Udhëtimi paraqet një sfidë për secilin nga ne, qoftë ai zyrtar apo jo, dy ditor apo më i gjatë, dhe gjithmonë duhet të merrni me vete ‘barnatoren’ e vogël personale. Nuk duhet të merrni shumë barna me vete, përpos atyre më esenciale.
Personat të cilët udhëtojnë shpesh, e dinë se çfarë duhet të marrin përderisa të tjerët marrin këshilla nga farmacistët nëpër barnatore. Me organizim grupor përmes ndonjë agjencie turistike në ndonjë destinim të caktuar, të afërt apo të largët, udhëtari gjithmonë ndjehet i pasigurt.
Në rast se i nevojitet një bar të cilin ai nuk e ka marrë me vete, ekziston mundësia që dikush nga grupi ta ketë marrë, kështu që do të arrihet një zgjidhje në njëfarë mënyre.
Mundësia e udhëtimit në vendet e largëta dhe pa prenotim përmes agjencive turistike në anën tjetër paraqet rrezik dhe mundësi të papritur të nevojës për ndihmë mjekësore, të cilën në asnjë moment nuk e keni pritur dhe menduar.
Te afro 75% e udhëtarëve, gjatë udhëtimit në vendet tropikale me ndryshim klime, shfaqet së paku një ndryshim apo problem shëndetësor (sidomos tek personat e moshuar apo kronikët e ndryshëm) dhe rreth 5% e tyre kërkojnë ndihmë mjekësore të parevokueshme.
Kjo sidomos ndodh te personat e moshës prej 20 deri në atë 29 vjeçare. Për këtë arsye është e pa diskutueshme konsulta në lidhje me sigurimin e barnave para udhëtimit (barnatoren personale) si edhe njohuritë e përgjithshme mbi simptomat e sëmundjeve të mundshme gjatë udhëtimit, si dhe pas tij, të cilat njëkohësisht udhëzojnë edhe për mënyrën e veprimit në ato raste. Edukimi, gjegjësisht informacioni i duhur mbi sëmundjet e caktuara të cilat mund të paraqiten në vendin e pushimit ose pas kthimit në shtëpi, në raste të tilla është i domosdoshëm sidomos për sëmundjet siç janë: malarja, diarreja, infeksionet e ndryshme, etj.
Si t’i rruajmë barnat gjatë udhëtimit?
Rregullat që duhet respektuar vlejnë për të gjitha llojet e barnave që i keni marrë me vete dhe ato janë:
1. Barnat gjatë udhëtimit i mbani gjithnjë në paketim origjinal, së bashku mefletëudhëzimin për mënyrën e përdorimit.
2 Në rast se jeni i sëmurë kronik, asnjëherë mos i nxjerrni barnat nga paketimi origjinal i tyre dhe t’i paketoni të gjitha në të njëjtin vend. (sidomos ato të mëngjesit dhe mbrëmjes). Po ashtu së bashku me barin e mbani edhe fletëudhëzimin për mënyrën e përdorimit.
3. Të gjitha barnat i mbani në një qese apo kuti në atë mënyrë që ta keni më të lehtë përdorimin e tyre gjatë udhëtimit.
4. Respektoni ligjet e vendit në të cilin udhëtoni sa i përket sasisë së lejuar të bartjes së barnave.
5. Në rast se keni me vete barna me veprim të fortë, konsultohuni me rregulloren mbi transportin e barnave të tipit të tillë në mënyrë që të mos ju shfaqen probleme gjatë udhëtimit dhe kontrollit të bagazhit.
6. Në rast se barnat për udhëtim i paketoni nga “barnatorja shtëpiake” gjithsesi paraprakisht kontrolloni edhe datën e skadimit së tyre.
Çfarë duhet marrë medoemos nga barnat ?
Literatura mjekësore por edhe ajo farmaceutike shumë pak jep informata mbi atë se çfarë do duhej marrë nga barnat, gjatë ndonjë udhëtimi zyrtar, turistik apo tjetër. Kryesisht veprohet në mënyrë individuale mënyrë kjo e zgjedhjes e cila duhet të përmbajë:
– Antiseptik për lëkurë dhe fasha (flastera)
– Analgjetik (bar kundër dhimbjeve), gjegjësisht antipiretik (bar për uljen e temperaturës së lartë trupore)
– Thëngjill aktiv (në rast të shfaqjes së barkqitjes)
– Qese pluhuri për përgatitje të tretësirës për zëvendësimin e lëngjeve të humbura trupore (pluhur për tretësira rehidruese)
– Antacid, bar kundër thartirës së tepërt në lukth (në rast se shfaqet nevoja)
– Antimikotik (bar kundër infeksioneve të myqeve në lëkurë) në formë pluhuri apo kremi.
– Antihistaminik (bar kundër alergjisë)
– Barnat si terapi kronike për nevoja individuale të pacientëve me sëmundje kronike.
Çfarë duhet të dini në rast se ju duhen barna në vendin në të cilin ndodheni?
Çdo kund në botë, ekzistojnë dy tipa të barnave: barnat që jepen pa recetë dhe barnat që jepen vetëm me recetë, gjegjësisht ato që nuk mund t’i blini pa recetë të mjekut. Po ashtu barin të cilin e blini në vendin tuaj ndodh të mos jetë me të njëjtin emër prodhues në vendin në të cilin ndodheni, që do të thotë se do të duhet ta dini të ashtuquajturin emrin gjenerik të barit apo emrin e pambrojtur ndërkombëtar, emër ky i cili ndodhet menjëherë nën emrin fabrikues të barit në pako, dhe i cili zakonisht ndodhet i shkruar me shkronja më të vogla dhe i futur në kllapa. P.Sh. PANADOL – emri fabrikues; (paracetamol) – emri gjenerik.
Gjithashtu është e nevojshme të dini edhe formën e barit të cilin e përdorni (tableta, sirup, supozitor, kapsula, etj…) si dhe fortësinë e tij të shprehur zakonisht me mg (miligram)
A duhet gjatë udhëtimit të marrim edhe antibiotikët?
Sipas rregullores, jo. Për përdorim të antibiotikëve Ju duhet kontrolli i mjekut dhe përshkrimi i barit nga ai.
Çka tjetër duhet të marrim gjatë udhëtimit?
Gjithsesi merrni me vete faculeta të lagëta dhe të freskëta të cilat nuk janë bar por mbrojnë ose lëng dezinfekstues për duar. Sa herë që të keni kohë, pastroni duart tuaja me ujë dhe sapun. Gjithashtu merrni me vete disa kuti çaji me filtër, në rast se papritmas ju nevojitet në mes të natës.
Rrugë të mbarë dhe pushim të këndshëm!/im