Nëntë persona kanë humbur jetën në shtetin amerikan të Oregonit, pasi një autobus turistik doli jashtë autostradës për shkak të ngricës, bën të ditur agjencia e lajmeve Euronews.
Rreth 20 të tjerë u plagosën. Autobusi, i cili transportonte 40 persona, ra nga një lartësi prej 30 metrash, duke përfunduar në fund të një shpati me dëborë. Autobusi ishte duke udhëtuar nga Las Vegasi në Vankuver të Kanadasë.
Ndërkohë në SHBA-të lindore, në disa shtete si Masacusets, Konektikut dhe Roud Ajlënd, shtresimet e dëborës kanë arritur deri në 30 cm, transmeton Shekulli online.
Kryebashkiaku i Bostonit ka shpallur emergjencë dëbore dhe ka angazhuar rreth 200 ekipe borëpastruesesh për të zhbllokuar rrugët e qytetit.
Në Kanada, me mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në rajonet e Nova Skotias, Princ Eduard Ajlënd dhe Nju Bransuik. Fluturimet në disa nga provincat lindore të Kanadasë janë anuluar. /Telegrafi/