Në komunën e Bujanocit brenda një kohe të shkurtër do të nisë ndërtimi i 20 banesave sociale, të dedikuara kryesisht për serbët e zhvendosur nga Kosova gjatë viteve 1999.
Ky vendim, të cilin para dy dite e ka marrë koalicioni aktual shqiptaro-serb nën udhëheqjen e kryetarit shqiptar, Nagip Arifi, ka zgjuar reagimet e këshilltarëve opozitarë shqiptarë.
Ish-kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, gjatë një bisede për “Zërin” thotë se ky vendim për ndërtimin e banesave sociale për serbët e Kosovës sjell një kolonizim, e madje është në kundërshtim me vetë Kushtetutën e Serbisë.
Fillimisht, sipas tij, kjo komunë është një vend i pazhvilluar ekonomikisht që nuk ka aftësi që t’i kthejë as njerëzit e vet, shqiptarët, që dikur nga frika gjatë bombardimeve të viteve 1999 janë larguar nga Bujanoci dhe sot janë të shpërndarë nëpër Kosovë.
Kamberi thotë se bëhet fjalë për banorët e malësisë së Bujanocit, të cilët përbëjnë rreth tremijë veta dhe për këta të mjerë që 13 vjet nuk ka menduar askush, as Qeveria e Serbisë e as bashkësia ndërkombëtare.
“Ndërkohë që për serbët e Kosovës, të cilët as që janë nga Bujanoci, merret vendim për t’iu ndërtuar shtëpi. Një vendim i tillë, po ashtu nuk do të duhej të merrej edhe pa u konsultuar me Qeverinë e Kosovës, për t’i pyetur ata se mos këta persona duhet të kthehen në Kosovë, apo mos kanë probleme me ligjin dhe nuk mund të kthehen”, tha Kamberi.
Ndërsa, analisti nga Lugina e Preshevës, Belgzim Kamberi, thotë se ky vendim është vetëm fillimi i prodhimeve negative që do të sjell koalicioni aktual i Bujanocit. Ai madje fajëson edhe partitë politike shqiptare, të cilët duke mos mundur që të merren vesh mes vete, kanë mundësuar që në Bujanoc faktor vendimmarrës të jenë pakicat serbe.
Ndryshe, i kontaktuar nga gazeta, kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, jep tjetër version për këtë situatë. Ai thotë se ndërtimi i këtyre shtëpive është projekt i Bashkimit Evropian (BE) dhe nuk ka të bëjë vetëm me serbët, por në përgjithësi me rastet sociale në Bujanoc, prej ngado qofshin ata.
Ndryshe, kryetari Arifi thotë se në të kaluarën, ish-kryetari i Bujanocit, Kamberi, i cili sot po e kritikon projektin, ka qenë vetë iniciues, por për shkak të zgjedhjeve lokale nuk ka arritur që ta realizojë.
Përndryshe, opozita në Bujanoc e përbërë prej 18 këshilltarëve nga Lëvizja e Progresit Demokratik, Partia për Veprim Demokratik dhe Unioni Demokratik Shqiptar kanë bojkotuar seancën kur është marrë ky vendim. Ata kanë lëshuar një kumtesë të përbashkët për media, ku thuhet se problemi i refugjatëve serbë të ardhur nga Kosova dhe viset e tjera të ish-RSFJ-së po i shkakton telashe të mëdha kësaj komune.
Njëri prej këtyre probleme është edhe borxhi i krijuar për harxhimet e rrymës elektrike nga këto qendra kolektive, me ç’rast komuna e Bujanocit i ka borxh elektrodistribucionit të Serbisë mbi 30 milionë dinarë.kohaislame