0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

A dëshiron hyrjen në xhenet?

Më të lexuarat

A dëshiron hyrjen në xhenet?

Para përgjigjes lexo në vijim:

Kush na thërret për në xhenet?

Ai është Allahu i Lartësuar. Ai thotë: “Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve). Ai ua shpjegon njerëzve shpalljet e Veta, që të mendojnë ata.” (Bekare, 221)

Kush nuk dëshiron për neve hyrjen në xhenet dhe na thërret për në zjarr?

1.Djalli. Allahu i Madhërishëm thotë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë” (Araf, 27), gjithashtu Ai thotë: “Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim!” (Taha, 117).

2.Thirrësit e së kotës dhe të devijuarit me pasionet e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i bëmë ata udhëheqës, që thërrisnin për në zjarr, ndërsa në Ditën e Kiametit askush nuk do t’i ndihmojë” (Kasas, 41). Njerëzit në ditën e Gjykimit do të jenë dy kategori: Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kështu pra, Ne të kemi shpallur ty një Kuran në gjuhën arabe, për të paralajmëruar popullin e Mekës dhe ata rreth saj; për t’i paralajmëruar ata për Ditën, e cila do të vijë me siguri: kur të gjithë njerëzit do të tubohen, disa në Xhenet e disa në Xhehenem.” (Shura, 7), gjithashtu thotë: “Dhe banorët e Xhenetit do t’u thonë banorëve të zjarrit: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju premtoi Zoti juaj?” Ata do të thonë “Po!” Atëherë, një lajmëtar midis tyre do të thërrasë: “Mallkimi i Allahut është mbi keqbërësit,” (Araf, 44), mirëpo:“Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (Hashr, 20), “Ndërsa banorët e Xhenetit atë ditë do të kenë vendbanim më të mirë dhe vendpushim më të bukur.” (Furkan, 24), “kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese” (Ali Imran, 185)

Kategoria e parë: Ata të cilët dëshirojnë hyrjen në xhenet dhe ata luten: “O Zoti Ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë!”(Ali Imran, 194), gjithashtu thonë: “O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Gafir, 8)

Kush janë banorët e xhenetit ose cilat janë cilësitë e tyre?

1.Besimtarët të cilët bëjnë vepra të mira. Allahu i Lartësuar përkitazi me ta thotë: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frut i kopshteve, ata do të thonë: “Këtë e kemi ngrënë edhe përpara”. Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme me ato të Tokës. Në Xhenet ata do të kenë bashkëshorte të pastra dhe atje do të jetojnë përgjithmonë.” (Bekare, 25), gjithashtu thotë: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i vendosim në pallatet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj; aty do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa i bukur është shpërblimi i atyre që punojnë mirë,” (Ankebut, 58), gjithashtu thotë: “Kurse ata që besojnë e bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Bekare, 82), gjithashtu thotë: “Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira – Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër nga sa ka mundësi – ata janë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Araf, 42), gjithashtu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë” (Nahl, 97)

2.Të devotshmit. Allahu i Lartësuar për ta thotë: “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm” (Shuara, 90), “Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.” (Merjem, 63), “Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm” (Kaf, 31), “Për ata që ruhen (nga gjynahet), tek Allahu do të ketë kopshte të kënaqësive.” (Kalem, 34), “Vërtet, punëmirët do të jenë në kopshtet e Xhenetit pranë burimeve” (Hixhr, 45), “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të gjenden në kopshtet e Xhenetit dhe në lumturi” (Tur, 17), “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj” (Kamer, 54).

3.Punëmirët. Allahu i Lartësuar lidhur me ta thotë: “Për fjalët e tyre, Allahu do t’i shpërblejë me kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku ata do të qëndrojnë përgjithmonë. Ky është shpërblimi i punëmirëve.” (Maide, 85), “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër! Fytyrat e tyre nuk do t’i mbulojë as errësira, as poshtërimi. Ata do të jenë banorë të Xhenetit, në të cilin do të banojnë përherë.” (Junus, 26).

4.Të përulshmit. Allahu i Lartësuar lidhur me ta thotë: “Pa dyshim, ata që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe përulen para Zotit të tyre, do të jenë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përherë.” (Hud, 23)

5.Të bindurit ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu i Lartësuar lidhur me ta thotë: “Këta janë kufijtë e caktuar prej Allahut. Atë që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai e shpie në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përherë. Kjo është fitorja e madhe.” (Nisa, 13), “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shkojë në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, kurse ai që shmanget, do të ndëshkohet me dënim të dhembshëm.” (Fet’h, 17)

6.Të vendosurit në bindjen ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar lidhur me ta thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Fussilet, 30).

7.Të sinqertit. Allahu i Madhërishëm për ta thotë: “Allahu thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!” (Maide, 119).

8.Garuesit në veprat e mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëveAllahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim;edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (Tevbe, 100).

9.Ata që luftojnë në rrugën e Allahut me veten dhe pasurinë e tyre. Allahu i Madhërishëm thotë: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.” (Tevbe, 111)

10.Ata të cilët ia kanë frikën Allahut dhe e frenojnë veten nga pasionet që kundërshtojnë ligjet e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” (Bejineh, 7-8), “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (Naziat, 40-41)

11.Fjalëmirët dhe vepërmirët.Allahu i Madhërishëm thotë: “të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!”(Nahl, 32)

12.Ata që pendohen fort. Allahu i Lartësuar lidhur me ta thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë” (Tahrim, 8), si dhe shumë cilësi të tjera të shumta që konsiderohen prej shkaqeve të hyrjes në xhenet.

A hyhet në xhenet pa vepra?

“Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” (Nisa, 124), “Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër!” (Bekare, 214), “A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar?” (Ali Imran, 142), “Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë.” (Zuhruf, 72)

Kujt ia ndaloi Allahu xhenetin?

“Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës” (Maide, 72), “Banorët e zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Derdhni pak ujë te ne ose diçka nga ajo që ju ka dhuruar Allahu!” Ata thonë: “Në të vërtetë, Allahu këto i ka ndaluar për mohuesit” (Araf, 50), “Me të vërtetë, atyre që i mohuan shenjat Tona me mendjemadhësi, nuk do t’u hapen dyert e qiellit dhe as që do të hyjnë në Xhenet, derisa të kalojë deveja nëpër vrimë të gjilpërës. Kështu i ndëshkojmë gjynahqarët.” (Araf, 40)

Personat që do të hyjnë në xhenet

1.Profetët dhe të dërguarit.

2.Dhjetë të përgëzuarit me xhenet. Ata janë: Ebu Bekres Sidiku, Umer b. Hatab,Uthman b. Affan, Ali b. Ebi Talib, Talha b. Ubejdullah, Ebu Ubejde Amir b. El Xherah, Sa’d b. Ebi Vekas, Seid b. Zejd, Abdurrahman b. Avf. Zubejr b. Avam.

3.Disa sahabi, të cilët i përgëzoi profeti, me përjashtim të atyre dhjetëve që u cekën më lart, si Ukashe etj.

 

Kategoria e dytë:Ata që nuk dëshirojnë hyrjen në xhenet, e që janë shumica!

Ebu Hurejre, kënaqësia e Allahut qoftë me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “I tërë umeti im do të hyjë në xhenet, përveç atij që nuk do.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, kush janë ata që nuk duan të hyjnë?” Tha: “Kush më respekton mua, ai do të hyjë në xhenet, ndërsa kush më kundërshton mua, ai nuk do.” (Buhariu nr. 7280)

Poeti thotë:

Kundërshton Zotin e pastaj pretendon dashurinë ndaj Tij?!
Kjo është absurditet i qartë për atë që logjikon.
Sikur dashuria jote të ishte e sinqertë, do t’i bindeshe Atij!
Sepse ai që do ndonjërin edhe e dëgjon!

Kush janë banorët e zjarrit ose cilët janë cilësitë e tyre?

1.Mohuesit dhe idhujtarët. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, atyre që i mohuan shenjat Tona me mendjemadhësi, nuk do t’u hapen dyert e qiellit dhe as që do të hyjnë në Xhenet, derisa të kalojë deveja nëpër vrimë të gjilpërës. Kështu i ndëshkojmë gjynahqarët.” (Araf, 40)

2.Kriminelët.Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të xhehennemit.” (Zuhruf, 74)

3.Hipokritët. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës” (Nisa, 145)

4.Ata që iu binden eprorëve dhe parisë të cilët po i shmangin nga rruga e drejtë. “Ditën, kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe të Dërguarit!” Dhe do të thonë: “O Zoti ynë, ne iu bindëm parisë tonë dhe eprorëve tanë, por ata na shmangën prej rrugës së drejtë.” (Ahzab, 66-67)

5.Lënësit e detyrimeve dhe kryesit e të ndaluarave. “Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz dhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit. Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët dhe mohonim Ditën e Llogarisë” (Mudethir, 43-46), “Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote, sigurisht që do të ketë për strehë Xhehenemin” (Naziat, 37-39)

6.Mendjemëdhenjtë. “Në Ditën e Kiametit do t’i shihni ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun, me fytyra të nxira. Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!” (Zumer, 60) Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Xheneti dhe Zjarri bënë fjalë. Zjarri tha: “Më është dhënë privilegji që unë të pres arrogantët dhe tiranët.” Xheneti tha: “Ç’është me mua? Pse vetëm të dobëtit dhe të përulurit hyjnë tek unë?”Atëherë Allahu i Lartësuari me Madhështi, më i Larti, i tha Xhenetit: “Ti je Mëshira Ime dhe Unë mëshiroj me ty kë të dua nga robërit e mi”. Pastaj Allahu i tha Zjarrit: “Ti je mjeti Im i ndëshkimit dhe Unë ndëshkoj me ty kë të dua nga robërit e mi, por secili prej jush do të ketë pjesën e vet për t’u mbushur.” Shënon Buhariu në Edebul Mufred, nr. 554. Albani thotë se hadithi është autentik.

Personat që do të jenë në zjarr:

1.Iblisi. “Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit. Ai ishte një nga xhindet dhe nuk iu bind urdhrit të Zotit të vet. Atëherë, a do t’a merrnit atë dhe pasardhësit e tij për mbrojtës në vendin Tim, edhe pse ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar që është ky për keqbërësit!” (Kehf, 50)

2.Faraoni dhe populli i tij. “Ai (Faraoni) do ta udhëheqë popullin e tij në Ditën e Kiametit e do ta çojë në zjarr. Eh, sa vend i shëmtuar është ai, ku do të sillen ata!” (Hud, 98)

3.Gruaja e Nuhut dhe e Lutit. “Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata. Prandaj, ata nuk mund t’i mbrojnë aspak nga Allahu (Ditën e Gjykimit) e atyre të dyjave do t’u thuhet: “Hyni në zjarr, me ata që po hyjnë!” (Tahrim, 10)

4.Ebu Lehebi dhe gruaja e tij. “Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit, në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.” (Mesed, 1-5)

5.Amr.b. Amir el Huzai. Ky është personi të cilin profeti e pa në zjarr duke tërhequr zvarrë zorrët e tij. Transmetohet nga Abdullah.b. Mesudi se i Dërguari Muhamed a.s ka thënë: “Unë e pashë ‘Amr ibn Amir el-Huzaa’i duke i tërhequr zvarrë zorrët e tij në ferr. Ai ishte i pari i cili kishte futur institucionin e el-sa’ibah. [1] dhe është i pari që ndryshoi fenë e arabëve.”
Prandaj, prej cilës kategori dëshiron të jesh, prej cilit lloj? “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë, dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?” (Beled, 8-10) Ki parasysh gjithnjë këtë ajet kuranor “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim, 6)
Kush e dëshiron ahiretin le të angazhohet dhe le të bëjë përpjekje: “Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet” (Isra, 19), “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (Ankebut, 69), “fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen.” (Mutafifin, 26)


[1] Sa’ibah ishte ajo-deve, lopë ose dele që ata do ta lenin që të kullotë për hir të perëndive të rreme, dhe nuk e kalëronin atë, apo ta hanin apo ta përdornin për të bartur barrë. Disa prej tyre do të zotoheshin për të bërë një pjesë të pasurisë së tyre saa’iben.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit