13.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Qeveria nuk di për investimet e Diasporës

Më të lexuarat

Mërgimtarët kosovarë, që jetojnë në vendet e Perëndimit kanë dhënë një kontribut të madh duke investuar kapitalin e tyre në Kosovë. Por, për shumën e investimeve të Diasporës nuk dinë as në Ministrinë e Diasporës, e as në atë të Tregtisë dhe Industrisë.

Pavarësisht kontributit të madh të Diasporës për rindërtimin e vendi si dhe investimet e tyre në sektorë të ndryshëm, në Ministrinë e Diasporës dhe në atë të Tregtisë dhe Industrisë nuk dinë se sa kanë investuar mërgimtarët që nga paslufta e këndej në Kosovë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Arta Istrefi tha për Telegrafin se ata nuk kanë të ndara në mënyrë të veçantë investimet nga diaspora.

“Gjatë dekadës së fundit, diaspora Kosovare ka pasur pjesëmarrje të rëndësishme në nivelin e përgjithshëm të Investimeve të Huaja Direkte, të cilat kryesisht kanë qenë të orientuara në blerjen e patundshmërive. Banka Qëndrore është institucioni që publikon raportin e investimeve të huaja direkte, pa e specifikuar diasporën”, tha Istrefi.

Ajo ka treguar se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve nga viti 2000 deri në mars të këtij viti janë regjistruar 4337 kompanitë të huaja.

As në Ministrinë e Diasporës (MeD), nuk dinë se sa kanë investuar kosovarët të cilët jetojnë në vendet e perëndimit.

Zëdhënës i Ministrisë së Diasporës, Xhevdet Sfarça ka bërë të ditur për Telegrafin se kjo ministri në bashkëpunim me dikasteret tjera qeveritare dhe zyrat për Diasporë nëpër Komuna, është në vazhdën e hartimit të regjistrit të bizneseve në Kosovë që drejtohen nga pjesëtarë të diasporës, por edhe të një regjistri të bizneseve të bashkëqytetarëve tanë në vendet ku ata jetojnë. “Në pothuajse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ka me dhjetëra biznese që drejtohen nga diaspora dhe ato janë mjaftë të suksesshme”, tha Sfarça.

Ai ka treguar se gjatë vizitave në këta biznese kanë vërejtur se natyra e tyre e punës ka të bëjë me prodhimtarinë e deri te ofrimi i shërbimeve të ndryshme. “ Biznesmenët nga diaspora sot në Kosovë drejtojnë kompani të suksesshme ndërtimi, hotelerie, prodhimit të produkteve të ndryshme, si qelqit, tjegullave, si dhe kohëve të fundit kemi interesim dhe shtim të numrit të bizneseve që fushë veprimtari të tyre kanë bujqësinë “, thekson zëdhënësi i Ministrisë së Diasporës.
Njohës të fushës së ekonomisë thonë se institucionet tona e kanë neglizhuar potencialin e diasporës, si në aspektin financiar, e edhe eksperiencën dhe njohurit e tyre.

Ndërkaq, Rudina Heroi, Zyrtare e Projektit në Diaspora për Zhvillim, thotë për Telegrafin se Diaspora kosovare ka ndihmuar shumë në zhvillimin e Kosovës, nëpërmjet dërgesave të tyre, dhe qarkullimit të parasë që ata kanë sjellë me vete gjatë qëndrimeve në Kosovë. Ajo thotë se për shkak të mungesave të statistikave zyrtare, investimet nga Diaspora figurojnë në kuadër të Investimeve të huaja në Kosovë, andaj pak mund të thuhet se sa realisht ka investime në Kosovë, megjithatë investimet nga Diaspora Kosovare nuk kanë munguar. Diaspora Kosovare edhe më tutje është e interesuar të investojë financat, e sidomos njohurit dhe eksperiencën për zhvillimin e vendit.

“Fatkeqësisht deri më sot institucionet tona e kanë neglizhuar potencialin e Diasporës jo vetëm në aspektin financiar, por edhe eksperiencën dhe njohuritë e tyre. Institucionet kosovare viteve të fundit kanë kuptuar rëndësinë e këtij potenciali dhe si rezultat edhe kanë themeluar Ministrinë e Diasporës, e cila është e para në regjion e dedikuar vetëm për Diasporën”, thotë Heroi.

Sipas saj, në përgjithësi vërehet një klimë e mirë për investuesit e huaj, e sidomos ata nga diaspora, përveç krijimit të Ministrisë së Diasporës në nivelin qendror edhe komunat kanë themeluar zyra të veçanta për diasporën.
“Megjithatë ende mbetet shume për të bërë, pasi këto mekanizma janë të reja dhe duhet fuqizuar ende. Kosova përfundimisht duhet të krijojë politika të favorshme jo vetëm në fushën e investimeve por edhe në fushat tjera në mënyrë që të tërheq vëmendjen e diasporës e cila aktualisht përbën përafërsisht 30 për qind të popullsisë së përgjithshme”, thotë ajo për Telegrafin.

Projekti Diaspora për Zhvillim ka për qellim përfshirjen e diasporës në nismat socio-ekonomike në Kosovë dhe njëherazi të krijoj marrëdhënie më të mira ndërmjet mërgimtarëve dhe Kosovës.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit