Afati i përdorimit të mishit, vezëve, qumështit ose djathit nuk është i njëjtë, dhe varet nga shumë faktorë. Për këtë arsye mësoni se si ta ruani ushqimin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ushqimi i prishur në rastin më të mirë mund të shkaktojë çrregullime në tretje, ndërsa në rastin më të keq mund ta dëmtojë seriozisht shëndetin tuaj, transmeton Koha.net. Për këtë arsye është e rëndësishme të dihet se sa është afati i disa ushqimeve të caktuara dhe si ta ruani ushqimin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Mishi
Kur e hapni paketimin e mishit, mund ta përdorni edhe një ditë më vonë. Sigurisht, vetëm nëse nuk i ka skaduar afati. Nëse sipërfaqja e mishit është rrëshqitëse dhe kundërmon, kurrsesi mos e hani. Në frigorifer në temperaturën prej -18 gradë, mishi nuk do të duhej të rrijë më gjatë se një gjysmë viti.
Vezët
Afati minimal i vezëve është 28 ditë nga dita e bërjes, dhe mund të ruhen në temperaturën prej pesë deri 18 gradë celsius. Në frigorifer do të durojnë të paktën një muaj, në rastin kur nuk janë të dëmtuara apo nuk e kanë të plasaritur gëzhojën.
Qumështi
Në paketimin qumështit shkruhet data e skadimit, ndërsa prodhuesit në të shumtën e rasteve përmendin edhe kohën e përdorimit pas hapjes, çka në të shumtën e rasteve është një deri dy ditë. Qumështin e pahapur mund ta ruani në temperaturën deri 24 gradë celsius, ndërsa pas hapjes ta ruani në vend të ftohtë (katër deri tetë gradë) dhe ta përdorni brenda tri ditësh.
Qumështi i prishur mund të shkaktojë shumë probleme serioze shëndetësore. Qumështi i cili është tharbur ose ka ndryshuar ngjyrën, apo është mpiksur, paketimin e ka të fryrë apo vërehen ndryshime tjera, në asnjë rast mos e pini dhe mos e përdorni as të zier.
Djathi dhe gjalpi
Çdo djathë duhet të paketohet në mënyrë të duhur, përndryshe mund të thahet dhe të myket. Djathin që e blini në treg tashmë të ndarë, duheni ta përdorni në afatin prej 24 orësh.
Gjalpi gjithmonë duhet të ruhet në vend të ftohtë, gjithmonë duhet të jetë i paketuar që të mos prishet dhe të myket. Kur e preni, gjithmonë përdorni thikë të pastër.
Pemët dhe perimet
Afati i skadimit të pemëve dhe perimeve nuk mund të përcaktohet njëjtë. Ai varet nga lloji i ushqimit dhe mënyrës së ruajtjes së ushqimit – në bodrum, frigorifer apo temperaturë të dhomës. Sidoqoftë nuk duhet të hani pemë dhe perime në të cilat shihen shenjat e qarta të ndryshimit – myku ose kalbësira.
Nuk është e mjaftueshme të hiqet pjesa e dëmtuar apo e prishur, veçanërisht kur është fjala për pemët dhe perimet me përqindje të lartë të ujit, siç janë kastravecët, pjeshkat ose domatet.
Te pemët dhe perimet që janë tashmë të prera dhe të paketuara duheni të keni kujdes në datën e skadimit të afatit dhe kushtet e ruajtjes.
Ushqimet e nxehura
Nëse ushqimin që nuk e keni ngrënë e vini në frigorifer, duheni ta hani në afatin prej dy ditësh. Kjo rregull nuk vlen gjithmonë – varet prej ushqimit, temperaturës së frigoriferit dhe mënyrës sipas së cilës është përgatitur ushqimi. Ushqimin e tillë duhet ta nxehni vetëm një herë, dhe atë jo të gjithë sasinë – më së miri është ta nxehni vetëm pjesën që dëshironi ta hani.