2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

A do të ratifikohet marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kosovë-Turqi

Më të lexuarat

Po bëhen afro një vit e gjysmë që kur në Ankara, në shtator të vitit 2013, është nënshkruar marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës e Turqisë. Marrëveshja ishte nënshkruar pas negociatave të vazhdueshme për një vit në mes të dy ekipeve negociatore, thuhet në një shkrim më të gjatë të TRT shqip.
 
Ministrja e atëhershme e Tregtisë e Industrisë, e cila njëkohësisht ishte zëvendës-kryeministre, Mimoza Kusari – Lila, pat thënë se marrëveshja do të ndihmonte zhvillimin e bizneseve, jetën e qytetarëve dhe ngritjen e investimeve të huaja.
 
Nga marrëveshja do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset e dy vendeve tona. Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë tarifë doganore për produktet turke të cilat nuk prodhohen në Kosovë. Tarifa doganore do të eliminohet menjëherë për një numër të madh të produkteve, kryesisht atyre industriale duke i bërë ato më të lira për konsumatorët tanë”, kishte thënë ajo.
 
Po sot, pas formimit të qeverisë e institucioneve të reja, çfarë thuhet për këtë marrëveshje?
 
Pasardhësja e ministres Lila në pozitën e ministres së Tregtisë e Industrisë, Hikmete Bajrami, thotë se aktualisht nuk kanë ndonjë qëndrim të prerë rreth marrëveshjes:
 
HB: “Jemi duke e shikuar listën e produkteve të cilat janë të mbrojtura. Është një marrëveshje asimetrike e cila mund të shfrytëzohet nga kompanitë vendore, por nuk e di sa do të shfrytëzohet. Ju po e shihni se ka kundërshtime edhe prej deputetëve, por edhe prej komunitetit të biznesit. Ndoshta është e arsyeshme për të organizuar diskutime publike. Mirëpo është diçka e shkruar dhe tani më nuk është as në ministrinë e Tregtisë e Industrisë. Kështu që të them të drejtën, edhe nuk është se kemi ndonjë qëndrim të prerë ndaj saj.”
 
Ish ministrja Kusari Lila në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, thoshte se marrëveshja garantonte heqjen e menjëhershme të tarifës doganore nga Turqia për të gjithë prodhuesit kosovarë që do të eksportojnë mallra industriale në Turqi.
 
“Kjo marrëveshje hap mundësi të mira për prodhuesit kosovar. Të gjitha produktet industriale kosovare dhe një numër i madh i produkteve bujqësore do të lejohen të hyjnë në Turqi me tarifë doganore zero, menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes”, thoshte ministrja Kusari – Lila.
 
Por, sot, ka deputetë të cilët nuk janë në dijeni se marrëveshja ende nuk ka hyrë në fuqi. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj, në takimin e Komisionit për Tregti e Industri e ngriti këtë çështje, duke thënë se marrëveshja ka dëmtuar biznesin vendorë kosovarë:
 
PL: “Kemi një marrëveshje me Turqinë, e ajo ka ndikuar mjaft negativ në biznese. E që mendoj se këtë duhet të mendohet mirë dhe në këtë drejtim të shikohet ajo çka mund të shikohet. Sepse të thuash tani që të mos kemi raporte me ndonjë shtet, apo marrëveshje, është “No Comment”. Mirëpo nëse e dëmton biznesin e brendshëm, tregun e brendshëm, mendoj që qeveria duhet të mendojë mirë që ti jepet përparësia bizneseve vendore.”
 
Lekaj duke thënë se marrëveshja me Turqinë ka dëmtuar biznesin vendorë, reagoi ish ministri i zhvillimit ekonomik e i financave nga qeveria e kaluar Besim Becaj:
 
BB: “Më fal ndoshta me të ndihmua, marrëveshja s’ka fillua ende me u implementua, kështu që s’ka mund me bë dëme.”
 
PL: Pal Lekaj: “Jo a?”
 
Sidoqoftë, ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami, duke parë mos-njohurinë e disa deputetëve, i informoi ata rreth disa detajeve të kësaj marrëveshjeje:
 
HB: “Marrëveshja me Turqinë është nënshkruar nga ministrja Kusari Lila, në vitin 2013, në Ankara. Kjo marrëveshje momentalisht gjendet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila do të vije në Kuvend edhe do të jeni ju deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët do të vendosni, a me e ratifikua, a me e votua këtë marrëveshje apo jo. /Puna është kryer, është lista, është një marrëveshje asimetrike, ku disa prej produkteve nga ana e jonë mbrohen, kurse ata nuk i kanë mbrojt produktet e tyre. Por ju më mirë se unë i dini statistikat edhe bilancin tregtar të cilin e kemi ne me Turqinë.”
 
Ministrja Hykmete Bajrami, thotë se vet deputetët duhet ti kenë parasysh të gjitha ankesat dhe të vendosin pro ose kundër. Për ratifikim nga Kuvendi i Kosovës të marrëveshjeve të tilla nevojiten 80 vota.
 
HB: “Në fakt ka pas ankesa prej bizneseve vendore, kjo është një punë e cila është kryer si proces nga ana e ministrisë e qeverisë. Kjo marrëveshje shkon në kuvend dhe jeni ju 120 deputetë të cilët do të vendosni. Siç e dini, marrëveshjet e tilla kërkojnë 80 vota për të kaluar.”
 
Ministrja e Tregtisë e Industrisë sqaronte se marrëveshja nuk është ratifikuar as nga Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë:
 
HB: “Në fakt kjo nuk është miratua as në Kuvendin e Turqisë, sepse ka qenë pajtueshmëri nga të dy palët që të dërgohen në Parlamentet respektove në të njëjtën kohë.”
 
Bizneset e asociacionet e bizneseve kanë pasur mundësinë të dërgojnë listën e produkteve që duhej mbrojtur, thotë ministrja:
 
HB: “Produktet tona, disa prej tyre janë mbrojt. Informata që ne e kemi është se vetëm Oda Ekonomike Amerikane ka bërë një listë të produkteve për bizneset që ata i përfaqësojnë, që të mbrohen ato produkte. Janë listat e produkteve, dhe besoj se në kohën kur do të vije ajo në kuvend do të keni listën e produkteve dhe do të shihni se cilat produkte janë të mbrojtura.”
 
Po çfarë thotë ish ministri i zhvillimit ekonomik, më pas edhe i financave Besim Becaj në lidhje me këtë marrëveshje.
 
BB: “Unë kam thënë disa herë deri tani publikisht deri sa kam qenë ministër, se është një marrëveshje asimetrike, një marrëveshje e cila mundëson mbrojtjen e produkteve kosovare, për të gjitha ato produkte që asociacionet e biznesit kanë kërkuar që të mbrohen. Nuk mund të jetë ndoshta finale si mbrojtje, sepse mund të jenë edhe bizneset të cilat nuk kanë pasur informacion edhe nuk e kanë sjellë kërkesën e tyre për mbrojtje të produkteve. Por marrëveshja asimetrike nënkupton se në këtë rast ne mbrohemi, ndërsa Turqia do të hapte tërë tregun.”
 
Sidoqoftë, ministri Beçaj thotë se ka qenë ai i cili ka kërkuar që të shtyhet mundësia e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, për arsye të mos krijimit të panikut në opinion:
 
BB: “Ne si qeverie më shumë për çështje të parimeve të zhvillimit të tregut në përgjithësi dhe mos-futjes së elementeve të panikut në treg, ne e kemi shtyrë implementimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që të kuptohet që ndërmarrjet tona të gjejnë hapësirë dhe të kenë mundësi edhe më tutje të identifikojnë produktet të cilat duhet të mbrohen. Kjo marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvend dhe Kuvendi ka mundësi për të diskutuar respektivisht për ta plotësuar marrëveshjen nëse kërkohet më shumë mbrojtje të produkteve. Poashtu parimet e marrëveshjeve asimetrike janë favore që një shtet i zhvilluar në kushte normale do të duhej të jepte shtetit i cili është më pak i zhvilluar.”
Në realitet, marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë ishte nënshkruar më herët nga shtete tjera të Ballkanit. Posaçërisht pas nënshkrimit të marrëveshjes së tillë ndërmjet Turqisë e Serbisë, disa ekspertë kosovarë u frikuan se tani produktet turke do të futen përmes Serbisë në Kosovë, për çka do të humbte Kosova e përfitonte Serbia. Por, ish ministri Becaj tani deputet në Kuvendin e Kosovës, nuk e sheh këtë gjë aq të thjeshtë:
 
BB: “Kjo nuk është çështje aq e thjeshtë sikurse tentohet të prezantohet. Sepse importi i produkteve në Serbi nga Turqia, është me origjinë turke dhe ato nuk mund të hynë në Kosovë. Pra duhet të bëhet ri-origjinalizimi nëse mund ta quaj ashtu, ose duhet të bëhet në zhargonin popullor, ndërrimi i dokumenteve dhe dhënia e origjinës së atij mallit, që nënkuptonte në mënyrë automatike, shkelja e rregullës së Cefta-s dhe falsifikim të dokumentacionit. Por sido që të jetë, marrëveshjet asimetrike nuk janë në parim marrëveshje të dëmshme, sepse ato lejojnë që të mbrohen produktet të cilat janë me potencial për prodhim dhe zhvillim të industrisë. Sido që të jetë, ne e kemi shtyrë, që ti japim hapësirë kohore edhe shoqatave të biznesit, edhe mekanizmave tjerë të identifikojnë produkte shtesë të cilat do të mbroheshin në të ardhmen.”
 
Po çka mendojnë vet prodhuesit vendorë për këtë marrëveshje. Kultivuesi më i madh i patates dhe prodhuesi i çipsave Bedri Kosumi, nuk ndihet shumë i rrezikuar nga kjo marrëveshje, duke thënë se është i informuar se janë të mbrojtur si prodhues:
 
BK: “Unë sa kam informata kur është fol për këtë marrëveshje para një viti e gjysmë, është thënë se janë marrë masa që ne do të mbrohemi. Përndryshe nëse nuk jemi të mbrojtur atëherë ka me qenë keq për ne prodhues. Informatat që i kemi është se ne jemi të mbrojtur. Nëse jo, atëherë ka me qenë keq, duke e marrë parasysh se çfarë force ka ekonomia e Turqisë e çfarë e kemi ne.”
 
Kosumi pataten dhe produktet e saj i eksporton nëpër disa vende të rajonit. Por, a ka tentuar të eksportojë edhe në Turqi?
 
BK: “Ne kemi provua, nuk ia kemi dal asnjëherë. Dihet Turqia është një vend që kryesisht shet, e pak blenë.”
 
Po a beson Bedri Kosumi se ratifikimi i marrëveshjes për tregti të lirë mes Turqisë e Kosovës, do të mundësojë që ai të fillojë të eksportojë patate e çipsa në Turqi?
 
BK: “Nuk e besoj, do të thotë është e vështirë, sepse konkurrenca në Turqi është shumë, shumë e fortë.”
 
Pyetjen e njëjtë, ia parashtruam edhe ministres aktuale të Tregtisë e Industrisë Hykmete Bajrami. Pra, me ratifikim të marrëveshjes, a krijohet mundësi e mirë që edhe produktet kosovare të shiten në Turqi, ashtu siç kishte thënë para-ardhësja e saj?
HB: “Po ne tash e kemi një ambient të biznesit çfarë e kemi. Kjo mund të ndihmojë, duhet për të parë kapacitetet e produkteve tona. Është shumë e vërtetë se ata momentalisht kanë taksa doganore shumë të larta, sepse mbrojnë produktet e veta. P.sh. për produkte bujqësore, kanë taksën doganore 47%. Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nëse ajo do të zbatohej, sepse ndonjëherë kemi çështje edhe të mos-zbatimit të marrëveshjeve të tilla, edhe pas nënshkrimit. Sigurisht që është një potencial i mirë për të eksportuar atje. Unë besoj që theksi duhet të vihet në atë që në të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë, jo vetëm me Turqinë, por edhe me vendet e tjera, qëllimi është që Kosova të mos shihet prej investitorëve të mëdhenj të huaj, si një treg prej 2 milionë konsumatorësh, por të shihet si një mundësi strategjik për t;iu qasur një tregu më të madh të konsumatorëve. Ajo çfarë MTI po bën është të ngrit kapacitetet për t’iu ndihmuar kompanive vendore për të qenë konkurrente.”
 
Po çka në realitet garanton marrëveshja?
 
Sipas ish ministres Mimoza Kusari Lila, marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë garanton mbrojtjen deri në 10 vite të sektorëve të ndjeshëm prodhues në Kosovë nga heqja e doganave për produktet me origjinë nga Turqia.
 
“Ne jemi kujdesur që gjatë negociatave të mbrojmë sektorët tanë prodhues të cilët kanë filluar të zhvillohen dhe të cilët kanë potencial të rritjes gjatë viteve të ardhshme. Marrëveshja garanton mbrojtjen me tarifë doganore deri në 10 vite për të gjitha këto produkte”, kishte theksuar ish ministrja Mimoza Kusari – Lila.
 
Sidoqoftë, janë deputetët e Kuvendit të Kosovës si dhe ata të Kuvendit të Turqisë të cilët do të vendosin në fund.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit