Prokurorët kanë hetuar shumë persona për manipulim të votave, por kanë dështuar ta hetojnë krimin e organizuar në zgjedhje dhe të ndjekin qoftë edhe një politikan të vetëm për vjedhjen e votave.
Ka pasur vjedhje të organizuar të votave dhe se pjesa dërmuese e vjedhje të votave është bërë brenda partive dhe se tani në Kuvendin e Kosovës ka deputetë si rezultat i votave të vjedhura, gjë që ka cenuar legjitimitetin e deputeteve të Kuvendit.
Kështu u tha të martën në një konferencë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Friedrich Ebert Stiftung me temën “Krimi i organizuar në zgjedhje, roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve”, nën drejtimin e Betim Musliut nga IKD.
Fatmir Limaj tha se mosndjekja e manipuluesve në të kaluarën ka bërë që kulmi të arrihet në zgjedhjet e vitit 2010.
“Dua të di sesi do të veprohet nga organet e drejtësisë që t’iu merret mandati deputetëve që janë në Kuvendin e Kosovës vota të vjedhura, nëse ka të atillë”, ka thënë Limaj.
Ai më tej tha se është krejtësisht e paimagjinueshme sesi ka ndodhur që “në Kuvend të Kosovës, pjesa dërrmuese e deputetëve të ndryshojnë nga legjislatura e kaluar dhe të futen fytyra të reja”.
Ndërkaq, Ahmet Isufi, nga AAK, tha se lufta më e ashpër në këto zgjedhje, më të diskutueshmet ndonjëherë, është zhvilluar brenda kandidatëve të partive politike.
“Janë 87 deputetë në Kuvendin e Kosovës që janë të rinj dhe që nuk kanë qenë deputetë më parë. Mund të ketë deputetë që aty janë me vota të vjedhura, por poashtu mund të ketë kandidatë që i kanë fituar votat dhe që nuk janë sot deputetë. Këtë duhet ta dëshmojnë organet e drejtësisë, prandaj duhet të hetohen organizatorët e këtyre krimeve”, theksoi Isufi, raporton Zëri.
Mirëpo Betim Musliu, nga IKD, i cili bëri prezantimin e raportit për politiken e ndjekjes së krimit të organizuar në zgjedhje, tha se është vërejtur një hezitim i prokurorëve për zbardhjen e këtyre krimeve.
“Pas manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2010 është fajësuar sistemi zgjedhor. Mirëpo ne mendojmë se nuk është fajtor sistemi zgjedhor por faktori njeri. Pra kanë qenë përgjegjës ekzekutuesit e manipulimi të zgjedhjeve që kanë qenë përfaqësues të partive politike.
Meqenëse në kaluarën nuk i kemi ndjekur dhe gjykuar vjedhjen e votave që ka ndodh si në vitin 2004, 2007 dhe 2009, atëherë është mbërri kulmi i manipulimeve në zgjedhjet e vitit 2010, ku u zgjuan edhe të vdekurit dhe votuan”, u shpreh Musliu.
Ndërsa hap pozitiv dhe të rëndësishëm Musliu e quan faktin se manipulimet që kanë ndodhur në këto zgjedhje po trajtohen si lëndë prioritare. Megjithatë, sipas tij, politika e ndjekjes dhe e dënimeve, deri tani bazuar në këtë analizë është joadekuate.
Edhe Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit e cila foli se si është zhvilluar ndjekja për këto raste të manipulimi të zgjedhjeve tha se prokurorisë së shtetit i kanë arritur 91 raste përmes së cilave subjektet politike, kandidatët dhe shoqëria civile dhe vëzhgues të zgjedhjeve, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullësitë që kanë shënuar zgjedhjet.
Ajo tha se Prokuroria e Shtetit i ka dhënë prioritet këtyre lëndëve dhe se prej marsit e vitit 2011 e deri më tani janë akuzuar 1500 persona.
Ndërsa Valdete Daka, gjyqtare e Gjykatës Supreme, tha se këto vepra penale, janë duke u shqyrtuar si prioritet, për shkak se për herë të parë në Kosovë ka qenë një numër kaq i madh i lëndëve gjyqësore nga zgjedhjet.
Ajo tha se për fat të keq politika ndëshkimore s’ka qenë shumë e qartë dhe se të gjithë ata që janë ndjekur penalisht, janë gjykuar me dënime me kusht he me gjoba, mirëpo falë qëndrimit të Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor, është kërkuar të bëhen ankesat nga prokurorët e qarkut dhe Prokuroria e Shtetit dhe pas ankesave të gjitha dënimet me kusht dhe me gjoba janë konvertuar ne dënime me burg efektiv.kohaislame