1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

A arsyetohet njeriu për paditurinë e tij?

Më të lexuarat

Handsome young man running outside in sunny autumn nature, resting.

Pyetja:

A mund të jetë i arsyetuar njeriu me paditurinë e tij, për çështjet që kanë të bëjnë me besimin?

***

Përgjigje:

Mospajtimi (hilafi) në çështjen e arsyetimit me pa­di­tu­ri ësh­të sikurse shumë çështje të tjera të jurisprudencës islame, bi­le ndo­një­herë mund të jetë vetëm mospajtim gjuhësor kur du­het që me atë dis­pozitë të gjykohet ndonjë person i caktuar.

Ndodh që të gjithë të pajtohen se një fjalë, një vepër apo lë­nie e ndo­një vepre është kufër, mirëpo a mundet që me këtë hu­këm (dispozitë) ta gjy­kojmë një person të caktuar, i cili i ka të qar­ta këto gjëra dhe nuk ka pen­gesë që ta gjykojmë me atë dis­po­zi­të, apo nuk mundemi ta gjykojmë sep­se ai nuk i ka disa gjëra të qar­ta ose gjindet ndonjë prej pengesave.

E kjo, për shkak se padituria tek ai që bën kufër është dy llo­je:

1. Kjo vepër të jetë nga një person, i cili ka fe tjetër përveç asaj Is­lame ose nuk beson fare në ndonjë fe dhe nuk ka para­men­du­ar se është në gabim fetarisht.

Për këtë lloj, në këtë botë vlejnë dispozitat që janë si rezultat i vep­ra­ve të tij, e në botën tjetër, çështjen e tij e ka në dorë Alla­hu, azze ue xhel-le.

Mendimi më i vërtetë është se për ata do të ketë provim nga ana e All-llahut, në atë mënyrë si Do Ai, dhe All-llahu e di më mi­rë ç’do të ki­shin punuar.

Mirëpo ne e dimë se ai nuk do të hyjë në zjarr përveç nëse ka bërë më­kat, sepse All-llahu, subhanehu ue teala, thotë: “e Zoti yt nuk i bën të pa­drejtë askujt” (el-Kehf 49).

Thamë se për të në këtë botë vlejnë dispozitat që janë si re­zul­tat i vep­rave të tij, d.m.th., dispozitat e kufrit, sepse ai nuk e be­son Islamin dhe nuk mund të themi se është musliman.

Po ashtu thamë se mendimi më i vërtetë është se atyre do t’u bë­het pro­vim në botën tjetër, sepse kjo na është përcjellur në shu­më tran­sme­ti­me, të ci­lat i ka përmendur Ibën Kajjimi, ra­hi­me­hullah, në librin e tij: “Tari­kul hixh­retejni”, kur ka përmendur men­dimin e tetë për fëmijët e mush­ri­kë­ve…

2: Kjo vepër të jetë nga një person, i cili e beson Islamin, mi­rëpo ka je­tuar duke e bërë këtë vepër të kufrit duke mos e ditur se kjo është në kundërshtim me Islamin dhe askush nuk ia ka tërhequr vërejtjen për kë­të.

Për këtë person po ashtu gjykojmë me dispozitat Islame si për një mus­liman, e në botën tjetër çështja e tij është në Dorë të All-llahut, sub­ha­nehu ue teala.

Këtë qëndrim e mbështet Kur’ani, Sunneti dhe fjalët e dije­ta­rë­ve.

Prej argumenteve të Kur’anit janë: “E Ne nuk dënojmë as­kënd para se t’ia dër­gojmë të dërguarin” (el-Israë 15); “Zoti yt nuk është i tillë që të shkatë­rro­jë vend­banimet para se në kry­e­qen­dër të tyre të dërgojë pejgamber, i cili do t’u lexojë atyre ar­gu­mentet Tona, dhe Ne nuk shkatërruam vendbanime, po ve­tëm kur ba­no­rët e tyre ishin zullumqarë.” (el-Kasas 59); “Të dër­gu­ar që ishin laj­mgëzues e kër­cënues, ashtu që pas dërgimit të dër­guarve, njerëzit të mos kenë fakt (arsy­e­tim) para All-llahut”. (en-Nisa 165); “Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndry­­she vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtu që ai t’u shpje­go­jë aty­re (në atë gju­hë). E All-llahu e lë të humbur atë që do, dhe e udhë­zon në rru­gë të drejtë atë që do”. (Ibrahim 4); “All-llahu nuk e humb një popull pasi që ta ketë udhëzuar atë, para se t’u sqa­rojë atyre se prej çka duhet ruajtur”. (et-Te­ube 115); “Dhe ky ësh­të libër dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbajuni këtij, ru­a­ju­­ni ashtu që të më­shi­ro­heni. (E zbritëm Kur’anin) Që të (mos) tho­ni: “Libri u zbr­iti vetëm dy grupeve pa­ra nesh (jehudive e të krish­terëve) dhe se ne ishim të panjohur me librat (me më­simet) e tyre. Dhe që të (mos) thoni: “Sikur të na ki­shte zbritur neve lib­ri, (si­kur­se u zbriti atyre dy grupeve) ne do të ishim edhe më të udhëzuar se ata. Juve ju er­dhi nga Zoti juaj argumenti (Kur’ani), ju erdhi udhëzimi, mëshira.” (el-En’am 155-157).

Si dhe shumë argumente të tjera që aludojnë se nuk arrihet ar­gu­men­timi, përveç pas diturisë dhe sqarimit.

Prej Sunnetit, po përmendim hadithin që gjindet në Sahihul Mus­lim (1/134) nga Ebu Hurejra, radijall-llahu anhu, se Res­u­lu­ll-llahu ﷺ ka thënë: “Pasha Atë, në Do­rë të Të Cilit është shpirti i Muhammedit, nuk ka njeri që do të dë­gjojë për mua, çifut apo i krish­­terë dhe vdes duke mos besuar në atë që më është zbritur, e të mos jetë prej banorëve të zjarrit”.

E prej fjalëve të dijetarëve: Në librin ‘el-Mugni’ (8/131) thuhet: “…nëse është prej atyre që nuk e dijnë se është detyrim, si­kurse ata që ja­në të rinj në Islam, jetojnë në vende joislame ose je­tojnë larg qyteteve dhe larg dijetarëve, nuk mund të gjykojmë se është kafir”.

Po ashtu Shejhul Islam Ibën Tejmije, rahimehullah, në Fet­va­të (3/229) e tij thotë: “Unë çdoherë -ai që ka jetuar me mua e di- kam qenë prej aty­re që më së shumti kanë ndaluar që një person i caktuar të cilë­so­het si ka­fir, fa­sik apo mëkatar, përveç kur dihet se atij i është sqaruar ar­gu­men­ti, të cilin po ta kundërshtonte do të ishte ose kafir, ose fasik, ose më­­katar.

Mendimi im është se këtyre lloj njerëzve (që nuk u ka arritur ar­gu­men­ti) All-llahu ua falë gabimet, qofshin ato gabime në be­sim apo në prak­tikë.

Selefi shumë herë kanë diskutuar rreth këtyre çështjeve, mi­rë­po as­një­ri prej tyre nuk ka gjykuar dikënd (të këtij lloji) me ku­fër, fisk apo më­kat… dhe vazhdimisht kam sqaruar se ajo që ësh­të transmetuar nga Se­lefi se ‘kush thotë apo bën kështu ose ashtu ësh­të kafir’, po ashtu është me vend, por duhet të bëhet dallim mes asaj kur flet për veprën dhe kur flet për ndonjë njeri të cak­tu­ar… të gjykuarit me kufër është kërcënim, andaj edhe pse fjala e dikujt mund të jetë përgënjeshtrim i fjalëve të Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, mirëpo ndoshta ai per­son është i ri në Islam, ose është rritur në fshatra të largëta, d.m.th., nje­rë­zit si­kur ky nuk bëjnë kufër nëse mohojnë diçka nga Islami përderisa t’u sqarohet argumenti për të njëjtën.

Ndoshta ai person nuk i ka dëgjuar më parë ato argumente, ose i ka dë­gjuar mirëpo nuk i ka konsideruar të vërtetë.

Madje ndoshta ia ka treguar dikush që ia ka komentuar ndry­she prej kup­timit të vërtetë.

Ndërsa shejhul Islam Muhammed ibën AbdulVehhabi në lib­rin ‘ed-Du­reru-s-sunnijeh’ (1/56) ka thënë: “Sa i përket gjykimit të njerëzve për kafira, unë iu them kafira atyre që e kanë njohur fe­në e Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe pasiqë e ka­në njohur e kanë sharë, i kanë ndaluar njerëzit nga udhëzimi i tij dhe i kanë armiqësuar veprat e tij, këtë lloj njerëzish unë i gjy­koj për kafira”.

Në faqe 66 thotë: “…e rrenat dhe shpifjet që janë bërë se ne u themi ka­fi­ra shumicës së muslimanëve dhe ua detyrojmë që të shpër­ngulen te ne aty­re që munden ta shfaqin fenë Islame, e gji­thë kjo është shpifje dhe gënjeshtër. Këto shpifje i bëjnë për shkak se dëshirojnë t’i pengojnë njerëzit nga feja e All-llahut dhe e të Dërguarit, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.

Si mund t’i gjykojmë për kafira ata që nuk kanë bërë shirk ve­tëm për shkak se nuk shpërngulen te ne dhe nuk luftojnë për ne­ve, e të mos i gjy­koj­më për kafira –dhe nuk i gjykojmë- ata që adhu­rojnë putin, i cili është mbi varrin e AbdulKadrit, putin i cili ësh­të mbi varrin e Ahmed el-Be­de­viut si dhe të tjerëve, nuk i gjy­kojmë për kafira sepse ata nuk dijnë dhe nuk ka pasur kush t’ua tërheqi vërejtjen”.

Pasi ky qenka aludimi i Kur’anit, Sunnetit dhe fjalëve të di­je­ta­rëve, ai po ashtu është aludim i Urtësisë së All-llahut, azze ue xhel-le, Butësisë dhe Mëshirës së Tij, që nuk do ta dënojë as­një­rin përderisa nuk ia dër­gon argumentin.

Mendjet tona nuk mund të jenë të pavarura në kuptimin (njo­h­jen) e asaj se çfarë kemi detyrim ndaj All-llahut, subhanehu ue teala, sepse po të kishte qenë ashtu atëherë nuk do të kufi­zo­hej argumenti në dërgimin e të dërguarve.

Thelbi për atë që thotë se është musliman, është që ai të mbe­tet si i tillë, përderisa nuk vërtetohet se nuk është ashtu, e kjo me argumente nga­ sheriati.

Nuk lejohet që ta konsiderojmë të lehtë gjykimin e njerëzve për ka­fi­ra, sepse në atë ka dy rreziqe të mëdhenj:

Njëra: Se është shpifje në gjykimin e All-llahut, subhanehu ue te­­ala, dhe për personin, të cilin e ka nënçmuar me atë emër (kafir).

Pra, është e qartë se ky ka gjykuar se është kafir filani për të ci­lin All-lla­hu, subhanehu ue teala, nuk ka thënë ashtu dhe kjo ësh­të një­soj si­kur­se ndalimi i asaj që e ka lejuar All-llahu, sub­ha­ne­hu ue te­a­la.

Të drejtën e gjykimit se a është kafir apo jo, e ka vetëm All-lla­hu, sub­hanehu ue teala, njësoj sikurse gjykimi për çështjet ha­llall-haram.

E tjetra: Sepse ai e ka cilësuar muslimanin me cilësi të kundërt, ka thë­në: Ai është kafir, e ai në të vërtetë është larg saj.

Kështu që ka mundësi që kjo cilësi t’i kthehet vetë thënësit të kë­saj fja­le.

Këtë e përfitojmë nga hadithi, i cili gjendet në Sahihul Mus­lim nga Abdu­llah ibën Omeri, radijall-llahu anhu, se Resulull-lla­hu ﷺ ka thënë: “Kur muslimani e gjy­kon vëllain e tij për kafir, kjo fjalë i kthehet njërit prej tyre”[1], në një transmetim tjetër: “Në­se është ashtu si ka thënë, pranohet, e në­se nuk është atëherë ajo i kthe­het atij që e ka thënë”.[2]

Po ashtu Muslimi transmeton nga Ebu Dher-ri, radijall-llahu an­hu, se Resulull-llahu ﷺ ka thënë: “Kush e emër­ton dikënd me kufër ose i thotë armik i All-llahut, e ai nuk është ash­tu, ato fjalë i kthehen atij”[3].

Fjala e Resulull-llahut ﷺ te ha­di­thi i Ab­du­llah ibën Omerit “…e nëse nuk është…” dhe tek ai i Ebu Dher-rit: “…e ai nuk është ashtu…”, d.m.th., nuk është ashtu sipas gjy­kimit të All-lla­hut, subhanehu ue teala.

Ky pra, është rreziku i dytë, kthimi i cilësisë te vetë ai, nëse vë­llai i tij ësh­të larg nga ajo.

Me të vërtetë është rrezik i madh dhe mundet që të bihet në të.

Më së shumti shpejton në gjykimin e vëllait për kafir, ai që ve­të­pël­qe­het me veprat e tij dhe i nënçmon të tjerët.

Në këtë rast ky ka bashkuar mes vetëpëlqimit, gjë e cila mund të bë­het shkak në zhdukjen e veprave; dhe mendje­ma­dhë­si­së, e ci­la e pa­tje­tër­son dënimin nga All-llahu me zjarr, siç na ësh­të tre­gu­ar në hadithin që e transmetojnë Imam Ahmedi dhe Ebu Davudi nga Ebu Hurejra, ra­di­ja­ll-llahu anhu, se Resulull-lla­hu ﷺ ka thë­në: “All-llahu, azze ue xhel-le, ka thënë: Kre­naria është ridaja Ime e Ma­dhështia është iza­ri Im. Ai që mu­n­do­het të Më afrohet me njërën nga ato, e gjuaj në zjarr”.[4]

Para se të gjykohet për kufër, duhet të kihen parasysh dy gjë­ra:

E para: Argumentim nga Kur’ani ose Sunneti se kjo vepër ësh­të ku­fër, ashtu që të mos shpifë ndaj All-llahut gënjeshtra.

E dyta: Ai gjykim t’i përkasi personit të gjykuar me atë gjykim, në atë më­nyrë që të plotësohen kushtet dhe të anulohen pen­ge­sat. (për atë gjy­kim)

Prej kushteve më me rëndësi është që personi të jetë i ditur me kundërshtimin që ka bërë, i cili është kufër, e kjo ngase All-lla­hu, azze ue xhel-le, ka thënë: “Kush i kundërvihet të dër­gu­a­rit, pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgje­dhur (në dunja) e fu­sim në Xhehennem. Përfundim i keq është ai”. (en-Nisa 115).

Në këtë ajet shihet qartë se All-llahu, subhanehu ue teala, e kush­­të­zoi dënimin me zjarr për atë person që i kundërvihet Re­su­lull-lla­hut ﷺ pasi t’i bëhet e qartë e vër­teta.

Tash, a është kusht që ky person t’i dijë edhe pasojat e gabimit të tij siç janë kufri etj., apo mjafton vetëm të dijë se ka bërë ga­bim edhe pse nuk e di se çfarë pasoje mund të ketë ai gabim?

Si duket është e dyta, d.m.th. vetëdija e tij se ajo gjë ësh­të ga­bim mjafton për gjykimin e tij ashtu si meriton gabimi i tij, sepse Re­sulull-llahu ﷺ ia detyroi ke­faretin (shlye­r­jen) atij që bëri marrëdhënie intime me të sho­qen gjatë ditës së Ra­ma­za­nit, ngase ai e dinte se ka gabuar edhe pse nuk e dinte se për atë gabim ka kefaret aq të rëndë.

Po ashtu edhe ai njeri i martuar që bën zina dhe e di se ajo ësh­të e nda­­luar, ai duhet të gurëzohet deri në vdekje edhe nëse nuk e ka ditur se çfa­­rë pasoje ka ajo. E po ta kishte ditur ndoshta edhe nuk do të bënte zi­na.

E prej pengesave (për gjykim se është kafir) është detyrimi i per­sonit në bërjen e asaj vepre që është kufër, All-llahu, azze ue xhel-le, thotë: “Ai që pas besimit të tij e mohon All-llahun, me për­jashtin të atij që dhunohet (për të mohuar), e zemra e tij ësh­të e bindur plotësisht me besim. Ndërsa ai që e pra­non mos­be­si­min me gjoks të hapur, këta i ka kapur hidhërimi nga All-lla­hu dhe ata kanë një dënim të madh”. (en-Nahël 106).

Prej pengesave është edhe kur njeriu nuk mund të kont­ro­llo­jë mend­jen dhe qëllimin e tij, kështu që nuk di se çfarë thotë nga gë­zimi, dësh­përimi, hidhërimi, frika etj., ngase All-llahu, sub­ha­ne­hu ue teala, ka thënë: “Nuk është ndonjë mëkat i juaji ajo për çka keni gabuar, por (është më­kat) ajo që zemrat tuaja e bëjnë që­llimisht, po All-llahu është që fal, është Më­shirues”. (el-Ahzab 5).

Po ashtu në Sahihun e Muslimit (2104) transmetohet nga Enes ibën Ma­liku, radijall-llahu anhu, se Resulull-llahu ﷺ ka thënë: “All-llahu me teuben (pendimin) e robit të tij gëzohet më tepër sesa ai që ishte me kafshën e tij në një to­­kë të panjohur, e pastaj i humbi kafsha së bashku me hajen dhe pi­­jen, ashtu që i këputi shpresat dhe ra nën hijen e një druri, ku nuk shpre­sonte se do ta gjejë kafshën. Në ças­tet duke ndejtur në këtë hall, e sheh kafshën e tij përpara (me hajen dhe pijen) dhe menjëherë e kap, e nga gëzimi i madh thotë: O Zot, Ti je ro­bi im e unë jam Zoti yt, ky gaboi prej gëzimit të madh që pati”.

E po ashtu prej pengesave është edhe kur ai person ka ndonjë dy­shim rreth kuptimit të atij gabimi, ashtu që mendon se është në të drejtë.

Është pengesë kjo, sepse ky njeri nuk ka patur për qëllim më­ka­tin dhe kundërshtimin ndaj All-llahut, ashtu që edhe për këtë vlen ajeti: ““Nuk është ndonjë mëkat i juaji ajo për çka keni ga­bu­ar, por (është mëkat) ajo që zemrat tuaja e bëjnë qëllimisht”.

Pastaj, ky person edhe e ka dhënë të gjithë mundin e tij (për të kup­tu­ar të vërtetën), ashtu që mund të bëjë pjesë në këtë ajet: “All-llahu nuk ngar­kon askënd përtej mundësive të veta”. (el-Be­kare 286).

Autori i librit “el-Mugni” (8/131) thotë: “…nëse e bën të le­ju­ar vras­jen e të pafajshmëve dhe grabitjen e pasurisë së tyre, duke mos patur dy­shim e as keqkuptim, ky është kafir, e nëse i bën ato nga keqkuptimi (te’vili) siç janë havarixhët[5].

Ne përmendëm se shumica e dijetarëve nuk i kanë gjykuar ha­va­ri­xhët si kafira edhe pse ata e kanë bërë të lejuar vrasjen e mus­limanit dhe gra­bitjen e pasurisë së tij dhe e bëjnë këtë duke men­duar se ashtu af­ro­hen tek All-llahu, subhanehu ue teala, më te­për… Dihet mirë se prej medhhebit të havarixhëve është edhe gjy­kimi me kufër i shumë shokëve të Resulull-llahut ﷺ dhe kanë lejuar gja­kun dhe pasurinë e tyre, madje e kanë konsideruar si afrim tek All-llahu, az­ze ue xhel-le.

Por prapë se prapë, dijetarët nuk i kanë quajtur (havarixhët) ka­fira për shkak se të gjithë këtë e kanë bërë nga keqkuptimi (te’vili).

Kjo vlen edhe për çdo ndalesë tjetër, të cilën mund ta lejojë di­kush me kësi lloj keqkuptimi.[6]

Në fetvatë e Shejhul Islam Ibën Tejmijes, rahimehullah, (13/30) thu­het: “Bidati i havarixhëve në të vërtetë rrjedh nga keq­kuptimi që kanë pa­sur për Kur’anin, nuk kanë pasur për që­llim të kundërshtojnë, por ka­në kuptuar nga Kur’ani atë që nuk ka aluduar Kur’ani dhe kanë menduar se Kur’ani detyron tek­fi­rin[7] e mëkatarëve”.

Në faqe 210 thotë: “Havarixhët e kanë kundërshtuar Sun­ne­tin, të ci­lin jemi të detyruar ta pasojmë, i bënë tekfir besimtarëve me të cilët ësh­të detyrim të miqësohen… dhe kështu vazhduan në pasimin e ajeteve mu­teshabih (jo të qarta mjaft) duke i komentuar me komentim të pa­vend, duke mos e ditur kuptimin e tyre, duke mos patur dituri, duke mos e pasuar Sunnetin dhe duke mos i verifikuar dituritë e tyre te dijetarët Is­lamë, të cilët e kup­tojnë Kur’anin”.

Po ashtu ka thënë (28/518): “Të gjithë imamët janë të një men­dimi në kritikimin e havarixhëve dhe në faktin se ata (ha­va­ri­xhët) janë në humb­je, mirëpo në çështjen e tekfirit të tyre janë nda­rë në dy mendime të njohura”.

Mirëpo në 7/217 ka thënë: “Se asnjëri prej shokëve të Re­su­lu­ll-lla­hut ﷺ nuk i ka gjykuar si ka­fi­ra, as Ali ibën Ebi Talibi, as dikush tjetër, por i kanë konsideruar si muslimanë zullum­qa­rë, siç e kemi parë këtë në shumë trans­me­time nga ata”.

Dhe në 28/518 ka thënë: “Ky është edhe mendim i vulosur i ima­më­ve, siç është Imam Ahmedi dhe të tjerë”.

Po ashtu në 3/282 thotë: “Havarixhët, për të cilët ka ur­dhë­ru­ar Re­su­lull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, të luftohen, i ka luftuar Emirul Mu’minin Ali ibën Ebi Talibi, radijall-llahu an­hu, që ishte njëri prej ka­tër halifëve të drejtë, për luftimin e tyre ja­në të një mendimi edhe të gji­thë dijetarët nga gjenerata e shokëve të Resulull-llahut ﷺ nga ta­bi­inët dhe të gjithë pas tyre.

Mirëpo nuk i ka quajtur kafira as Ali ibën Ebi Talibi, as Sa’d ibën Ebi Vek­kasi, radijall-llahu anhuma, dhe askush tjetër nga sa­ha­bët, por i kon­si­deruan si muslimanë, të cilët duhet të luftohen.

Bile Aliu, radijall-llahu anhu, nuk i luftoi përderisa ata nuk der­dhën gja­kun e muslimanit dhe përderisa nuk sulmuan pa­su­ri­të e tyre, e kur i bë­në këto gjëra, atëherë Aliu, radijall-llahu an­hu, i luftoi për t’u mbroj­tur nga zullumi dhe padrejtësia e tyre, e nuk i luftoi si kafira.

Pikërisht për këtë shkak edhe nuk i robëroi gratë e tyre dhe nuk ua mo­ri pasurinë e tyre.

Këta nuk u konsideruan si kafira edhe pse dalaleti (humbja) i ty­re ësh­të i vërtetuar me tekst dhe ixhma.

E si mundet, pra, që disa grupacione të akuzojnë njëra tjetrën se janë ka­fira, të cilëve u është mbështjellë e vërteta në disa çë­shtje, në të cilat çështje kanë gabuar edhe njerëz të ditur?!

Nuk i lejohet askujt nga këto grupacione ta bëjë tekfir tjetrin dhe nuk gu­xon të lejojë për vete gjakun dhe pasurinë e tjetrit, edhe nëse në grupin tje­tër ekziston bidati. Si mundet ta bëjë kë­të, e në të njëjtën kohë ky grup i njerëzve (që bëjnë tekfir) ka po ash­tu bidate, bile ndoshta bidati i këtyre është më i rëndë sesa bi­da­ti i tjerëve, e në të shumtën e rasteve të gjithë ata janë të pa­di­tur me realitetin e asaj për të cilën kanë mospajtim.

Derisa ka thënë (fq. 288): “…në qoftë se muslimani gabi­misht (me te’vil, me keqkuptim) e lejon luftimin e dikujt ose e bën tekfir dikënd, kjo nuk konsiderohet si kufër për të”; po ashtu ka përmendur se: “…dijetarët janë ndarë në tre mendime lidhur me urdhërat e All-llahut dhe të Dërguarit, se a janë të de­ty­ru­e­shme ato urdhëra edhe për robërit para se t’u kumtohen”.

Mirëpo e vërteta është ajo në të cilën ka aluduar Kur’ani, ku thu­het: “E Ne nuk dënuam askënd para se t’ia dërgojmë të dër­gu­arin”. (el-Isra 15).

Po ashtu thotë, subhanehu ue teala: “Të dërguar që ishin lajm­gë­zues e qortues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para All-llahut”. (en-Nisa 165).

E në dy Sahihët transmetohet se Resulull-llahu ﷺ ka thënë: “Nuk ka kush që e do më shumë arsy­e­ti­min sesa All-llahu, për këtë shkak edhe ka dërguar të dërguar që ishin lajmgëzues e qortues”.

Pra, po e shohim se i padituri është i arsyetuar për atë që tho­të apo punon, qoftë ajo kufër ose ndonjë mëkat në përgjithësi dhe u pa kjo prej argumenteve nga Kur’ani, Sunneti, logjika dhe fja­lët e dijetarëve.

[1] Buhariu (6104) dhe Muslimi (60).

[2] Muslimi (60).

[3] Muslimi (61).

[4] Ebu Davudi (4090) dhe Ibën Maxhe (4174).

[5] Havarixh quhen ata muslimanë, të cilët i quajnë muslimanët e tjerë kafira po qe se bëjnë ndonjë gjynah të madh. (sh.p)

[6] Fjala te’vil gjuhësisht d.m.th. shpjegim, komentim, por në terminologjinë e shumicës së dijetarëve përdoret si: shpjegim i gabuar, komentim pa vend, keqkuptim etj. (sh.p)

[7] Tekfir: të gjykuarit me kufër. Këtë fjalë do ta përdorim kështu deri në fund të librit. (sh.p)

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit