikan Marshall Xhonson, përgjegjës i katedrës së anatomisë të Universitetit “Tomas Xheferson” në Filadelfia të SHBA-së. Shkencëtari Xheferson u befasua se si Muhamedi të kishte mundur që në Mesjetë të bëjë një zbulim të tillë, etapat e zhvillimit të embrionit. Pas meditimit erdhi në përfundim se Muhamedi (alejhi selam) nuk ka pasur kushte që të dijë në atë kohë për këtë gjë dhe u bind se kjo është fjalë e Zotit, Krijuesit të embrionit, dhe e përqafoi Islamin. Për më gjerësisht shiko librin “Mrekullitë shkencore në Kuran” të autorit Abdulmexhid Zendani.

Nuk është çudi për këto lloj rastesh, sepse Allahu i Madhërishëm ka treguar në Kuran dhe ka thënë: “E atyre që u është dhënë dije, atë që të është shpallur nga Zoti yt e kuptojnë se vetëm ajo është e vërtetë dhe udhëzon në rrugën e të Gjithëfuqishmit dhe të Lavdëruarit.” Sebe, 6.

Që të debatohet rreth një çështjeje se duhet të lejohet apo jo, patjetër duhet të studiohen rrethanat e asaj çështjeje si dhe duhet të ketë ndonjë bazë mbi të cilën mund të mbështetemi eventualisht për të qenë sa më korrektë dhe sa më të drejtë që përfundimi mos të rezultojë me humbjen e të drejtës së dikujt me arsyetim të respektimit të dëshirës së dikujt tjetër. Në situata të këtilla logjika e njeriut, krahas trajtimit të saj si e pastër dhe e shëndoshë, nuk është në gjendje të arrijë deri te një vendim i drejtë që për kohëra të gjata dhe interesa gjithëpërfshirëse të ketë vitalitetin e drejtësisë dhe të mbrojtjes së të drejtave të krijesave, madje njeriut. Andaj patjetër duhet të shkohet në atë, që e thotë burimi hyjnor e që në këtë rast do t’i ishim qasur në mënyrë direkte në udhëzimet islame, duke e pasur parasysh origjinalitetin e kësaj feje. Atë që e ka zgjedhur Krijuesi Absolut, është e drejtë dhe u përgjigjet nevojave të të gjitha kohërave. Allahu në Kuran thotë: “Ty Muhamed të dërguam mëshirë për të gjitha botët.” Enbija, 107.

Andaj në temën që po zbërthejmë, patjetër duhet të konsultohet mendimi dhe qëndrimi i Islamit ndaj abortit, nëse dëshirojmë të vijmë deri te një përfundim i shëndoshë.

Qëndrimi i Islamit ndaj abortit

Aborti sipas sheriatit islam është i ndaluar në të gjitha fazat e embrionit, duke filluar me fekondimin e spermës së mashkullit në vezoren e femrës e deri në lindje. Allahu thotë: “Dhe mos i mbytni qeniet të çilat i ka ndaluar Allahu, përveç me arsye të drejtë.” Mirëpo kjo ndalesë fuqizohet edhe më tepër, kur embrioni i kalon 40 ditë që me këtë rast bëhet formësimi i foshnjës. Ndërsa ndalohet rreptësisht, atëherë kur ai i kalon 120 ditë, kur i vjen shpirti dhe vërehet i gjallë në mitër. Në këtë rast abortimi i tij në Islam konsiderohet krim ndaj njerëzimit.

Embrioni në Islam i gëzon të drejtat e foshnjës së lindur. Nëse vdes trashëguesi, p.sh. babai, nuk shpërndahet trashëgimia deri sa të lind edhe ai që është në mitër si trashëgimtar i mundshëm nga pasuria e lënë. Pastaj nuk lejohet që nëna shtatzënë të martohet në rast të shkurorëzimit apo vdekjes së bashkëshortit, gjegjësisht babait, deri sa ta lindë atë që e ka barrë. Nëse shtatzania vjen si rezultat i imoralitetit, nuk lejohet në sheriatin islam të ekzekutohet dënimi i kurvërisë mbi femrën me barrë, deri sa të lind foshnja, pastaj të përfundojë edhe gjidhënia. Femrës shtatzënë, në Islam i lejohet të mos agjërojë në ramazan, ndonëse agjërimi i ramazanit është obligim i fortë për muslimanët, nëse rrezikohet shëndeti i foshnjës në embrion. Në të gjitha këto raste, nuk lejohet që të abortohet fëmija për hirë të obligimeve ndaj Allahut, andaj vallë si të lejohet aborti për hirë të “dëshirave” të krijesave!

Abortuesi, mjeku apo kushdo qoftë, i foshnjës, që ka kaluar 120 ditë, dënohet me të njëjtin dënim sikur të kishte kryer krim ndaj foshnjës së lindur. Shumë dijetarë islamë këtë dënim e shohin edhe për atë që aborton foshnjën që ka kaluar vetëm 40 ditë.

Të ndalemi pak te fjala e Allahut, subhanehu ue teala, ku thotë: “Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës. Ai krijon çka të dojë. Ai i falë vetëm femra atij që do, e i falë vetëm meshkuj atij që do. Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril). Ai është i Dijshëm, i Fuqishëm.” Shura, 49-50.

Nga kjo duhet të jemi të sigurt se fillimi i formimit të embrionit nuk varet nga ne. Sa e sa njerëz shpenzojnë kohë e mjete të mëdha materiale për ta arritur shtatzani. Por kjo nuk varet nga vetë njeriu. Andaj si i jep guxim njeriu vetes që të luajë me atë që Allahu i Madhërishëm e ka vendosur në mitër? A nuk frikësohet njeriu se mund të sprovohet pastaj me përbuzjen nga Allahu?

Aborti në aspektin sociologjik

Të lejohet apo jo aborti është një temë sa interesante po aq edhe joreale. Kjo do të thotë të legalizohet apo jo krimi në embrion ose më mirë të themi, krimi mbi fëmijët e së nesërmes së afërt, gjegjësisht krimi mbi një pjesë të së ardhmes së një populli.

T’i thuhet po abortit vetvetiu shtrohet pyetja tjetër, fëmija i lindur me të meta fizike etj., për të cilin duhet shpenzuar shumë nga pasuria, vetëm e vetëm të ta shpëtojmë nga vdekja e shpeshherë me aspak optimizëm për shërimin e tij dhe mbi të gjitha i padëshirueshëm për familjen në atë gjendje. Shtrohet pyetja pse në këtë rast të mos shkohet me “zgjidhjen” të lirë në kosto, dalje nga telashet e jetës dhe të mbytet fëmija i tillë?! A nuk është vendosje e lirë në këtë rast që prindërit të rehatohen nga ky fëmijë dhe ta largojnë nga jeta?

Besoj se është e qartë dhe mjaft e kapshme që dallimi i këtij fëmije dhe embrionit të shëndoshë, i cili pas pak muajve mund të jetë një dritë e mirë, që do të mund ta gëzonte të drejtën e tij për jetë. Nëse për embrionin mund të themi se ai ende nuk është i gjallë dhe nuk di, atëherë edhe foshnja është e tillë.

Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Të thyhet ashti i njeriut të vdekur është sikur t’ia thyesh atë kur ai është gjallë.” Kjo është me të vdekurin, i cili nuk mund të kthehet më në këtë jetë, në dynja. E çfarë është qëndrimi njerëzor me atë, i cili do të lindet dhe do të vijë në jetë?!

Arsyeja e lirisë demokratike se njeriu mund të veprojë dhe të shprehet i lirë, nuk guxon t’i shkelë normat e arsyes dhe ta legjitimojë krimin në fëmijë.

Aborti sot i mbyt më shumë se 102000 (njëqind e dymijë) foshnje në Kanada brenda një viti. Kurse në SHBA i mbyt 1.5 milion foshnje në vit.

Nëse shtrohet pyetja a më mirë është të bëhet abortimi i foshnjave të paplanifikuara apo të linden e pastaj të braktisen nëpër kontiniere e të mbeten pa përkujdesje familjare e të përfundojnë si të vdekur apo si fëmijë të paidentifikuar?

Ne themi se të dy këto opsione janë të papranuara, dhe si të tilla, njëra nuk mund ta justifikojë tjetrën. Pra, braktisja e foshnjës së porsalindur nuk e arsyeton mbytjen e tij në barkun e nënës. Por institucionet shtetërore mund t’i marrin masat e duhura në parandalimin e këtyre krimeve duke sanksionuar dhe duke ndaluar me ligj marrëdhëniet seksuale joligjore. Në këtë mënyrë do të parandalohej aborti kriminal, braktisja e foshnjave të gjalla si dhe kurvëria një krim tjetër edhe nëse nuk rezultojnë pasoja të menjëhershme. Pra do të parandaloheshin sëmundje të shumta që vijnë nga kjo vijë tepër negative për shoqërinë që përfundon me virusin HIV pozitiv. Pra liria e abortit çon deri te legalizimi i prostitucionit dhe kurvërisë, ndërsa këto të fundit sjellin fatkeqësitë shëndetësore që janë rrezik pastaj edhe për pjesën e pastër dhe të moralshme të shoqërisë.

Aborti zbeh marrëdhëniet bashkëshortore dhe e humb seriozitetin e jetës, pasi që martesa është rrugë e krijimit të familjes e jo të zhdukjes së anëtarit të ri. Çfarë privilegji do të kishte fëmija i parë, i dytë… kundër të pestit që nuk dëshiron ta lejosh që të vijë në jetë. E nëse aborti duhet të bëhet si rezultat i shtatzanisë nga kontakti jo legjitim, ky abort trumbeton kundër “dashurisë” që njëri-tjetrit i shkaktuan dhembje shpirtërore dhe fizike në këtë botë, e çfarë për daljen nesër para Allahut?

Aborti ka bërë të mundshme që në disa shtete të Azisë së Largët të hahet gjegjësisht të shitet mishi i njeriut.

Me keqardhje sot i shohim se si njerëzit tregtojnë me çështjen e abortimit si një tregti e përparuar, e mbuluar me gjëja arsyetime legjitime nën motot e “lirisë së vendosjes”, “të drejtat e femrës” etj. në disfavor të së drejtës së embrionit-foshnjës për jetë. Duhet të kemi kujdes nga thirrjet e ndryshme qëllimkëqija në nivel kombëtar e botëror për “planifikim familjar”, “e drejta e lindjes”, “lindjet e shëndosha” etj. Sepse të gjitha këto thirrje mbajnë në brendinë e tyre abortin e legjitimuar.

Përjashtimet për abortin artificial terapeutik

Foshnjës i vjen shpirti pasi t’i ketë kaluar 120 ditë në barkun e nënës, siç e përmendëm më lartë.

Qeveria e Arabisë Saudite, duke u mbështetur në vendimin e Komisionit të Përhershëm për Hulumtime dhe Vendime të Sheriatit, të cilin e përbën një numër i konsiderueshëm i dijetarëve më eminentë islamë, vendos si vijon:

1. Nëse embrioni i ka kaluar 40 ditë duke mos i arritur 120 ditë, nuk lejohet abortimi, përveç në dy raste:

a) nëse të vazhduarit e shtatzanisë i shkakton nënës sëmundje të papërballueshme, ose do të mbetet me dhimbje edhe pas lindjes;

b) nëse vërtetohet se foshnja do të lindë me të meta fizike apo psikike, duke mos pasur shpresë në shërimin e saj pas lindjes.

2. Nëse embrioni i ka kaluar 120 ditë, ndalohet rreptësishtë abortimi i foshnjës, përveç nëse vihet në pyetje jeta e nënës. Nëse nëna ka mundësi të mbetet e gjallë nuk lejohet abortimi, e nëse është e sigurtë që me vazhdimin e shtatzanisë nëna do të vdesë, lejohet që të ndodh abortimi, për të shpëtuar njërën jetë.

3. Ndalohet rreptësisht që mjeku të kryej abort, nëse nuk ekziston ndonjëra prej këtyre arsyeve. Aborti për foshnjën që ka kaluar 40 ditë në embrion nuk guxon të kryhet, përveç në ndonjë spital shtetëror, pasi për këtë të jetë marrë vendim nga komisioni mjekësor i përbërë nga tre mjekë, së paku njëri prej tyre të jetë specialist i gjinekologjisë dhe obstetrikës, duke miratuar vendimin për abort dy prej mjekëve muslimanë, që dihet se janë të devotshëm.

Çfarëdo motivi tjetër për abort, sheriati islam e refuzon. Nëse bëhet në mënyrë legale, personi abortues përgjigjet edhe para organeve të drejtësisë islame aty ku funksionojnë. E nëse kjo nuk ndodh, ose aborti bëhet në mënyrë interne, kjo nuk do të mbetet kot, por Allahu do t’i llogarisë ata në gjyqin e madh të Ditës së Gjykimit, atëherë kur nuk do të humbet as detaji më i vogël. Allahu thotë: “Dhe kur të pyeten ato vajzat e mbytura për çfarë mëkati ato janë mbytur.” Tekuir, 8-9.

Legalizimi i abortit pra, hap dyert për epidemi të tjera morale, familjare, shoqërore, ekonomike, shëndetësore etj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit