4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

“Erdoğan i pakrahasueshëm me politikën për barazinë e kurdëve”

Më të lexuarat

Kalın: “Ai i ka njohur kurdët si një komponent i barabartë dhe i rëndësishëm i kombit turk dhe bëri një dallim të qartë në mes të komunitetit kurd dhe PKK-së”

SHKUP (AA) – Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, duke aluduar në vizitën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Dijarbakir ditë më parë, është shprehur se presidenti Erdoğan që nga vizita e tij e parë në Dijarbakir në vitin 2005 ka ndërmarrë hapa të pakrahasueshëm me ndonjë lider tjetër turk për sa i përket barazisë së kurdëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një kolumnë për gazetën turke Daily Sabah, Kalın ka shkruar në lidhje me investimet dhe politikën e presidentit Erdoğan për përqafimin e kurdëve si qytetarë të barabartë, dallimin mes kurdëve dhe organizatës terroriste PKK, ndërlidhjen e kësaj të fundit me Partinë Demokratike të Popujve (HDP) dhe rolin politikave të presidentit Erdoğan kundrejt kurdëve në referendumin që do të mbahet më 16 prill.

Vizita e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Dijarbakir të shtunën, siç shkruan Kalın, u zhvillua përkundër një sfondi historik politik të farkëtuar me mundësi dhe sfida. “Mesazhi i tij i përqafimit të kurdëve si qytetarë të barabartë të Republikës ka domethënie të rëndësishme përtej referendumit të 16 prillit,” ka shkruar Kalın.

Kalın ka theksuar se që nga vizita e tij të parë në Dijarbakir në vitin 2005, Presidenti Erdoğan ka ndërmarrë hapa të pakrahasueshëm me ndonjë lider tjetër politik në historinë moderne të Turqisë.

“Ai i ka njohur kurdët si një komponent i barabartë dhe i rëndësishëm i kombit turk dhe bëri një dallim të qartë në mes të komunitetit kurd dhe PKK-së. Ai ka zbatuar reforma për të hequr ndalimin e gjuhës kurde në media, fushata politike dhe fusha të tjera të jetës”, thekson Kalın.

“Ai prezantoi kutinë e votimit dhe parlamentin si një alternativë ndaj terrorizmit të PKK-së. Si kryeministër, ai ka investuar miliona dollarë për përmirësimin e standardit jetësor të qyteteve të predominuar me kurdë”, vë në dukje Kalın, duke shtuar se përqafimi i kurdëve si qytetarë të barabartë ka qenë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë politike të Erdoğanit.

Në kolumnën e tij, Kalın ka cituar presidentin Erdoğan gjatë fjalës së tij në Dijarbakir, i cili tha se “jemi të gatshëm për të biseduar dhe të ecim me këdo që ka diçka për të thënë dhe projekt për të zbatuar. Kushti ynë i vetëm është që ata të mos bartin armë dhe të mos kërkojnë për të ndarë vendin dhe kombin.”

Kalın shton se që kur PKK i dha fund në mënyrë të njëanshme procesit të paqes në vitin 2015 dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP) prishi rolin e saj si një aktor potencial politik, presidenti ka thënë se ai do t’u qaset kurdëve vetë, duke përfshirë edhe udhëheqësit e komunitetit, figurat politike , qytetarët e zakonshëm, biznesmenët, OJQ-të dhe të tjerët, për të adresuar çështjet e tyre.

“Në të vërtetë, kurdët nuk mund të lihen në mëshirën e PKK-së dhe ideologjinë e tyre shtypëse marksiste-leniniste”, thekson Kalın, për të vazhduar më tej se PKK është listuar si një organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, dhe njihet më së miri për terrorizmin e barbar jo vetëm kundër shtetit turk, por edhe kundër kurdëve që nuk të përqafojnë ideologjinë e tyre.

Duke folur për rolin e HDP-së në mbështetjen ndaj organizatës terroriste PKK, Kalın shkruan se HDP ka kryer vetëvrasje politike duke zgjedhur të mbështesë ‘politikën e llogoreve’ të PKK-së dhe duke e vënë në shërbim të saj buxhetin, ambientet dhe stafin e komunave që kishte fituar në zgjedhjet lokale të vitit 2014.

“Veprimet e tyre nuk ishin vetëm të paligjshme, por edhe një goditje e madhe për legjitimitetin politik të HDP-së. Shumica e kurdëve janë të zhgënjyer nga PKK dhe HDP dhe duan paqe, siguri dhe prosperitet, e jo shtypje,” thekson Kalın.

Siç shkruan Kalın, kjo është pikërisht ajo që presidenti premtoi në Dijarbakir: “Ashtu si nuk mund të imagjinojmë Turqinë pa Stambollin, Izmirin, Trabzonin, Antalian dhe Erzurumin, njashtu nuk mund të imagjinojmë atë edhe pa Dijarbakirin.”

Zëdhënësi i presidencës turke Kalın më tej shkruan se Republika e Turqisë është po aq e turqve, arabëve dhe të tjerëve, sa është edhe e kurdëve dhe se presidenti ka bërë të qartë se ndërkohë që operacionet anti-terrorizëm vazhdojnë, nuk do të ketë kthesë nga respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve kurdë.

“Pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme deklaruar pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, nuk ka pasur asnjë ndryshim në zbatimin e reformave që qytetarët kurdë gëzojnë sot. Qeveria po investon, ndër të tjera, miliona dollarë në rrethin Surit e Dijarbakirit për të rindërtuar zonat e shkatërruara nga terroristët e PKK-së”, potencon Kalın.

Sipas Kalın, presidenti Erdoğan kundërshton politikat e pista të PKK-së që flasin për paqe, ndërsa mbajnë armë dhe se ai hedh poshtë pretendim e HDP-së se ajo është një zë për kurdët kur ajo flet në radhë të parë për PKK-në. Kalın shton se realiteti është se HDP nuk ka treguar guximin të vë në pikëpyetje dhe të refuzojë PKK-në gjatë dhe pas procesit të paqes të iniciuar nga vetë Erdoğan.

“Asnjë qeveri nuk do të pranojë asnjë bashkëbisedues politik që kërkon të japë legjitimitet për luftë të armatosur, duke mbështetur PKK-në, ndërkohë duke shijuar privilegjet e politikës parlamentare”, potencon Kalın, dhe shton se kjo do të ishte si pranim në heshtje i kërkesave të IRA-së në Irlandën e Veriut, ETA-s në Spanjë apo FARC-ut në Kolumbi, për të vazhduar luftën e armatosur, ndërkohë duke bërë thirrje për njohje politike apo paqe.

Shpëtimi i kurdëve nga PKK, siç vë në dukje Kalın, do të thotë jo vetëm njohje e të drejtave të tyre dhe ngritje e standardeve të tyre të jetesës, por edhe mbrojtje e tyre nga dhuna dhe shtypja e PKK-së. Shumica e kurdëve në Dijarbakir, Hakkari, Sirnak dhe qytete të tjera të populluara me kurdë thonë se ata mbështesin masat e fundit të sigurisë të marra kundër PKK-së dhe militantëve të saj urbanë, sepse ajo u jep atyre një ndjenjë të normalitetit dhe shpresë për të ardhmen”, shkruan Kalın.

Duke aluduar në qeveritë evropiane që i japin mundësi instalimeve të ndryshme të PKK-së në vendet e tyre dhe kërkojnë t’i përdorin ato kundër Turqisë, Klain thotë se ato nuk janë vetëm duke shkelur parimet e tyre, por edhe angazhohen në një strategji vetë-mposhtëse.

“Administrata amerikane po bën të njëjtin gabim duke mbështetur degët e PKK-së në Siri, PYD-në dhe YPG-në, në emër të luftës kundër DEASH-it. Nuk është sekret se PKK është duke përdorur luftën siriane si një mjet për ambiciet e saj rajonale”, shprehet më tej Kalın, duke nënvizuar se politika e mbështetjes së PKK-së dhe degëve të saj të ndryshme në Europë apo në Siri, do të ketë pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë rajonale.

Ndërkohë, sipas Kalın, shumica e kurdëve janë lodhur nga të qenët të konsideruar si gur shahu për t’u përdorur nga aktorët e huaj kundër vendit të tyre. Ai thotë ata janë të ngopur me mediat perëndimore që marrin seriozisht vetëm deklaratat e PKK-së dhe HDP-së dhe refuzojnë qëndrimin e tyre anti-PKK, ndërkohë që, siç thotë ai, kurdët refuzojnë imazhin marksist-leninist si një mjet në duart e të huajve që dëshirojnë lufta të ndërmjetme.

“Sondazhet sugjerojnë se votuesit kurdë mbështesin referendumin kushtetues në numër më të lartë se sa pritej. Kjo është e natyrshme duke pasur parasysh se ata i shohin të mirat e sistemit të propozuar që do t’i japë fund periudhës së qeverive të dobëta të koalicionit, do të aktivizojë ekonominë dhe do të krijojë një sistem të fortë të kontrollit dhe balancimit”, potencon Kalın.

Kalın thekson se mesazhi Erdoğanit për përqafimin e kurdëve si anëtarë të barabartë të Turqisë e ka karakterizuar politikën e tij që nga viti 2003 dhe mbetet i rëndësishëm për referendumin e 16 prillit dhe më gjerë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit