1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Figurat historike përballë gjykimit politik

Më të lexuarat

Historia, më saktë figurat historike, nuk i shpëtuan debatit politik, nxitur nga afrimi i një date të rëndësishme, 28 nëntor 2012 që shënon 100 vjet prej shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur.

Historianët ndahen në qëndrimin nëse ky debat solli ose jo vlerë të posaçme, për të parë apo riparë ngjarje, protagonistë të historisë, nën një optike të re. Historiani Paskal Milo mendon se jo.

“Politika s’duhej të ngatërrohej fare në këtë punë, dhe në diskutimin e figurave historike, sepse nuk i takon Në asnjë vend të botës politika nuk merret me përcaktimin e personaliteteve të historisë”, shprehet Milo.

Valentina Duka, historiane dhe zëvendësdekane e fakultetit të histori filologjisë mendon ndryshe, kur thotë se politika nxiti madje dhe hulumtime të reja të rëndësishme.

“Unë mendoj që debati që është bërë me rastin e 100-vjetorit i ka vlejtur shumë historiografisë shqiptare, për t’i shpjeguar siç duhet ndoshta ato ngjarje që ne mendojmë se kishim hedhur teza interesante, për të mbrojtur tezat tona, ose për ti rrëzuar ato në qoftë se ne jemi ballafaquar dhe kemi zbuluar teza të reja”, thotë ajo.

Fakte të panjohura më parë

Edhe falë këtij debati, sipas historianes Duka, ky prag 100 vjetori i pavarësisë do të japë fakte interesante të panjohura më parë.

“Do të shohim dritëhije mjaft interesante të protagonistëve kryesor të asaj kohe sic ishte Ismail Qemali, marrëdhëniet e tij me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit. Shumë gjëra edhe nuk i dinim më parë. Raportet që krijoi Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit me Ismail Qemalin dhe me Esat Toptanin”.

Kuvendi shqiptar
​​
“Por, krijimi i disa pushteteve të tjera edhe në veri të vendit, siç ishte arqipeshkvi i Lezhës që kishte nën sundim Lezhën. Shkodra ishte nën sundimin e një Këshilli të admiralëve që e quajnë konsujt e huaj. Dhe të gjithë këto pushtete e dobësuan jashtë mase pushtetin real të Ismail Qemalit”, thekson Duka.

Por, historiani Paskal Milo thotë se debati politik prodhoi në mënyrë të padrejtë glorifikimin e ndonjë figure të historisë, duke ju referuar kryesisht qëndrimit të kryeministrit lidhur me mbretin Zog.

“Figura politike më konsensuale në Shqipëri vazhdon të mbetet Ismail Qemali. Ndaj tij askush nuk ka asnjë urrejtje, dhe kjo është një gjë e mirë. Ndërkohë që figura më e debatueshme e këtyre muajve të fundit ka qenë Ahmet Zogu, ish-mbret i Shqipërisë. Ka pasur një përpjekje për ta rehabilituar, dhe ndonëse ka arsye që ai si figurë historike te rishihet, për fat të keq nuk i është lënë vend shumë gjykimit objektiv, por është kaluar në ekstremin tjetër”, thotë Milo.

Duka thotë se sot më shumë se kurrë, historianët janë të lirë të shkruajnë atë çfarë gjejnë në dokumente, në ndryshim prej disa vitesh më parë, kur historia shkruhej me ngjyrime blu apo rozë, sipas partisë në pushtet.

“Nuk mund të mendojmë kurrsesi që historiografia shqiptare është në nivelin e para 90-ës, absolutisht. Pas 90-ës ka lëvizje të fuqishme të historianëve shqiptar, por edhe të albanologëve të huaj për të riparë historinë e Shqipërisë tejet të politizuar dhe të ideologjizuar, para 90-s. Edhe tekstet e para që u prodhuan pas 90-s, të themi shumë fenomene i shikonin me këndvështrimin politik, djathtas”.

“Shumë tekste që u bënë pas 97-ës kur e majta erdhi në pushtet, nuk ndryshoi ngjarja por këndvështrimi, interpretimi bëhej sipas interesave të të majtës, por unë mendoj se sot nuk ndodh më kjo. Kështu në qoftë se ne tani nuk do të përpiqemi ti afrohemi të vërtetës, do të thotë që nuk kemi dëshirë ose vazhdojmë akoma të kemi mentalitet komunist në shkrimin e historisë”, bën të ditur Duka.

Vihet në diskutim data e shpalljes së pavarësisë

Duke përfituar ndoshta nga debati politik mbi historinë, në shtyp u dha një dokument, që synoi të vinte në diskutim datën e shpalljes së pavarësisë.

U tha se flamuri u ngrit fillimisht në Durrës. Por historiania Duka thotë se ky është një fakt i njohur që nuk është censuruar madje as gjatë diktaturës.

Përpara se të ngrihej në Vlorë, flamuri u ngrit në Durrës, Tiranë dhe në Elbasan, gjë kjo e konsultuar më parë edhe me Ismal Qemalin.

“Ai ishte një memorandum, i shkruar në osmanisht, që paria e qytetit të Vlonës i dërgonte konsullatës austro-hungareze. Po të njëjtin telegram i kishte dërguar edhe konsullatave të tjera të atashuara në Durrës, ku i shprehte shpalljen e pavarësisë nga paria durrsake, një fakt ky historikisht i njohur. Një fakt që e ka botuar për herë të parë Lef Nosi në vitin 1925. Është ribotuar me rastin e 95-vjetorit, por njerëz alifmatrak, të përkthyer keq dokumentin, krijuan një çoroditje pa vend të opinionit publik”, thotë Duka.

Një gjë është e sigurt, ky 100 vjetor do të ofrojë pak fakte të reja mbi regjimin 45 vjeçar komunist, e kjo sipas dy historianëve për disa arsye logjike.

​​“Në një ambient shumë të politizuar siç është për fat të keq Shqipëria aktuale, është shumë e vështirë që të gjendet ekuilibri dhe gjakftohtësia për të gjykuar një figurë historike, ajo që është më e afërt”.

“Kjo ndodhë, zakonisht. Prandaj, në historiografi preferohet më shumë të studiohen ato periudha historike të cilat kanë dalë tashmë jashtë vëmendjes së përditshme të njerëzve, ku aktorët kryesor politik nuk janë më dhe lejojnë të ketë një vështrim më të qetë dhe më objektiv ndaj ngjarjes dhe personaliteteve historike”, thekson Milo.

Ndërsa Valentina Duka thotë se politika është shumë e ndjeshme, dhe historianët presin që të precipitojnë mirë ngjarjet, e pastaj t’i qasen atyre.

“Historianët shqiptarë i janë qasur pak kësaj periudhe, për shumë arsye. E para arkivat në pjesën më të madhe janë të mbyllura se 25 vjet është maturimi i dokumentit. E dyta një pjesë e protagonistëve janë gjallë, politika është shumë e ndjeshme, dhe ne historianët presim që të precipitojnë mirë ngjarjet e pastaj t’i qasemi, por kjo nuk do të thotë që akoma nuk kanë precipituar mirë ngjarjet”, thotë ajo.

Krahas debatit për figura historike, politika u përfshi në debat edhe mbi vendin ku duhet të festohet zyrtarisht në 28 nëntor.

Nëse kjo duhet të ndodhë vetëm në Vlorë, si qyteti ku u ngrit flamuri në 1912, apo festime zyrtare të zhvillohen edhe në Tiranë si kryeqyteti i vendit.

Zgjidhja u dha politike. Sipas të gjitha gjasave, Partia Socialiste do të jetë vetëm në Vlorë dhe një pjesë të mirë të ditës edhe qeveria do të jetë atje, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit