2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Industria e qumështit i sjell miliona shtetit

Më të lexuarat

Besim Kuqi është fermer nga Lutogllava e Pejës, i cili me 50 krerë lopë qumështore ka arritur që tash e sa vjet të organizoi dhe hap pikën prodhuese me mesatarisht 800 litra qumësht në ditë.
Nga ky biznes familjar, fermeri nga Rrafshi i Dukagjinit deri më tash ka arritur të punësojë dhe dy punëtorë nga jashtë, që bashkë me tre të tjerë nga familja, ngrisin numrin e të punësuarve në pesë.
“Gjithçka do të ishte e pamundur për suksesin, nëse qumështi i prodhuar nga kjo pikë dhe pika të tjera në Rrafsh të Dukagjinit, nuk do të kishin edhe destinimin e garantuar grumbullues”, thotë Kuqi, i cili tash e 10 vite bashkëpunon me qumështoren “Vita”, segment i Devolli Group.
Sipas Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik të Pejës, vetëm në këtë komunë janë të regjistruar 32 fermer dhe dy pika grumbullimi.
Ajo e “Vitës” dhe e djathit “Rugove”.
“Kjo ndihmon shumë në zhvillimin ekonomik të Pejës por edhe të Kosovës, meqë drejtpërdrejt do të thotë edhe gjenerim i vendeve të punës. Rëndësia normalisht që është e madhe, sepse këto lloj biznesesh familjare arrijnë që shtetit t’i ndihmojnë në pikën më të ndjeshme, pra në punësimin e njerëzve pa e ngarkuar shtetin drejtpërdrejt”, thotë Artan Gashi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Pejë.
Vetëm në qumështoren “Vita” në Radushë të Istogut, kanë përfituar vende pune, drejtpërdrejt në këtë fabrikë mbi 200 persona, ndërsa dhe rreth 3 mijë të tjerë janë përfitues të jashtëm.
“Kompania jonë ka pasur prodhim 18 milion litra qumësht vetëm në vitin 2015 dhe me kapacitet posedues përpunimi të qumështit dhe produkteve të tij me 30 mijë litra në orë”, thotë Xhelal Radoniqi, drejtor Gjeneral tek “Devolli Group”.
Sipas Radoniqit, ky segment prodhues dhe biznesor në vendin tonë mund të jetë edhe më i fuqishëm në të ardhmen, nëse do të ketë mbështetje më të madhe përkatëse.
“Nëse politika zhvillimore e shtetit fokusohet në zhvillimin e sektorit të blegtorisë, ne mendojmë se prodhuesit vendor mund t’i shfrytëzojnë shumë më tepër kapacitetet e tyre prodhuese, të cilat për momentin mbeten të pashfrytëzuara nga importi kaotik i produkteve të qumështit”, thotë Radoniqi.
Çështje e importit të pakontrolluar të produkteve të qumështit ishte diskutuar edhe në një tryezë të organizuar në qershor nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ku të gjithë akterët e kësaj industrie ishin ankuar për politika jo korrekte nga ana e shtetit.
Sa i përket mbështetjes institucionale përpunuesit e qumështit sikurse “Vita” nuk kualifikohen, por fermerët kanë pasur përkrahje, së paku deri në njëfarë mase.
Fermeri Besim Kuqi thotë se nëse shteti do që ky sektorë të rritet dhe zhvillohet, atëherë edhe mbështetja nga dikasteret shtetërore duhet të rritet.
“Para 4 vitesh kam pasur një përkrahje 50% me 50% nga Ministria e Bujqësisë për një fermë. Ajo ka qenë e vetmja. Ndërsa të tjerat që vijnë janë këto në subvencionimin që na bëhet për litër”, thotë Kuqi.
Për ekstra klasë qumështi fermerët marri 6 cent për litër, për klasë të parë 4 cent dhe klasë të dytë 2 cent.
Në të njëjtën kohë këta fermerë kanë marrë premtime edhe nga komuna e Pejës për donacion lopësh.
Shtetit, prej të cilit Kuqi dhe prodhuesit tjerë të qumështit kërkojnë politika më të avancuara mbështetëse, vetëm qumështorja “Vita” mesatarisht i paguan tatim rreth 6 milion euro në vit.
Marrë parasysh edhe ekzistencën e shumë përpunuesve të tjerë të qumështit, shihet se kjo veprimtari është mjaft profitabile dhe meriton kujdesin institucional.
Në anën tjetër, përveç ankesave për import të pakontrolluar prodhuesit të qumështit ankohen edhe për pamundësinë e depërtimit në tregjet tjera.
“Depërtimi në tregun e huaj është shumë i vështirë. Së pari laboratori i AVUK-ut nuk ka akreditim të duhur, në mënyre që neve të na mundësohet eksporti ne EU. Sa i përket Shqipërisë, aty ka eksport të qumështit por në sasi të vogla, kjo për arsye se ka pengesa si formale ashtu edhe jo formale për të hyre në ketë treg”, përfundon drejtori i qumështores “Vita”, Xhelal Radoniqi.
Në tryezën e Klubit të Prodhuesve Vezir Januzaj, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka thënë se janë duke punuar në implementimin e programit për mbështetjen sektorit të qumështit. Ai tha se janë të vetëdijshëm që ky sektor përballet me sfida të shumta mirëpo sipas tij duhet të punohet bashkërisht për të arritur një nivel më të mirë.
Sipas tij nga viti 2008 e deri më tani Ministria me mbështetje edhe të USAID-it ka ndarë rreth 40 milionë euro grante dhe subvencione për përpunuesit e qumështit. Ndërsa këtë vit Januzaj tha se janë ndarë 10 milion euro për sektorin e qumështit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit