-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ndalimi i ndaleses! Diskriminimi legal i vajzave me shami dhe heshtja !

Më të lexuarat

Ndalimi i ndalesës!

Diskriminimi legal i vajzave me shami dhe heshtja !

“Pra si te lexojmë masat administrative të marra nga Shteti Freng për ndalimin e vajzave të reja që të vendosin mbulesë në shkolla ? Paradoksi këtu është i dyfishtë. Së pari, ky ndalim ndalon diçka të cilën e kualifikon edhe si një ekspozim erektiv, një shenjë “shumë-e-vështirë-për-lejim të një identiteti i cili i prishë rahatinë principit freng të qytetarisë së barabartë – nga perspektiva e Republikanëve freng, të vendosësh shaminë është edhe një provokim “monstrual”. Paradoksi i dytë është se ndalesa që bënë Shteti i ndalon vet të ndaluarën, dhe mbase, ky ndalim është nga më shtypësit nga të gjithë – pse? Sepse ndalon mu atë veçanti e cila konstituon identitetin (socio-institucional) të tjetrit: e de-institucionalizon këtë identitet duke e ndërruar atë në një idiosinkrezi personale. Ajo që kjo ndalesë e ndalimit krijon, është një hapsirë e Njeriut universal ndaj të cilit të gjitha dallimet (ekonomike, fetare, kulturore, politike, seksuale, etj.) janë indiferente, çështje të praktikave simbolike kontingjente…………të ndalosh ndalesën e tjetrit është baraz sikur të ndaloshë tjetersinë e tij/saj” [1]– Slavoj Zizek

I

Ka tashmë disa vite që vajzat fetare me mbulesë koke vihen përballë zgjedhjes mes shkollës dhe heqjes dorë nga shamia, të cilën ato e besojnë të jetë një imperativë fetare Islame! Rasti i fundit ishte ai i këtyre ditëve në Ferizaj ku Njomza Jashari u vu përballë dilemës së cilës i vihen në mënyrë konstante vajzat e mbuluara! Heshtja, natyrisht, e karakterizon edhe njëherë opinionin publik të Kosovës mbi shkeljen e të drejtës për liri fetare në Kosovë! Në fakt, aty ku nuk ka heshtje tek opinionistët, gazetat dhe organizatat e huaja, ka zakonisht mbështetje të zëshme të shkeljes !

II

Rasti i fundit korrespondon me një ngjarje tejet të rëndësishme në raport me debatet mbi shaminë dhe simbolet fetare në Francë, i vetmi shtet i hemisferës perëndimore së bashku me Belgjikën Flamande (edhe pse kjo ka politika me nuanca të ndryshme) i cili ndalon bartjen e përgjithshme të simboleve fetare në shkolla fillore dhe të mesme dhe i cili rrjedhimisht është e vetmja referencë e oponentëve të shamisë në Kosovë, dhe përpjekjet e këtyre të fundit janë pothuaj krejtësisht fetish krahas përpjekjeve (megjithatë të dekonstruktushme) të disa prej ideologëve freng. Këto referenca përdoren, edhe pse në fakt në Kosovë nuk ka ligj për kufizim të tillë, siç ka në Francë apo në Flandrë. Në dhjetor të 2012-ës, Komiteti i të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së, në komunikatën 1852/2008 [2], formuloi një kritikë të ashpër ndaj shtetit të Francës i cili shkelte të Drejtën e Lirive Fetare kur ndalonte bartjen e keski-t, një forme të turbanit e bartur nga besimtarët e komunitetit Sikh në shkolla. Franca është i vetmi shtet në BE i cili ndjek politikë të tillë legjislative ndaj komuniteteve fetare. Realisht, kufizimi i simboleve të feve të tjera ishte fuqizuar në Francë vetëm pas “aferës së shamisë” që u ndoq nga komisioni Stasi në vitin 2004 [3]. Ishte problemi që opinioni freng kishte me shaminë që solli tek ndalesa e simboleve të tjera të komunitetit hebrenj, sikh e të krishterë në hapësirat e shkollës, të cilat ishin të lejuara deri atëherë. Mbase trajtën ideologjike dhe motivimin politik të këtij kufizimi e ka shfaqur më së miri filozofi freng Alain Badiou i cili ne shkrimin e tij “Derierre la Loi foulardiere, la Peur !” [4] (“Prapa Ligjit të shamisë, Frika!), aferën e shamisë dhe ligjin e shamisë në Francë e shpjegon me frikën dhe kompleksin kolonial me trajtat e tij ideologjike që merr karshi magrebinevesot. Dhe ai nuk është i vetëm! Raste të tjera margjinale të ndalimit të vajzave janë shfaqur edhe në hapësira ku nuk ka ligj i cili ndalon bartjen e simboleve fetare. Në dhjetor të vitit 2012, pas përjashtimit të dy vajzave nga një shkollë në Zvicer, gjykata lëshoi urdhëresën për kthimin e tyre [5]. Raste të tjera margjinale tek-tuk ka pasur edhe në Spanjë, Holandë dhe Britani, ku zakonisht ndalimi arbitrar i bartjes së simboleve fetare në shkolla është kthyer në favor të së Drejtës për Liri Fetare dhe principit të akomodimit të paradigmave fetare e filozofike !

Në Prill te vitit 2012 një raport i rëndësishëm doli nga Amnesty International me titullin “Choice and Prejudice: the discrimination of muslims in Europe”[6] (“Zgjedhja dhe Paragjykimi: diskriminimi i muslimanëve në Evropë”). Por ky raport si shume të tjerë mbi këtë çështje, kalon natyrisht në modën “mute” pranë rrah-gjokësve të së Drejtave të Njeriut në Kosovë, gazetave të shkruara, opinionistëve dhe militantëve të të drejtave të njeriut. Ai kalon në heshtje ngase fundja i drejtohet Evropës, ndërkaq në qasjen dhe debatin kosovar mbi shaminë, ne nuk identifikohemi me Evropën e asaj ane por me shume me “Lindjen”! Raporti i Amnesty International kritikon ashpër diskriminimin e vajzave muslimane me shami nëpër hapësirat publike dhe në shkolla gjë që zgjeron diskriminimin e tyre edhe në poret tjera të jetës. Raporti i fundit i Human Rights Watch për Kosovën tek “World Report 2012”[7] , sikurse “International Religious Freedom Report 2011”[8] injoron totalisht shkeljen e të drejtave fetare të vajzave muslimane në Kosovë, edhe pse krahas kësaj ky i fundit nuk harron të shpreh shkeljet e njëjta kur raporton mbi hapësira të tjera. Kjo mbase është rezultat edhe i heshtjes së opinionit dhe flamurtarëve të të Drejtave të Njeriut në Kosovë pasiqë qëndrimi i përgjithshëm i Human Rights Watch mbi këtë çështje është konsiderimi i kufizimeve të tilla si shkelje të drejtash dhe diskriminim[9].

III

Shembulli i Kosovës dhe i diskursit diskriminues karshi vajzave me shami ka më shumë ngjasime me shumë nga shtetet e dalura nga Bashkimit Sovjetik, me të cilat, natyrisht, Kosova ndanë edhe kulturën e saj politike! Përveç Rusisë, shtete “muslimane” post-komuniste që me fanatizëm ruajnë qasjen deri diku “staliniane” ndaj lirisë fetare kanë ndaluar bartjen e shamisë në shkolla formalisht apo jo-formalisht dhe përgjigja e tyre ndaj protestuesve ka qenë shumë e ngjashme me atë në Kosovë, si në planin policor ashtu edhe në planin e diskursit Këtë e ka bërë Azerbajxhani, Uzbekistani, Taxhikistani, Kirgistani, të udhëhequra zakonisht nga diktator karizmatik. Të ngjashme me politikat e Kosovës karshi fesë ishin edhe regjimet tjera të diktaturave “muslimane” si ajo e Burgibes dhe Ben Aliut në Tunizi, apo e Ataturkut në Republikën e Turqisë. Por mbase paralele e qëndrueshme është edhe ajo me Iranin dhe Arabinë Saudite, të cilat ngjashëm si Kosova por kokëmbrapshtë, ndalojnë shkollimin pa mbulesë koke, pra ndalojnë zbulimin e flokut! Natyrisht, rekordet mbi të drejtat e njeriut në këto vende janë tashmë të njohura për lexuesit, disa më pak disa më shumë!

Kosovo 2.0: zhurma dhe heshtja!

IV

Karshi shkeljeve të tilla të Konventave Ndërkombëtare opinionistët e Kosovës, qarqet e angazhuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, militantët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të ashtuquajturit “iluministë”, retoricient të evropianizimit institucional e kulturor të Kosovës, i karakterizon indiferenca ose militantizmi ideologjik i shkeljes së të drejtës fetare[10]. Madje edhe KMLDNJ vazhdimisht ka injoruar shkeljen e të drejtave që u bëhen vajzave me shami, të cilat siç thotë edhe raporti i Amnesty International, përveç se janë të diskriminuara në hapësirat e edukimit, janë po ashtu të diskriminuara edhe në tregun e punës, në shërbimet publike (nuk kam ndonjë informatë të ketë ndonjë vajzë me shami që punon në institucionet publike të Kosovës, dhe numri i atyre që punojnë në sferën private është disproporcional. Lexuesit ndoshta i kujtohet zhurma e bërë në rastin kur përkthyesja Besa Ismaili, një gruaje që barte shaminë, qe kualifikuar për të qenë përkthyese zyrtare në Qeverinë e Kosovës) etj. Diskriminimi i vajzave me shami dhe kufizimi i shkollimit për ato ka një dimension të shumfishtë të shkeljës së të drejtave: duke ndaluar shkollimin e vajzave që bartin simbole fetare atyre përveçse u shkelet e drejta për liri fetare, u shkelet edhe e drejta për shkollim në një kontekst përplasjeje të panevojshme. Me heqjen e të drejtës për shkollim, vajzave u humbet edhe e drejta në “mundësi të barabarta” (“equal opportunities”) në tregun e punës i cili (në parim) është i kushtëzuar nga edukimi. Edhe pse, në mungesë të ndonjë ligji të diskriminimit pozitiv për minoritetin e vajzave të mbuluara, ato edhe kur janë të kualifikuara për punë vazhdojnë edhe sot të jenë te diskriminuara dhe persona non grata për tregun e punës dhe natyrisht vazhdojnë t’i bëjnë ballë heshtjes hipokrite të qarqeve të të Drejtave te Njeriut duke perfshirë edhe ato feministe, të cilat thonë tek preokupohen për gruan.

Përballë një atmosfere të tillë, është tejet interesante të vëzhgohet mobilizimi i opinionit publik, gazetave, qarqeve të të Drejtave të Njeriut, feministeve e madje edhe qarqeve ndërkombëtare (Deklaratat e Zbogar dhe Lunaçek) e të lidershipit kosovar, mbi çështjet e diskriminimit të personave për shkaqe të orientimit të tyre seksual. Ky mobilizim është interesant të vëzhgohet në planin e standardeve të dyfishta karshi tutkunllëkut në raport me diskriminimin fetar edhe pse qe të dyja këto diskriminime ndalohen së bashku në të njëjtin nen të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht Neni 24/2. Për më tepër, ajo që është edhe më shokuese është se 2 nga organizatoret dhe penalistet e eventit për promovimin e Revistes Kosovo 2.0, Igballe Rogova dhe Sibel Halimi, kanë qenë nënshkruese të leter-peticionit të “Grave intelektuale të Kosovës” drejtuar Kuvendit kur kërkohej që të pengohej amandamentimi i ligjit i cili në mënyrë implicite presupozohej se lejonte shkollimin e vajzave me shami![11]

Ky paradoks i përcjellur vazhdimisht me një retorikë dhe diskutim tërësisht jo-substancial në spektrin legal e edhe në atë filozofik, dëshmon për karakterin ideologjik të cilin e merr qasja ndaj simboleve fetare apo ekskluzivisht ndaj shamisë së vajzave muslimane në hapësirën e debatit publik në Kosovë. Përtej diskutimit shterp ku fjala “laicitet” e “sekularizëm” përdoret vetëm kalimthi, dhe siç thonë Charles Taylor dhe Jocelyn Meclure, karakterizohet me fetishizmin e laicitetit ku ai ndiqet vetëm me prononcimet kuturu për “ndarje të fese nga shteti”, diskutimi publik ngërthehet edhe me trajta subjektivizmi mbi të cilat ngrihet ngregina e legjitimimit legal: Kështu, Vlora Çitaku legjitimon ndalesën e shamisë ngase ajo “nuk është shenjë e identitetit tonë, se është shenjë e nënshtrimit të femrës ndaj mashkullit e nuk është simbol i zgjedhur”[12], ku me një dorë ajo dëshmon tendencën për diskriminim kulturor (nuk është e jona), nuk shpjegon se si kufizohet “nënshtrim i femrës ndaj mashkullit” nëse vajzave u ndalohet bartja e shamisë ekskluzivisht në shkolla dhe edukimi bashkë me të?! Aq më tepër, e tërë kjo bëhet duke injoruar zgjedhjen e lirë të vajzave për të bartur shaminë, duke i ndjekur propagandimin që bënte Flaka Surroi kur thoshte se “vajzat marrin rroga që të bartin shami” ![13] Ngjashëm Donika Kada-Bujupi, deputete e AAK-së në një debat televiziv mbi mësimin e fesë në shkolla, e zhvendos këtë çështje tek sfera krejtësisht kulturore tek thotë se shamia “nuk është veshje as tradicionale as shqiptare, është arabe. Na nuk jemi arab, jemi shqiptar. S’na duhet ajo ferexhe (?!)….”[14], duke shprehur kështu një imperializëm kulturor të brendshëm të cilin mbase partia e saj do e implementoj kur te arrijë në pushtet, kushedi edhe përtej shkollës. Opinionisti Enver Robelli në anën tjetër i rreket legjitimimit të ndalesës së shkollimit të vajzave me shami duke ju qasur një de-konstruktimi të shamisë dhe duke e vënë atë në një plan të konstruktit kulturor e autoritar, ndalimin e saj e quan akti i orientimit të Kosovës kah “iluminizmit dhe demokracisë perëndimore….të cilin e synon edhe Kosova”[15]. Ngjashëm, kjo jehonë dëgjohet edhe nga opinionistë të tjerë të cilët të pafuqishëm e artikulojnë një qasje legale të qëndrueshme që legjitimon ndalimin e shamisë (e cila mund të kufizohet vetëm nëse paraqet prishje të rendit publik, sigurisë dhe shëndetit siç parasheh Neni 55 i Kushtetutës), i qasen kritikave dhe interpretimeve ideologjike të saj duke e zhbërë karakterin e saj fetar dhe duke e zhvendosur në departamentin e kulturës. Klimaksi i këtij teatri të absurdit, u dëshmua se është në udhëzimin që Bujar Nevzati, Drejtor i Drejtoratit për Arsim, i dërgonte “drejtorëve të shkollave ku ka vajza të mbuluara” me datën 13 Prill 2012. Udhëzimi i tij i bënte jehonë kulturalizmit të trajtuar më lartë kur ai i udhëzonte drejtorët që të lejojnë vajzat me shami me kushtin që ato të bartin “shalla modern me ngjyra të çelura dhe që [janë] tradicionale…” dhe se “uniforma fetare që është bartur deri më tashti (e tipit iranian) nuk do të lejohet në asnjë mënyre”!

Në anën tjetër, duke bërë këtë, Çitaku, Kada-Bujupi, Robelli e të tjerë, bien në kontradiktë me vet fetishin e termit sekularizëm të cilin nuk harrojnë megjithatë ta përmendin në diskurset e tyre: kësisoj, pas kulturalizimit të shamisë si veshje “arabe”, ata kthehen përsëri dhe e bëjnë fetarizimin e saj tek përmendin laicitetin! Realisht, përpjekja e tyre për kulturalizim të shamisë si një trung i huaj, e shemb edhe argumentin fetish të laicitetit ngase nuk kemi të bëjmë më me një simbol fetar, por kulturor dhe rrjedhimisht e cilëson këtë diskurs me racizëm kulturor! Përdorimi i përçudnuar i nocionit shumë-të-bastarduar të laicitetit në debatin tonë publik është shndërruar në një pazmë mbrojtëse kundër religjionit. Këtu, ky nocion i cili siguron respektin dhe garancinë e doktrinave komprehansive mbi botën, përdoret sikur të jetë sistemi vlerash i cili militon shporrjen e fesë nga çdo sferë publike. Kësisoj, ai kategorizohet në atë që Olivier Roy quan “laicitet ideologjik”[16] apo në atë që David Cameroon pati quajtur “laicitet muskuloz” e që orientojnë diskursin drejt kah një “integrizëm republikan”, siç do ta quante Jean Bauberot, diskurs i cili është kundër principit të laicitetit në parim [17] ! Kështu, shpërfytyrimi i laicitetit nuk bëhet nga laiket e vërtetë, por nga laicistët! Ky njësim i sekularizmit me sekularizimin (laicitetit me laicizimin) është shpërfytyrimi ideologjik më i pandërgjegjshëm i laicitetit i cili natyrisht tregon pasaktësinë intelektuale në trajtimin e raporteve fe-shtet! E si te kuptohet ndryshe ky nocion, kur në gjuhën shqipe ende nuk ka asnjë libër i cili trajton strictu sensu laicitetin, nocion i cili është princip rregullator i diversitetit dhe i garancisë së pluralitetit të lirisë fetare dhe të vetëdijes!

Heshtja dhe pjellja e frustrimit!

V

Hipokrizia e shoqërisë civile, opinionistëve, institucioneve rojtare të të drejtave të njeriut, shoqatave rojtare të të njëjtave, të cilët përball shkeljes së të drejtës për liri fetare të vajzave qëndrojnë memec, por jo të shurdhër, mbase është e motivuar nga orientimi që ka marrë në opinionin publik ideja për shaminë, apo thjeshtë për komunitetin musliman. Shamia, perceptohet si “arabizëm” , si “fundamentalizëm”, “islamizëm”, “radikalizëm”, “ç’kulturim”, “alienim nga shqiptaria”, “veshje e huaj” , “veshje arabe, turke”, dhe të mbrosh një të drejtë të tillë esenciale, në diskursin publik të opinionistëve militantë për ndalimin e shamisë, ti, edhe si ateist apo budist, lehtë etiketohesh me ndonjërën nga termat me të cilët asociohet shamia. Këtë e dëshmon edhe shkrimi i Arbana Xharrës, “Çarjet në Fe Alarmojnë Kosovarët” [18] Autorja shpreh dhe aludon se ata që kërkojnë “të drejta më shumë…. në arsim” janë në fakt ekskluzivisht “islamistët konservator” të cilët në tekst marrin trajta emërore të “radikalëve”, “fanatikëve”, janë ndjekës të “islamit të rreptë” , të “Islamit strikt” etj etj. (tek Enver Robelli ata/ato janë ekskluzivisht “gra e vajza të mbuluara me shamia, burra me mjekra si tufë kallamboqi dhe me pantallona mbi zogun e këmbës” ). Deri diku znj. Xharra ka të drejtë të kufizoj mbrojtjen e të drejtave të vajzave me shami në kategori të tilla apo të ngjashme ngase fundja, me ndonjë përjashtim krejt të vogël, askush tjetër përpos besimtarëve të përkatësisë muslimane duket se nuk lodhet për shkeljet qe ju bëhen vajzave. A konsiston kjo heshtje në një kazi-konsensus për ndalimin e shamisë? Jo. Por edhe nëse kjo reflekton një konsensus, atëherë shoqëria e Kosovës ka vendosur që me konsensus të shkel të drejtat e garantuara dhe rrezikshëm mund të limitoj ato më vonë edhe kur flitet për komunitetet tjera minoritare etnike për shembull. Për më tepër, heshtja ndaj këtyre shkeljeve të shumëfishta prej disa personave ndoshta edhe bëhet nga frika se mos hidhen automatikisht në taborin e mbiemrave të përmendur më lartë, e mos përfytyrohen si me qenë me “mjekër si tufë kallamboqi” nga të tjerët! Kështu sikur KMLDNJ të dali eventualisht me shqetësimin e njëjtë me Amnesty International apo me Human Rights Watch, ata ndoshta do të trajtoheshin si “islamistë konservator”, si “fanatik”, “proarab” etj, etj.. Heshtja e tillë, njësoj sikurse angazhimi pro shkeljes së të drejtave fetare dëshmojnë të njëjtin disponim për diskriminim.

Çuditshem, nga opinionistë të cilët kritikojnë pothuajse çdo gjë nga qeveria, gjejmë një “përjashtueshmëri” kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtës për shami në shkolla. Disponimi për indiferencë reflekton edhe frikën nga etiketimi si “kripto-islamist”, e si “promovues i agjendave serbe në Kosovë”. Tashmë aty jashtë në diskutimet në Facebook dhe në komentet nën shkrimet që prekin çështjet mbi fenë dhe sferën publike, mund të detektohet lehtë njëlloj ping-pong-u i etiketimeve, ku në një anë mbështetësit e kërkesave legjitime të komunitetit musliman, njerëz të cilët kërkojnë normalizimin e një komuniteti në jetën publike shqiptare, të tjerë që kërkojnë një baraz-largim (apo baraz-afrim) të Shtetit dhe komuniteteve fetare trajtohen si “turq” , “arab”, “proserb”, “antishqiptar”, “tradhtar” dhe shpesh bëhet thirrje për eksterminimin e tyre apo u thuhet që “të shkojnë në Arabi” ose “të kthehen atje” (!?) duke presupozuar natyrisht se edhe komentuesi anonim nën artikuj është gjithsesi një “islamist” apo “fanatik” apo “fundamentalist” fetar! Ping-Pong-u vazhdohet më pas nga musliman të zakonshëm interneti, prodhime speciale të globalizimit e po aq të pandërgjegjshëm, të cilët në konfuzion ngatërrojnë islamofobët par se me kritikët sociologjik e të arsyeshëm të Islamit e të sjelljeve të muslimaneve dhe radha e tyre të etiketojnë me “islamofob” , “armik i Allahut” , “tradhtar”, “shejtan”, “qafir”. Etiketimet e tilla bëjnë që heshtja të gjej “legjtimitetin” e saj dhe që vakuumi në punën që tjetërkund bënë Amnesty International apo të Human Rights Watch, në mungesë të organizatave të cilat “preokupohen” për të drejtat e qytetarëve, të jetë vakum konstant me mundësinë për t’u mbushur dosido. Në shumë trajta, Ping-Pong-u i etiketimeve, që tashmë është bërë kronik, është i ngjashëm me etiketimet që bëhen sa herë që dikush vë në pikëpyetje të themi një politikë ndërkombëtare në Kosovë: një i tillë shpesh i nënshtrohet etiketimeve të ngjashme të tipit “anti-evropian”, “anti-amerikan”, “tradhtar”, etj..

VI

Ajo që detyrimisht të bie në sy është indiferenca pothuaj totale e së majtës. Lexuesit e nxënësit e zellshëm të Zizekut e Badiou-së, të cilët nuk hezitojnë të formulojnë idetë e tyre “blasfemike” karshi opinionit shqiptar kur kritikojnë zellin e nënshtrueshmërisë ndaj ndërkombëtarëve, apo shprehin lirshëm euro-skepticizmin e tyre, megjithatë kufizohen në shprehjen e kundërshtisë së tyre ndaj ndalimit të shamisë siç bëjnë mentorët e tyre Zizek dhe Badiou! Aq më shumë, ata qëndrojnë të heshtur edhe pranë diskursit racist që ndjek diskutimi mbi shaminë kur ky merr edhe trajta të segregimit kulturor. Si lexues të zellshëm që janë të dy kritikëve majtistë të së majtës, zizekianet dhe badiouianët, që gjithsesi kanë vendosur të ruajnë trajtat e tyre shqiptare në këtë çështje, në atmosferën e fragmentuar të së majtës evropiane ata radhiten më shumë në anën e Partisë Socialsite të Francës sesa në radhët e Partisë së Re Anti-kapitaliste (NPA ; Nouveau Partie Anti-capitaliste) të cilët në princip nuk turpëruan të ofrojnë një kandidate myslimane me mbulesë në kokë në rajonin Provence-Alpes-Côte d’Azur, mu në Francë. Këtu mbase fshihet transvestialiteti ideologjik i cili i komprometon parimet: frika ndaj Islamit apo ndaj identifikimit me të nga të tjerët, i kapërdinë edhe parimet universale për të cilat rrahin gjoks të majtët e të djathtët (?!) dhe militojnë kur bëhet fjalë për shembull për një të drejtë e cila radhitet në të njëjtin rend sikurse ajo e mbulimit të vajzave: mos diskriminimin për shkaqe të orientimit seksual. Me heshtjen e tyre duket se me konsensus të majtët par se nuk radhiten në anën e një pjese të konsiderueshme të së majtës së fragmentuar në Gjermani, në Irlandë apo në hapësira të tjera ku e majta është mbase më e zëshmja karshi diskriminimit të myslimanëve dhe kundër islamofobisë!

Legjitimimi i jo legjitimes

VII

Karshi transvestialitetit të parimit dhe diskriminimit të zëshëm dhe të heshtur, kur opinionistët mbërthehen dukshëm me standarde të dyfishta dhe ku heshtja merr formën e diskriminimit tacit është mbase krejtësisht e natyrshme që një komunitet fetar, etnik, kulturor, etj., të akumuloj frustrim shpërthyes. Vajzat muslimane që bartin shami, me plot nga ato që nuk bartin fare dhe bashkë fetaret e tyre, me miq që solidarizohen me ta, të ekspozuar karshi një opinioni të shkruar nënçmues ndaj të drejtave të tyre, sendërtojnë para vetës “Tjetrin” e tyre! Klasa e opinionistëve, shoqëria civile me organizatat që bartin flamurin e mbrojtjes së të drejtave të vendosur për të mbështetur politikat diskriminuese dhe jo-neutrale, shprehimisht apo duke i ikur përgjegjësisë së tyre, në këtë drejtim shkrihen bashkë në përfytyrimin e muslimanëve të cilët ndë rtojnë karshi vetes “Tjetrin” e tyre! Nën ndjesinë se ata tashmë janw “Tjetërzuar” nga këto kategori shoqërore, refleksi i shtyen që mbase në mënyrë disi automatike dhe reaksionare të ndertojnë “Tjetrin” edhe këta ! Kësisoj, për shumë nga të “tjetërzuarit” , opinion-bërësit dhe politik-bërësit kosovar ashtu siç reflektohen në diskutimet mbi të drejtat e tyre marrin lehtë epitetin e “armikut” dhe operimi me të gradualisht shndërrohet në operim të ngjashëm me “armikun” në fushen e transaksionit dialogjik!

Kështu, frustrimi merr trajtë polarizuese ngase opinioni dhe heshtja merr trajtë padrejtësie! “Në fund të ditës, nuk kujtohesh për fyerjet e armiqve, por për heshtjen e miqve”, thoshte me të drejtë Lutheri i ri. Heshtja ndaj diskriminimit dhe ndaj mbështetjes së të dobëtit dhe të minoritetit fetar të dukshëm (visible minority), ushqen frustrimin e të dobëtit, e procesi i frustrimit i cili buron nga shtypja, në akumulim konstant empirikisht mbase çon deri në shpërthime radikale e edhe të dhunshme! Padrejtësia pra i jep karakter legjitim asaj që në parim nuk është legjitime, dhunës! Padrejtësia sociale në koktej me të gjithë faktorët tjerë objektiv si papunësia, varfëria etj., prodhojnë radikalen prej nga edhe derivohet eventualisht dhuna! Kjo situatë është shqetësuese dhe kërkon një angazhim serioz në vend të polarizimit, me të cilin karakterizohet kryesisht debati e diskutimi mbi Islamin përgjithësisht.

Trajtimi jo-neutral i komuniteteve fetare (në këtë ekuacion mund të futet edhe refuzimi konstant që i bëhet komunitetit protestant që të kenë drejtë në një copë toke ku ata mund të varrosen me dinjitet siç kërkon besimi i tyre), nuk është ndryshe nga trajtimi jo-neutral i pakicave kombëtare e etnike në efektet e tija. Diskriminimi ka thuajse të njëjtat parametra për çfarëdo de-nominimi socio-kulturor dhe rezulton në të njëjtat konsekuenca shumë shpesh. Është vigjilente, që minoritetet fetare të dukshme (visible minorities), të trajtohen si minoritete jo më të ndryshme nga minoritetet etnike. Religjioziteti që shprehë besimin e individit përmes formave të dukshme në Kosovë i përket kategorisë minoritare dhe meriton trajtesën dhe preokupimin që meritojnë të tjera minoritete të dukshme. Shtypja, diskriminimi, stigmatizimi, perceptimi konspiracionist dhe tradhtarizues i minoriteteve fetare mund të rezultojë në atë në çfarë rezulton zakonisht edhe qasja e tillë karshi minoriteteve etnike pakice. Will Kymlicka në librin e tij “Contemporary Political Philosophy” kalimthi përflet studime empirike të bëra mbi atë se si kur Shteti sulmon trajtat e veçanta të një minoriteti kombëtar, rezultati më i shpeshtë është krijimi i dislojalitetit dhe separatizmit, dhe se kur shteti heq nga minoritetet pushtetin e tyre mbi veten kjo empirikisht rezulton në tendenca të dhunshme[19]. Kjo nuk është më ndryshe as për komunitetet fetare të cilat, nëse i nënshtrohen jo-neutralitetit të shtetit dhe përpjekjeve të këtij të fundit për të shlyer trajtat e tyre të veçantisë përmes shtypjes dhe diskriminimit, gradualisht mund të eskaloj në dhunë. E tillë ishte eksperienca shqiptare në sensin etnik pranë Jugosllavisë, ku kërkesat për më shumë të drejta u ballafaquan me heqje të drejtash (Autonomia e 74-ës) dhe vazhdimësia e shtypjes dhe diskriminimit etnik e transformoi lëvizjen paqësore në lëvizje të dhunshme!

Nga të fillohet

VIII

Studiuesit Veldhuis dhe Staun nga Instituti Ndërkombëtar për Marrëdhënie Ndërkombëtare Clingendael, thonë së “Perceptimi i të qenit i diskriminuar mund të minoj lojalitetin ndaj shoqërisë dhe autoriteteve përkatëse dhe më shumë intensifikon sesa që ulë motivimin për t’u radikalizuar” [20]. Ajo që është e dukshme në shumicën e punimeve dhe hulumtimeve mbi radikalizimin si proces drejt krijimit të individit radikal, është pikërisht çështja e diskriminimit, stigmatizimit dhe paragjykimeve. Qeveria e Kosovës ashtu sikurse opinioni publik i zhurmshëm dhe i heshtur, përgjithësisht nuk kanë dëshmuar empati ndaj ndjesive të komunitetit musliman që lidhen me këto nocione. Strategjia e BE-së për kundër-radikalizim thotë ndër tjerash se margjinalizimi në tregun e punës, edukimi, si dhe stereotipat dhe paragjykimet negative rrezikojnë integrimin e muslimanëve dhe mund të kontribuojnë në procesin e radikalizimit.[21] Shembuj të ndryshëm, programe të ndryshme të implementuara gjithandej ofrojnë pika të përbashketa politikash për parandalimin e prodhimit të individit radikal duke ju qasur procesit të radikalizimit me një qasje empatike. Në qasjen Britanike për parandalim të radilakizmit, të quajtur “CONTEST”, komponenti i pestë i parandalimit është “adresimi i ankesave nga ekstremistët për të reduktuar diskriminimin dhe pabarazinë”! I njëjti komponent sillet edhe tek Plani i Aksionit mbi Polarizimin dhe Radikalizimin 2007-2011 nga qeveria Holandeze[22]. Një komponentë e tillë adresohet edhe në planin e aksionit të qeverisë Daneze të botuar në 2009, ku adresohet çështja e diskriminimit dhe preokupimit për krijimin e politikave që synojnë reduktimin e tij në shoqëri[23]. Dhe shembuj të tjerë të cilët vënë prioritet mbi empatinë karshi të diskriminuarve.

Qasja ndaj procesit të radikalizimit në hapësirat perëndimore është diametralisht e kundërt me qasjen (apo mungesën e qasjes) në hapësirën Kosovare. Ajo me të cilën karakterizohen krijuesit e opinionit në Kosovë është mbase radikalizmi diskriminues i cili përmes mungesës kuazi-totale të empatisë mbi diskriminimin e komunitetit musliman, mbi indiferencën karshi jo-neutralitetit të shtetit, karakterizohet shumë shpesh me gjuhë degraduese dhe polarizuese karshi komunitetit i cili është suspekt për potencial radikalizues. Krahas kësaj, opinioni thuajse injoron totalisht radikalizmat e së djathtës ekstreme, radikalizimin laicist, radikalizimin krishterë, radikalizimin ateist, të gjitha këto të shprehura dukshëm në diskurs, në media të shkruara dhe në hapësirat e rrjeteve sociale. Procesi i radikalizimit në Kosovë është i shumanshëm dhe implikon segmente të ndryshme të shoqërisë. Gjuha degraduese, etiketuese dhe qasja polarizuese karshi fenomeneve të ndryshme sociale, stigmatizimi dhe margjinalizimi, standardet e dyfishta apo të shumëfishta, të gjitha këto së bashku me variablat tjera objektive, nxisin dhe akumulojnë frustrime shpërthyese. Proceset e radikalizimit, të cilitdo karakter që ato janë, meritojnë qasje empatike dhe përpjekje partneriale për zgjidhje problemesh dhe ato duhet te zhveshën nga frika, nga teoritë e konspiracionit dhe nga tendencat tradhtarizuese të palëve. Mbase nga pikat e rëndësishme që duhet konsideruar për një fillim të trajtimit serioz të problematikave sociale me karakter të tillë duhet filluar me:

*Krijimi i një hapësire të dëgjimit dhe diskutimit jo-polarizues

*Angazhimi i subjekteve të ndryshëm të cilët mund të ndihmojnë në preventimin e radikalizimit në shoqëri, duke përfshirë këtu angazhimin e drejtpërdrejtë me: opinionistët, klerin (hoxhallarë, priftërinj, etj.), subjekte të OJQ-ve

*Imperativi i angazhimit institucional në dialog me subjekte të ndryshme me potencë rregullative në shoqëri.

*Krijimi i grupeve të ndryshme ad-hoc të cilat do definojnë nocione si “radikalizmi”, “fundamentalizmi”, “ekstremizmi”, dhe krahas definimit do të determinojnë prezencën apo jo të tendencave të tilla, emergjencën apo jo të tyre, rrezikshmërinë apo jo të tyre, në mënyrë që të evitohet amalgamimi dhe stigmatizimi prezent në opinionin publik! Dhe do te propozojnë masa preventive dhe politika të duhura me konsensus!

Arbër Fetiu


 

[1] Slavoj ZIZEK në A glance on the archives of Islam tek God In Pain: Inversions of Apocalypse ; Slavoj ZIZEK dhe Boris GUNJEVIC, Seven Stories Press, 2012.

[2] Human Rights Committee; Communication No. 1852/2008 . Subject matter “Expulsion of the author from a public School for wearing a keski”(4 Dhjetor 2012) http://unitedsikhs.org/rtt/doc/BikramjitSinghDecision.pdf

[3] Rapport de la Comission Stasi, 13 dhjetor 2003, në Le Monde http://medias.lemonde.fr/medias/pdf_obj/rapport_stasi_111203.pdf

[4] Alain Badiou, Derrière la loi foulardière, la peur, 23 Mars 2004, tek Le Monde,

[5] Swiss court rules to allow hijab in schools, 13 Dhejtor 2012, PressTv `http://www.presstv.ir/detail/2012/12/13/277863/swiss-court-lifts-hijab-ban-for-schools/

[6] Europe: Choice and prejudice: Discrimination against Muslims in Europe , Prill 2012, Amnesty International http://www.amnesty.org/es/library/asset/EUR01/001/2012/en/85bd6054-5273-4765-9385-59e58078678e/eur010012012en.pdf

[7] World Report 2013 : events of 2012, Janar 2013, Human Rights Watch https://www.hrw.org/sites/default/files/wr2013_web.pdf

[8] International Religious Freedom Report for 2011; Bureau of Democracy, Human Rights and Labor http://www.state.gov/j/drl/rls/irf/religiousfreedom/index.htm#wrapper

[9] Questions and Answers on Restrictions on Religious Dress and Symbols in Europe , 22 Dhjetor 2010 , Human Rights Watch. http://www.hrw.org/news/2010/12/21/questions-and-answers-restrictions-religious-dress-and-symbols-europe

[10] Te pakta dhe margjinale jane rastet e reagimit ndaj diskriminimit ndaj vajzave me shami. Rrjeti I organizatave jo-qeveritare ne Ferizaj pati reaguar karshi diskriminimit te vajzave me shami ; nderkaq Iniciativa e te Rinjeve per te Drejtat e Njeriut ne publikimin e saj “Ligji kunder diskriminimit ne Kosove shtate vite pas” (2011) kalimthi tregon karakterin de facto dhe de jure diskriminues te ceshtjes.

[11] Gratë intelektuale kundër fesë në shkolla, 27 Gusht 2011, Gazeta Zeri http://www.zeri.info/artikulli/1/2/32890/grate-intelektuale-kunder-fese-ne-shkolla/

[12] Headscarf ban sparks debate over Kosovo’s identity, 23 Gusht 2010, BBC http://www.bbc.co.uk/news/world-europe-11065911

[13] Radical Islam uses Balkan poor to wield influence, 25 Tetor 2010 http://www.npr.org/templates/story/story.php?storyId=130801242

[14] Në të njejtin debat Donika Kada-Bujupi në formë cinike dhe me ton disi akuzues i thoshte Glauk Konjufcës dhe VVsë “nuk keni guxuar te ballafaqoheni me realitetin e krijuar” – Emisioni Target 05.09.2011

[15] Enver Robelli; Shamia e shpifur , 3 korrik 2010 , gazeta Koha Ditore

[16] Olivier ROY , Islam confronts secularism, Columbia University Press, 2007; fq XII

[17] Jean BAUBEROT, L’intégrisme républicain contre la laïcité, Editions de l`Aube, 2006, fq 23

[18] Arbana Xharra, Carjet ne fe alarmojne shqipetaret , 24 Dhjetor 2012, gazeta Jeta ne Kosovehttp://gazetajnk.com/?cid=1,979,4206`

[19] Will KYMLICKA, Contemporary political philosophy: an introduction,2nd Ed. , Oxford University Press,2002,fq.351-352

[20] Tinka VELDHUIS & Jørgen STAUN , Islamist Radicalisation: A root cause model , NIIRC, Tetor 2009, fq.19

[21] TTSRL Consortium , The EU Counterradicalization Strategy Evaluating EU policies concerning causes of radicalization, Transnational Terrorism, Security & the Rule of Law,Maj 2008.

[22] Polarisation and Radicalisation Action Plan 2007 – 2011http://www.nyidanmark.dk/NR/rdonlyres/E9353925-A523-41C6-94F1-643EACF826CC/0/minbiz007_actieplanukv3.pdf

[23] A common and safe future , Government of Danmark , Janar 2009, fq.5

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit