Kosova e Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për të shkëmbyer e mbrojtur informacionin e klasifikuar më parë këtë muaj në Tiranë dhe ekspertët e sigurisë thanë se veprimi është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e strukturave të sigurisë të mbështetura në standartet e NATO-s.
“Jemi në fazat fillestare të mbushjes në institucione, por gjithashtu në përmbushjen e standarteve të kërkuara,” tha ministri i brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi.
Marrëveshja përcakton standartet bazë për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, i përcaktuar si i tillë nga një ligj i miratuar në parlamentin e Kosovës, sipas Fisnik Rexhepit, këshilltar politik për ministrinë e brendshme të Kosovës.
Në korrik 2010, Kosova miratoi Ligjin mbi Informacionin e Klasifikuar e Verifikimin e Kontrollit, që parashikon për një ndëshkim deri në 12 vjet në burg për nxjerrjen e informacionit të fshehtë, sekret ose tepër sekret.
“Çdo informacion që bie në kuadrin e këtij përcaktimi duhet të trajtohet, shkëmbehet e ruhet mbështetur në standartet e përcaktuara në atë marrëveshje,” i tha Rexhepi SETimes.
Marrëveshja përcakton gjithashtu procedurat për përftimin e një kontrolli sigurimi në të dy vendet, një proces i cili nisi kohët e fundit në Kosovë.
Një kërkesë kryesore e marrëveshjes së re është që vendi që merr informacion të klasifikuar të mos e kalojë atë te palët e treta pa miratimin më parë me shkrim të vendit që e ofron informacionin.
“Këto standarte kërkohen nga NATO, në të cilën Shqipëria është një anëtare. Kemi përmbushur të gjitha standartet e sigurisë për informacionin e klasifikuar, qofshin të NATO-s ose organizatave ndërkombëtare ose vendeve të tjera me të cilat bashkëpunojmë,” tha Shyqyri Dekaveli, drejtori i Shqipërisë i drejtorisë së informacionit të klasifikuar. Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të shkëmbimit të informacionit të klasifikuar me 12 vende përfshirë Greqinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Kroacinë e Slloveninë.
Ekspertët e sigurisë thanë se këto marrëveshje ofrojnë një kuadër për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar e rrisin sigurinë rajonale.
“Siguria kolektive rajonale domosdoshmërish kërkon shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, mbështetur në marrëveshjet e ndërsjella dypalëshe. Kjo përmirëson rendin e ditës për të luftuar krimin ndër-vendor,” i tha SETimesBurim Ramadani, anëtar i parlamentit të Kosovës.
Marrëveshjet janë një tregues i nivelit të lartë të besimit midis vendeve rajonale, sipas Andreja Bogdanovski, një studiues i sigurisë në Analytica, një organizatë kërkimore në Shkup.
“Kërcënimet e sotme ndaj sigurisë janë të ndryshme e shkojnë përtej kufijve të një shteti të vetëm. Marrëveshjet ndihmojnë shkëmbimin më të gatshëm të informacionit me rreziqe të ndryshme sigurie, duke rezultuar përfundimisht në përgatitjen më të mirë për të trajtuar një kërcënim të veçantë të sigurisë, nga ana tjetër,” i tha Bogdanovski SETimes.
Bogdanovski tha se kuadri i marrëveshjes nxit qeverisjen e mirë dhe standartet e përgjegjshmërisë duke eliminuar nevojën për të përftuar të dhëna të klasifikuara sipas rastit ose nëpërmjet kanaleve jozyrtare.
Maqedonia ka përfunduar marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë, Kroacinë, Slloveninë e Bullgarinë dhe po punon tani që të përfundojë marrëveshjet me Malin e Zi e Serbinë.
Marrëveshjet janë një hap përtej bashkëpunimit të rregullt midis dy vendeve,” i tha SETimesMarko Savkoviç, një kërkues në Qendrën për Politikën e Sigurisë në Beograd.
“Mund të vendosni të ngrini një marrëdhënie të ngushtë me një tjetër vend për shkak se ka një kërcënim të përbashkët që dëshironi të trajtoni. Me qëllim që këto marrëveshje të zbatohen, të dy vendet duhet të kenë ligje e mekanizma për të rregulluar konficialitetin siç duhet,” i tha Savkoviç SETimes.