3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Pagesa e dyshimtë 10 milionëshe për kompaninë britanike

Më të lexuarat

Agjencia e Privatizimit pagoi mbi 10 milionë euro për shërbime të kompanisë britanike Delloite, ndonëse kontrata nuk u përmbush në tërësi.

Auditorët vlerësojnë se kompania nuk përmbylli procesin e likuidimit për asnjë ndërmarrje shoqërore, ndërsa obligohej që procedonte me 518 të tilla. Kontrata u përshkua me parregullsi që nga nënshkrimi i saj më 2012, duke përfshirë edhe ndërhyrjet e bordit e menaxhmentit në përzgjedhjen e kësaj kompanie.

Kontrata që peshon afër 20 milionë euro e lidhur mes Agjencisë së Privatizimit dhe kompanisë britanike Delloite, në korrik të vitit 2012, skadon këtë muaj.

Konzorciumi i kryesuar nga kjo kompani obligohej që brenda katër vjetësh të përfundojë procedurat e likuidimit për 518 ndërmarrje shoqërore.

Por, deri më tash nuk janë përmbyllur procedurat e likudimit për asnjë ndërmarrje. Megjithatë, Agjencia e Privatizimit ka paguar mbi 10 milionë euro për shërbimet e kësaj kompanie, raporton Insajderi.

Kjo agjenci është kritikuar për pagesat që ka bërë ndaj këtij konzorciumi nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Vërejtjet e auditorëve janë përmbledhur në raportin për AKP-në, të publikuar javën e kaluar.

Raportet e përvitshme të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm tregojnë për parregullsi në zbatimin e kësaj kontrate përgjatë viteve 2012-2016.

Auditorët kanë kritikuar AKP-në për implikimin e anëtarëve të bordit drejtues dhe menaxhmentit në komisionin e vlerësimit të ofertave që përzgjodhi kompaninë Delloite si fituese e tenderit. Po ashtu, kanë dhënë kritika edhe për faktin se kontrata me këtë kompani peshon më shumë se sa buxheti total i Agjencisë së Privatizimit.

Shteti pagoi mbi 10 milionë euro, ndonëse asnjë ndërmarrje nuk u likuidua nga kontraktori

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka paguar deri më tash mbi 10 milionë euro për shërbimet e konzorciumit të përbërë nga kompanitë: Deloitte Central Europe Limited, Deloitte&Touche dhe Tashko Pustina.

“Pagesat në total për shërbimet e kryera nga OSHP-ja (Ofruesi i Shërbimeve Profesionale) janë 10, 701, 901€. Prej tyre, 3,192,823€ janë për kosto fikse dhe 7,518,078€ për kosto variabile (kosto të krijuara nga shqyrtimi i pretendimeve të kreditorëve)”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2015.

Bazuar në kontratën e lidhur me AKP-në, kjo kompani obligohet që të kryejë procedurat e likuidimit për 518 ndërmarrje shoqërore, raporton Insajderi.

Por, auditorët kanë vlerësuar se për katër vite kontraktori i AKP-së nuk ka përfunduar në tërësi procedurat e likuidimit për asnjë ndërmarrje shoqërore.

“Deri në fund të vitit 2015 numri i raporteve dhe draft raporteve të përgatitura nga OSHP-ja ishte 288. Megjithatë, deri në përfundim të auditimit tonë asnjë ndërmarrje nuk është përmbyllur nga ana e OSHP-së të kontraktuar (kontrata me OSHP-në përfundon në korrik 2016)”, thuhet në raportin e auditimit.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka publikuar raportin e auditimit në muajin qershor të vitit 2016.

Përveç, mos kryerjes në tërësi të këtij shërbimi, auditorët kanë gjetur edhe parregullsi tjera.

Sipas ZAP-it, vërejtje ndaj kompanisë amerikane ka dhënë edhe Njësia e Auditimit të Brendshëm në Agjencinë e Privatizimit.

“Për më tepër, NJAB-ja në raportin e auditimit, ka ngritur çështjen e kërkesave të kreditorëve që ishin dorëzuar si kërkesa kolektive për t‟u trajtuar, ndërsa OSHP-ja i kishte trajtuar si kërkesa individuale e që një trajtim i tillë ka ndikim të madh financiar”, theksohet në raport.

Raporti i NJAB-it është hartuar në maj të vitit 2015.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka dhënë dy rekomandime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përkatësisht për Petrit Gashin, kryetarin e bordit të këtij institucioni.

Ka rekomanduar që Gashi duhet të sigurohet se konzorciumi i kryesuar nga “Delloite”, ka shtuar dinamikën e kryerjes së punëve duke hartuar raportet finale të auditimit. Kjo, sipas auditorëve, duhet të bëhet me qëllim që procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore të përfundojë brenda afatit kohor të paraparë me kontratë, që është korriku i këtij viti.

Po ashtu, auditorët kanë rekomanduar që Agjencia e Privatizimit duhet të sigurohet që në kontratën eventuale të ardhshme-nëse e tanishmja dështon- të parashihet që kërkesat kolektive të kreditorëve të së njëjtës natyrë të mos trajtohen si individuale.

Sipas auditorëve, trajtimi kolektiv i kërkesave të njëjta kursen kohë dhe mjete financiare të shtetit.

Insajderi ka pyetur përgjegjësit e kompanisë Delloite lidhur me të gjeturat e auditimit.

Përgjegjësit e Delloite Kosova kanë rekomanduar që lidhur me këtë çështje të pyetet Agjencia e Privatizimit.

“Ju lutem që për çfarëdo informacioni ne lidhje me projektin apo punët rreth projektit dhe Agjencionit të drejtoheni direkt tek menaxhmenti i AKP-së”, thuhet në përgjigjën e zyrës së Delloite në Kosovë.

Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit lidhur me të gjeturat e auditorëve. AKP ende nuk ka dhënë përgjigje.

Historia e kontratës multimilionëshe

Historia e kësaj kontrate ka nisur para katër vjetësh. Agjencia Kosovare e Privatizimit në korrik të vitit 2012 nënshkroi kontratën me këtë konzorcium të kryesuar nga kompania Delloite.

Përshkrimi i kësaj kontrate ishte: Angazhimi i shërbimeve profesionale për procedimin, gjykimin dhe përfaqësimin ligjor për ankesa për tërë portofolion e ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës.

Bazuar në raportet e auditimit, kontrata e lidhur mes palëve peshon 19 milionë e 920 mijë e 304 euro.

Mënyra se si ishte angazhuar kjo kompani ishte e parregullt, bazuar në konkludimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Gjashtë takime janë mbajtur para katër viteve për shqyrtimin e ofertave të tenderit multimilionësh për likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Komisionin e vlerësimit të ofertave e ka udhëhequr zyrtarja e prokurimit. Por anëtar të këtij komisioni kanë qenë anëtarë të bordit të AKP-së. Raportet e auditorëve nuk përmendin me numër dhe emër se kush prej anëtarëve të bordit ishin pjesë e komisionit vlerësues.

Për më tepër, sipas auditorëve, pjesë e këtij komisioni në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe një zëvendës menaxher i AKP-së. Edhe ky nuk përmendet me emër në raportin e auditimit të Agjencisë së Privatizimit për vitin 2012.

Por, përfshirja e tyre në komision vlerësuar paraqet ndërhyrje dhe rrezik për vlerësime jo të drejta të ofertave të kompanive konkurrente në tenderë.

ZAP ka rekomanduar që anëtarët e bordit të drejtorëve të mos jenë të involvuar në punët operacionale të Agjencisë si dhe të sigurohen kushtet e nevojshme për punë të pavarur të komisioneve për vlerësimin e tenderëve.

Në raportin e auditimit për vitin 2012, nuk figuron ndonjë përgjigje e AKP-së lidhur me këtë të gjetur të auditorëve.

Përkundër këtij rekomandimi, i njëjti veprim ishte përsëritur edhe vitin e ardhshëm.

Të gjeturat e auditorëve të publikuar në raportin për vitin 2013, tregojnë se bordi i drejtorëve ishte implikuar sërish në kontratën multimilionëshe.

AKP-ja kishte themeluar një Komitet Drejtues për monitorimin e kontratës me kompaninë Delloite, ku në cilësinë e anëtarit të këtij Komitetit ishte vendosur edhe një anëtar i BD të AKP-së. Raporti nuk përmend me emër anëtarin e bordit të AKP-së.

“Kryerja e punëve ekzekutive nga ana e anëtarëve të BD mund të rezulton me konflikt të interesit dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme të kontratave të jashtme”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2013. BD duhet të siguroj se ekziston një ndarje e qartë dhe e dokumentuar në mes të rolit të anëtarëve të BD dhe roleve ekzekutive, përmes të cilit fokusi do të ishte tek BD që ofron mbikëqyrje pa qenë pjesë ekzekutive”, thuhet në raportin e auditimit.

Menaxhmenti i Agjencisë së Privatizimit nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë gjetje të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Auditorët: AKP nënshkroi kontratë që peshon më shumë se sa buxheti total i këtij institucioni

Përveç implikimit të anëtarëve të bordit drejtues dhe menaxhmentit të Agjencisë së Privatizimit, auditorët vlerësojnë se AKP-ja kishte ndërmarrë edhe veprime tjera të gabura.

Të tillë e vlerësojnë vendimin për një kontratë të madhe që peshonte më shumë se sa totali i buxhetit të këtij institucioni.

Sipas tyre, shuma e kontratës ishte për 2.47 për qind më e lartë se sa buxheti i agjencisë.

Po ashtu, sipas auditorëve, kjo kompani është paguar nga mjetet e inkasuara nga likuidimi i ndërmarrjëve shoqërore, që është në kundërshtim me ligjin për AKP-në.

Bazuar në raportin e auditorëve, ligji obligon Agjencinë që të paguajë këtë kompani nga mjetet që i janë ndarë nga buxheti i Republikës së Kosovës apo mjetet e siguruara nga një donator tjetër.

“AKP-ja ka nënshkruar kontratë duke mos poseduar fonde adekuate për shërbimet e likuidimit dhe duke bërë zotimin për këto mjete nga NSH në Likuidim. Në rast të mungesës së fondeve nga likuidimi i NSH-ve pagesa do të financohet nga fondi rezervë apo tarifa administrative e agjencisë”, thuhet në raportin e auditorëve.

Kontrata është e paraparë të realizohet brenda katër viteve. Vetëm për shërbimet e kryera në gjysmën e dytë të vitit 2012 ishin paguar nga shteti mbi 1 milionë e 228 mijë euro.

E njëjta vërejtje është dhënë nga auditorët edhe në raportet për vitet 2013, 2014 dhe 2015.

Agjencia e Privatzimit ka kundërshtuar në vazhdimësi këtë gjetje. Ka vlerësuar se kontraktori duhet të paguhet nga fondet e ndërmarrje shoqërore në likuidim.

Në përgjigjen e AKP-së dhënë auditorëve më 2013 thuhet se “të vetmet obligime buxhetore që krijohen për Qeverinë me rastin e aprovimit të ligjit të ri të AKP-së më 2011 janë për pagat e punëtorëve, mallërat dhe shërbimet dhe investimet kapitale”.

“Ligji i AKP-së (neni 40 i shtojcës) parasheh që kostot e likuidimit financohen nga fondet e likuidimit (kjo është praktikë ndërkombëtare e financimit të shpenzimeve të administratorit të likuidimit të ndërmarrjeve)”, thuhet në përgjigjen e AKP-së, dhënë Zyrës së Auditorëve në vitin 2013.

Sipas AKP-së, kjo agjenci kërkon fonde shtesë nga Qeveria vetëm në rastet kur nuk ka fonde të mjaftueshme nga ndërmarrje shoqërore në likuidim.

Megjithatë, kjo përgjigje e AKP-së nuk është marrë parasysh nga auditorët. Agjencia e Privatizimit thotë se i ka bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës që të mbulojë pjesën e mbetur të kontratës me kompaninë “Delloite”.

“AKP-ja edhe me kërkesën buxhetore për vitin 2016 nga Buxheti i Kosovës ka kërkuar shumën e mbetur për financim të kontratës për Autoritetin e Likudimit prej 5,3 milion euro për financimin e kësaj kontrate deri në Korrik 2016. Njëherit ZAP-it i është dëshmuar edhe me shkresë se kemi kërkuar sqarime nga Drejtori i Buxhetit të Ministrisë së Financave arsyetim me shkrim pse nuk është aprovuar edhe buxhetit i kërkuar për kompensimin e OSHP-së”, thuhet në përgjigjën e AKP-së, dhënë auditorëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit