8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Privatizimi: Jo sot, por nesër

Më të lexuarat

Ndërprerja e përkohshme e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike, do të ishte ideale për Kosovën, por jo ndërprerja në tërësi e këtij procesi, konsiderojnë njohës të çështjeve ekonomike.

Këto vlerësime vijnë pas reagimeve pro dhe kundër privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe siç thuhet, likuidimit të kombinatit “Trepça”.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “RIINVEST”, thotë se është e rëndësishme që autoritetet kompetente dhe palët e pakënaqura të gjejnë një konsensus për këtë proces.

“Për Kosovën është e rëndësishme të arrihet konsensusi, dhe jo të ndërpritet privatizimi në tërësi, por të ndërpritet ky lloj i privatizimit dhe në këtë moment të caktuar kohor, kur po ndodh privatizimi, të ketë një konsensus shoqëror dhe politik në këtë drejtim. Pra, ka mundësi reale të ndërpritet privatizimi i këtyre aseteve, por është gabim i madh nëse kjo ndërprerje do të ishte e pafund”, vlerëson Abdixhiku për Radion Evropa e Lirë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në bashkëpunim me dhjetëra organizata tjera, kërkojnë që të ndërpritet procesi i privatizimit, përderisa përfaqësues të bizneseve në vend, konsiderojnë se procesi i privatizimit është i domosdoshëm për ekonominë e vendit.

Edhe njohësi tjetër i rrethanave ekonomike, Muhamet Sadiku, konsideron se privatizimi duhet të realizohet, por, sipas tij, edhe një herë duhet të shqyrtohet metoda, koha dhe përqindja e aksioneve.

Sadiku thotë se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike është proces i komplikuar ekonomik, politik dhe social.

“Tani shihet se në Kosovë ende mungon konsensusi lidhur me privatizimin e këtyre ndërmarrjeve, si rezultat i mos-hyrjes së të gjitha palëve në dialog. Besoj se e vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë proces, është rikthimi në kërkim të konsensusit mbi privatizimin e këtyre ndërmarrjeve publike, duke respektuar interesat e të gjitha palëve të involvuara në këtë proces”, potencon Sadiku.

Privatizimi i ndërmarrjeve publike do të vazhdojë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, duke shtuar se privatizimi mund të sjellë kontribut shumë të lartë në ekonominë kosovare.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është e përcaktuar për reforma strukturale ekonomike, për funksionalizim të ekonomisë së tregut, për fuqizim të sektorit privat, për vendosjen e normave të larta profesionale dhe institucionale në funksion të rritjes së qëndrueshme, ekonomike dhe krijimit të rendeve të punës”, thekson Baxhaku.

Por, Lumir Abdixhiku, shprehet se në këtë situatë , e rëndësishme është që autoritetet kompetente të fillojnë ristrukturimin brenda këtyre ndërmarrjeve, në mënyrë që të rritet vlera e tyre.

Ai thotë se këto ndërmarrje duhet të zhvishen nga amullitë e deritashme, që, siç thotë ai, kanë ndodhur për shkak të aferave korruptive, nepotizmit, e pastaj të kthen në treg, si asete më me shumë vlerë.

“Alternativa e kësaj çfarë tani po promovohet nga Qeveria është një zhvlerësim i tërësishëm i këtyre asteve dhe ky zhvlerësim nuk do të sjellë asnjëherë suksese dhe atë vlerën optimale të privatizimit”, shprehet Abdixhiku.

Sidoqoftë, sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, gjatë këtij viti pritet që të shpallet kompania fituese për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postë- Telekomit të Kosovës.

Distribucioni i KEK-ut, është shitur në muajin qershor, ndërsa në muajin e ardhshëm pritet që të nënshkruhet kontrata me konsorciumin fitues “Limak&Çalik”.

Ndërsa, ende nuk ka asnjë vendim për privatizimin apo likuidimin e kombinatit “Trepça” .kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit