1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Udhëzimi hyjnor e profetik në kurimin e alkoolizmit

Më të lexuarat

Udhëzimi hyjnor e profetik në kurimin e alkoolizmit

Islami ndaloi të gjitha ato produkte të cilat janë në dëm të individit, familjes ose komunitetit dhe ka lejuar gjithçka që është e mirë dhe e dobishme për të gjitha qeniet njerëzore. Çdo gjë të cilën Zoti e ndaloi, ua zëvendësoi atë njerëzve me më të mirë se ajo, siç thotë në Kuran: “ Do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur.” (El-Araf: 157) Shpirti i njeriut gjithmonë ka tendencë të realizojë dëshirat e tij – pa marrë parasysh pasojat e rënda – për këtë arsye Islami orienton ithtarët e tij të frenojnë veten e tyre dhe ligjësoi për ta dispozita parandaluese, kurative dhe ligje për të zgjidhur çdo problem me të cilin ata përballen. Biografia e të Dërguarit të Allahut është modeli më i mirë për zbatimin e këtyre dispozitave parandaluese.

Zgjidhja hyjnore për problemin e alkoolizmit

Nga problemet serioze me të cilat ballafaqohet prej kohësh shoqëria njerëzore është edhe problemi i alkoolizmit. Ky problem është shndërruar në një gangrenë për shoqërinë duke e sfiduar atë gjatë gjithë kohës dhe duke ia imponuar asaj edhe mënyrën e të jetuarit të jetës.
Në periudhën para islame dhe fillimet e saj alkooli dhe konsumimi i tij ishte shumë i përhapur ndër arabët, duke u bërë edhe pjesë e folklorit të tyre, siç dëshmohet në poezi të ndryshme kushtuar pijeve alkolike, prandaj zgjidhja hyjnore për kurimin e këtij vesi do të ishte e qartë, e pranueshme për të gjithë dhe vendimtare.
Ajetet kuranore për ndalimin e prodhimit dhe konsumit të pijeve alkoolike do të zbrisnin në mënyrë të përshkallzuar dhe të mrekullueshme. Fillimisht Allahu i Madhëruar zbriti këshillë për largimin nga alkooli: “Ndërsa nga frutat e palmave dhe të hardhisë, ju përgatitni pije dhe ushqim të mirë. Natyrisht, edhe kjo është shenjë e vërtetë për ata që mendojnë.” (En-Nahl: 67). Në këtë ajet kuranor Zoti e cilësoi furnizimin si të mirë dhe këtë cilësim nuk e bëri edhe për alkoolin, si një prelud për ndalimin e mëvonshëm të tij. Më pas tërhoqi vërejtjen për dëmet që shkakton alkooli, të cilat janë shumë herë më të mëdha se dobitë e pakta të tij. Zoti thotë në Kuran: “Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia.” (El-Bekare: 219).
Më pas në etapën vijuese të ndalimit në mënyrë graduale të alkoolit, Allahu ndaloi konsumin e tij para faljes së namazit, në mënyrë që askush të mos falej në gjendje të dehur, por paraqitja e tij para Zotit të ishte në formën më të plotë logjike dhe fizike, siç thotë në Kuran: “O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni.” (En-Nisa: 43).
E pasi shpirtrat ishin edukuar me distancimin nga konsumimi i alkolit dhe njerëzit kërkonin të dinin një gjykim të qartë dhe përfundimtar rreth tij, atëherë Allahu i Madhëruar me urtësinë e Tij zbriti ndalesën definitive: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!” (El-Maide: 90)

Zgjidhja profetike për problemin e alkoolizmit

Pas metodologjisë dhe gjykimit hyjnor për ndalimin e konsumimit të alkoolit, në përputhje të plotë do të shfaqej edhe metodologjia profetike, siç do ti drejtohet njërit prej ithtarëve të tij, Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të): “ O Ebu Derda, mos e pi alkolin, sepse pirja e tij është nëna e të gjitha të këqijave.” (Ibn Maxhe dhe El-Hakim). Gjithashtu i Dërguari i Zotit asnjëherë nuk e mbylli portën e pendimit për të alkoolizuarit, duke dashur të na tregojë se gjithmonë ka shpresë që një njeri i tillë i prekur nga ky ves, të pendohet dhe të çlirohet nga robëria e vesit të tij.
Në mesazhe të tjera të tij drejtuar të gjithëve, profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) do të theksonte dëmet shëndetësorë të alkoolit në trupin e njeriut duke iu përgjigjur pyetjes se a mund të mjekohemi me alkoolin ai tha: “ Ai nuk është ilaç, por sëmundje.” (Ahmedi, Ibn Hiban dhe Darekutni). Një deklarë kjo e thënë para 14 shekujsh të cilën e vërteton edhe shkenca me zbulimet e saj rreth dëmeve të mëdha që shkakton alkooli në trupin e njeriut, duke filluar që nga aparati tretës, mëlçia, pankreasi e deri në dëmtime të pakthyeshme të sistemit nervor qendror. Në mëlçi, alkooli i konsumuar, shkakton dëmtime të qelizave hapatike, dëmtim që rritet në kohë duke u varur nga doza e konsumuar përditë dhe nga veçoritë fiziologjike të individit.
I dërguari i Zotit, Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të) ndaloi alkoolin dhe çdo gjë tjetër që ka të njëjtin efekt, humbjen e mendjes, pa marrë parasysh lëndët me të cilat ajo pije apo ai produkt është prodhuar, siç thotë në mesazhin e tij: “ Çdo pije dehëse është e ndaluar.” (Buhariu dhe Muslimi).
Përveç këshillës, urdhëresës dhe sqarimit të dëmit fetar, shëndetësor, ekonomik dhe social që ka alkooli, profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) do të përcaktonte edhe masa ndëshkimore për konsumuesin e alkoolit me qëllim parandalimin dhe frenimin nga tundimi i alkoolit. Qëllimi me këtë masë nuk është ndëshkimi, por ndihma për çdokënd që do të ndjehej i pafuqishëm për ti rezistuar largimit nga alkooli apo për tu shëruar një herë e përgjithmonë nga kjo sëmundje.
Në këtë mënyrë profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) do të sillte alternativën më të thjeshtë, më pak të kushtueshme dhe më të suksesshme në zgjidhjen e problemit të alkoolizmit, alternativë e ndërtuar fillimisht mbi devocionin ndaj Zotit dhe dashurisë për vetveten, pastaj mbi masat ndëshkimore, të dobishme për individin dhe mbarë shoqërinë.

Shkrime te reja nga Xhamiambret

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit