Vrasësi norvegjez para dënimit paraqiti në gjyq tezat e tij ekstremiste. Tani katër teatro evropianë, ndër ta edhe një në Berlin, e kanë përpunuar tekstin në një pjesë për skenë.
Sascha Ö. Soydan ka në dorë deklaratën e Breivikut. Është një stivë letrash një gisht e trashë me fjalët e atentatorit norvegjez, i cili në korrik 2011 vrau 77 persona. Synimi i Breivikut ishte të inskenonte veten si mbrojtës i një lloji tjetër etnie nordike dhe të arrinte kështu vëmendje sa më të madhe publike për botëkuptimin e tij. Skena e tij e parë ishte salla e gjyqit, tani një aktore me origjinë turke e lexon tekstin e tij në një sallë pa zbukurime të “Theaterdiscounters”, në Berlin.
Regjisori Milo Rau me vënien në skenë të tesktit dëshiron t’i çjerrë maskën rrymës së djathtë në Evropë. Spektatorët kanë mundësi të shohin për më shumë se një orë, se si Soydan përpiqet t’i japë zë këtij teksti. Ajo qendron në një rrip të ngushtë drite pas një foltoreje ngjyrë gri. Lexon me pushime dhe me zë të ulët nga letra, ndalon, vështron e ngrirë dhe pastaj lexon fjalinë pasardhëse. Teksti është një masë mendimesh të zhveshura. Në të bëhet fjalë për një gjoja sistem arsimi dhe sundimi të infiltruar nga marksistët, që po i çon evropianët drejt rrënimit. Inskenimi si „Deklarata e Brevikut- skenar publik“ krijon distancë. Aktorja ka kontakt vështrimi vetëm me një kamera dhe vetëm pastaj përmes një ekrani të madh pak hapa djathtas saj në mënyrë indirekte me publikun. Në asnjë moment nuk ekziston rreziku që tek publiku të kërcejë shkëndija e veprës së ulët të Breivikut.
Skandali i paralajmëruar
Kur do të bëhej leximi në skenë një javë më parë në Teatrin Kombëtar Gjerman në Vajmar, drejtoria e teatrit kundërshtoi. Nuk dëshirohet t’i jepet mundësia e një forumi Breivikut, deklaroi drejtori Thomas Schmidt. Një vrasës në skenë, nuk është në asnjë mënyrë e pranueshme. Leximi u bë në një kinema aty pranë. Rrethanat e transferimit u diskutuan në fejtone dhe u shpallën skandal. Si pasojë u shtua interesi për inskenimin dhe tani kjo ka si pasojë shitjen e gjithë biletave për shfaqjen në sallën në Berlin.
Në krye qendron Soydani me komplet sportiv rozë dhe përtyp camcakëz gjatë leximit. Sigurisht në diskutimin e shpërthyer nuk bëhet fjalë për pyetjen nëse është e lejuar t’u jepet një skenë vrasësve. Normalisht ata janë personazhe të preferuar në teatër: Edipi në pjesë të panumërta të antikitetit, Karl Moor nga grabitësit e Shilerit, Raskolnikov i Dostojevskit në „Krime dhe dënim“. Të gjithë personazhe në konflikt me vetveten dhe me rrethanat e ekzistencës. Me krimet e tyre ata kapërcejnë një kufi të fundëm por e marrin publikun me vete dhe e lejojnë të marrë pjesë në përballjen me pasojat. Çelësi për këtë është identifikimi. Në rastin e „Deklaratës së Breivikut“ ky mekanizëm është nxjerrë në masë të madhe jashtë loje me trupën e aktorëve dhe inskenimin. Me Anders Breivikun nuk duan të kenë të bëjnë as regjisori dhe as lexuesja.
Teksti i vrasësit
Procesi kundër Breivik në Oslo
Efekti duhet të jetë ai i mërzisë. Dhe vërtet, lëtyra e Brevikut është e mërzitshme dhe shkon me atë që përhapet në të gjithë Evropën nga rrymat e djathta dhe qarqet ksenofobe. Kundërshtarët e fesë islame në Zvicër, populistët e djathtë në Austri dhe nacionalistët në Gjermani flasin këtë gjuhë. Struktura argumentimi të Breivikut ndeshen në formë të ngjashme në tezat e Tilo Sarrazin. Asgjë e re, e çuditshme, shqetësuese, në fjalimin mbrojtës së vrasësit së Utoyas dhe Oslos. Milo Rau thotë se pikërisht këtë ka dashur ai të prezantojë, këtë përhapje të gjerë të ideologjisë, me të cilën edhe Anders Breivik justifikon vrasjet e tij. Këtë Rau e arrin por mbetet i hapur diskutimi me strukturën e argumenteve dhe njerëzit që e shfrytëzojë atë.